×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti nuk i ndahet temës së zgjedhjeve, takon Kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka

    Reporteri
    25 Maj 2020 | 20:18

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk e ka lënë veç me fjalë kërkesën e tij që të ketë zgjedhje. Ai sot doli edhe në aksion pak dhe kështu takoi Kryetaren e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka, shkruan Reporteri.


     

    Sipas një komunikate të Qeverisë, në këtë takim u diskutua për funksionimin e këtij institucioni dhe ngritjes së bashkëpunimit në çështjet që ndërlidhen me Qeverinë.

    “Ndonëse në kohë pandemie, KQZ është e gatshme të ushtrojë autoritetin e saj publik institucional. Znj. Daka e njoftoj Kryeministrin në detyrë, z. Kurti, që përgatitjet për zgjedhjet për kryetar të komunës së Podujevës edhe pse janë ndërprerë, me vendimin e marr më 14 mars të këtij viti, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, për mos-mbajtjen e tyre, KQZ është e gatshme që ta mbajë këtë proces zgjedhor. Në anën tjetër Kryeministri në detyrë, z. Kurti e njoftoi znj. Daka, për lirimin e masave që po i ndërmerr Qeveria ndaj COVID-19. Koordinimi ndërinstitucional dhe respektimi i rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Ministrisë së Shëndetësisë nga qytetarët, kanë dhënë rezultatin e tyre. Kryeministri në detyrë Kurti në këtë takim shprehu gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë për forcimin e bashkëpunimit me KQZ-në dhe nevojën që ka vendi ynë për zhvillimin demokratik të institucioneve përmes transparencës dhe pavarësisë së tyre”, thuhet në njoftim.

    Gjatë ditës, dy këshilltarë të tij dhe ai vetë folën për zgjedhje. Madje thanë se ka modele të mira nëpër botë të mbajtjes së tyre edhe në pandemi.

    “Ngërçi institucional shfaqet vetëm kur përjashton zgjedhjet
    Sot u bënë dy muaj nga mocioni i mosbesimit. Më 25 mars krizës shëndetësore iu pat shtuar edhe ajo politike. Mirëpo, ne po ia dalim. Dje ishte dita e parë, që nga 13 marsi, pa të infektuar me virusin Corona.
    Ngërç institucional? Nuk është e vërtetë. Mospajtime ka, por edhe zgjidhje ka. Në përputhje me Kushtetutën tonë nevojiten zgjedhje të reja. Ato tashmë po mbahen anembanë Evropës. Pas shëndetit të popullsisë dhe ekonomisë, është në pyetje edhe shëndeti i demokracisë. Zgjedhje do të ketë në qershor në Islandë, Francë dhe Serbi, kurse në korrik në Maqedoninë e Veriut, Spanjë dhe Kroaci. Duhet të kemi zgjedhje edhe në Kosovë e aso lokale në Podujevë. Madje, mundet edhe njëkohësisht”, ka thënë ai në një status në Facebook, në mesditë.

    Ky diskurs i Kurtit vjen pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese të konstatojë nëse një tjetër parti ka të drejtë të formojë Qeverinë, pas rrëzimit të asaj të drejtuar nga partia fituese. Partitë tjera, përjashto PDK-në, nuk duan zgjedhje në këtë kohë./Reporteri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!