×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Ka insistim nga ndërkombëtarët, por Asociacioni është e vetmja marrëveshje e Brukselit që nuk e ka kaluar testin e Kushtetueses

    Reporteri
    26 Janar 2023 | 11:44

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar  në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Kurti ka thënë se asnjë nga 33 marrëveshjet e Brukselit nuk mund të ketë prioritet ndaj marrëveshjeve të tjera.

    Ai tha se ka insistim nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë që Asociacioni ashtu siç është nënshkruar më 2013, e më pastaj edhe i elaboruar në 7 kapituj me nënshkrimin e 25 gushtit të theksohet më shumë, po potencoi se marrëveshja mbi Asociacionin është e vetmja nga këto 33 marrëveshje që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese, shkruan Reporteri.net.

    “Në njërën anë janë 33 marrëveshje të Brukselit nga dekada e kaluar dhe nuk ka asnjë marrëveshje e cila ka prioritet ndaj marrëveshjeve të tjera.

    Nuk ekziston hierarkia e atyre marrëveshjeve. Ato 33 marrëveshje janë të vendosura në një rrafsh horizontal, ndërkaq në anën tjetër, këto 10 nene nuk tolerojnë që një nen atje nga fundi të sillet i pari si parakusht. Dhe të mos harrojmë asnjëherë  se marrëveshja duhet ta ketë njohjen reciproke sepse vetëm asisoj e bëjmë normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Ka insistim nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë që Asociacioni ashtu siç është nënshkruar më 2013, e më pastaj edhe i elaboruar në 7 kapituj me nënshkrimin e 25 gushtit të theksohet më shumë, por ajo marrëveshje është tashmë e theksuar sepse është e vetmja marrëveshje nga 33 të Brukselit që nuk e ka kaluar testin e Kushtetueses. Pra në një mënyrë, mund të themi se ajo marrëveshje njëmend është e theksuar në kuptimin juridik e kushtetues për shkak se nuk e ka kaluar testin e Kushtetuese. Tash procesi negociator duhet të na shpiejë përpara. Unë e respektoj konfidencialitetin e bisedimeve por e theksoj se asnjë nga ato 33 marrëveshje nuk mund të ketë prioritet hierarkik dhe nenet në propozimin e BE-së kanë numra, që do të thotë se kanë renditje”, tha Kurti.

    Derek Chollet, këshilltar në Departamentin e Shtetit Amerikan, i ka kërkuar kryeministrit Kurti që të pranojë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe çuarjen përpara të diskutimeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    Këtë kërkesë e përsëriti dje, edhe zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.

    Price ka deklaruar se mesazhi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën është që sa më shpejtë të fillojë procesi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

    Kujtojmë se në Kosovë po qëndron, i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

    Ai pas një darke pune që pati mbrëmë me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimi, tha se se me ta pati diskutime të hapura dhe intensive. Lajçak tha se me Kurtin e Bislimin u dakorduan për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara.

    “U ktheva në Kosovë sot për t’i vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me kryeministrin Albin Kurti dhe zv.kryeministrin Bisnik Bislimin, për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu u dakorduam që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut, të zbatohen plotësisht”, shkroi Lajçak./Reporteri.net/

    Kurti flet për takimin me Lajçakun: Marrëveshja duhet të ketë njohjen reciproke në qendër

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!