×
Intervista

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi: Shpenzimet tona për dreka zyrtare janë 40% më të vogla se në kohën e LDK-së

Autor:Blendi Gashi
11 Shtator 2022 | 18:00

Garë e ashpër ishte zhvilluar në zgjedhjet lokale vitin e kaluar në Vushtrri. Ferit Idrizi i PDK-së e Xhafer Tahiri i LDK-së ishin përballur në një balotazh, me akuza të ashpra për njëri-tjetrin.

Shpenzimi i parasë publike dhe projektet e ndryshme, ishin bërë ‘mollë sherri’ disa herë në debatet mes të dyve.

Tash e më shumë se 8 muaj që kur Vushtrria është nën udhëheqjen e Ferit Idrizit të PDK-së, LDK-ja që është opozitë në këtë komunë ka drejtuar gishtin nga kryetari Idrizi për shpenzime të mëdha për dreka zyrtare.

Gazeta Online “Reporteri.net”, ka realizuar një intervistë me kryetarin e Vushtrrisë, Ferit Idrizi, i cili i quan të pavërteta akuzat duke thënë se ai dhe kabineti i tij kanë shpenzuar më pak para për dreka zyrtare se ish qeveria e kaluar që udhëhiqej nga LDK.

Idrizi flet edhe për premtimet që ka bërë në fushatë, për grevën në arsim, dhe tregon sa ka mbështetje nga Qeveria Kurti.

Mëposhtë mund ta lexoni intervistën e plotë me kryetarin e Vushtrrisë, Ferit Idrizi dhënë për Gazetën Online “Reporteri.net:

Partia opozitare në Vushtrri, LDK ju ka akuzuar se keni shpenzuar mijëra euro për dreka zyrtare. Cila është e vërteta sipas jush?

Shpenzimet tona janë më të vogla për 40% për periudhën e njëjtë se në kohën kur ka qeverisur LDK-ja.

Gjatë kohës sa ka qeverisur LDK-ja, 4 drejtorë komunalë e kanë pasur veturën zyrtare në dispozicion 24 orë, kurse nën drejtimin tim asnjë drejtorë nuk e ka në dispozicion veturën 24 orë, përveç mua si kryetar që e parasheh edhe ligji.

Vlen ta përmendi se sot unë si kryetar komune nuk kam fare vozitës, e voziti vet veturën zyrtare, pasi e kam shtëpinë 500-600 metra larg nga komuna dhe nuk e kam parë të arsyeshme të kem vozitës.

PDK sot po qeveris më ndryshe me Vushtrrinë dhe në bashkëpunim edhe me shoqërinë civile që i ka dhënë udhëheqjen e një drejtorie tejet të rëndësishme. Drejtoria e Urbanizmit sot udhëhiqet nga shoqëria civile, dhe kjo dëshmon se PDK po qeverisë ndryshe.

Si po ec koalicioni qeverisës dhe pse keni shkarkuar disa drejtorë komunalë?

E kemi miratuar statusin e Komunës dhe kjo është një tregues i qartë se kam bashkëpunim shumë të mirë ndër të tjera edhe me opozitën. Koalicioni po ec shkëlqyeshëm, por si nuk po punojnë po i largoj drejtorët, kam bërë dy herë ndryshime. Siç e thash, koalicioni është stabil, por kush nuk punon nuk ka vend në qeverinë që udhëheq unë.

Cilat janë premtimet që keni nisur t’i realizoni apo që keni përfunduar deri tani?

Pikë qendrore të programit tim e kam pasur rininë, arsimin profesional e kam realizuar 100%, i kam subvencionuar kurset për 400 të rinj e të reja në gjuhë gjermane dhe IT. Kam nxjerrë vendim dhe ju kam ofruar mësim pa pagesë për të gjithë të rinjtë e të rejat që duan ta kenë një profesion, i kam subvencionuar dhjetë profile si: floktar, instalues, etj. Poashtu i kam ndarë 70 bursa për studentë.

Kam subvencionuar 50% të tokave që janë sistem të ujitjes, kam nënshkruar kontratë me Ibër Lepencin dhe kanë përfituar mbi 700 bujq. Kam përmbushur premtimin edhe për blegtorët, iu kam premtuar 4 cent ia kam ndarë 5 cent. Së shpejti do të hapet shpallja për subvencionim për kokë deleje e dhie nga 4 euro.

Kam premtuar mbështetje për garat e nxënësve dhe e kam realizuar, secilit nxënës ja kam ndarë nga 100 euro.

Kemi mbajtur tubime me diasporën ku kemi dëgjuar idetë e tyre, ndërsa kemi ndarë parking pa pagesë.

Kam premtuar Platformën për regjistrimin e diasporës e cila brenda javës do të inaugurohet ku do të jetë linku për diasporën e Vushtrrisë që të regjistrohen.

Cilat janë premtimet që nuk i keni realizuar?

Ende nuk është realizuar premtimi për ujë të pijes, aktualisht është faza e montimit të gypave, por që do të realizohet së shpejti.

Poashtu ende nuk ka përfunduar Tregu i gjelbër, por që aktualisht jemi duke e hartuar projektin.

Për investime kapitale kam premtuar parking nëntokësorë dhe do ta kryejë brenda mandatit. Do të rregullojmë edhe sheshin dhe shtratin e lumit Sitnica.

Të kalojmë tek greva në arsim, si duhet gjetur zgjidhja që nxënësit t’ia nisin mësimit?

Fajtori kryesor është qeveria se e ka timonin, duhet me u ulë me sindikatat dhe shoqërinë civile, dhe me i dhanë drejtim e kahje sistemit të arsimit.

Për fund, sa keni mbështetje nga Qeveria Kurti si komunë që drejtoheni nga PDK?

Kam pasur mbështetje nga dy ministri, Ministria e Zhvillimit Rajonal për shëtitore për gjatë lumit Sitnica, edhe na ka mbështetur edhe Ministria e Bujqësisë. Po presim mbështetje edhe prej Ministrisë së Kulturës. /Reporteri.net/.

 

 

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!