×
  • Lajme
  • Lajme / "Faktet flasin të kundërtën"

    Kurti publikon të dhëna: Serbia po propagandon për dhunë ndaj serbëve në Kosovë

    Reporteri
    07 Maj 2024 | 8:04

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se bazuar në statistikat e Policisë nga 86 vrasje se janë kryer nga viti 2021 deri më vitin 2024, 81 prej viktimave ishin shqiptarë, tre serbë e dy të etnive tjera.

    Ai ka thënë se të dyshuar serbë janë arrestuar për vrasjen e tre serbëve, dy në Mitrovicë të Veriut e një në Graçanicë.

    Kurti ka theksuar se Serbia po vazhdon me propagandën për dhunën ndaj serbëve në Kosovë, porse të gjithë sipas tij e dinë se ajo thjeshtë është propagandë dhe se faktet flasin të kundërtën.

    “Statistikat zyrtare të policisë tregojnë se nga viti ’21 deri më ’24, në Kosovë ka gjithsej 86 vrasje: 81 shqiptarë, 3 serbë e dy të etnive tjera. 3 serbët u vranë në vitin ’22; dy në komunën e Mitrovicës së Veriut dhe një në Graçanicë. Ka vetëm serbë të dyshuar për tri vrasjet. Në Mitrovicën e Veriut një serb dyshohet se ka vrarë babanë dhe vëllanë e tij. Në Graçanicë, një serb dyshohet se ka vrarë vëllain e tij.

    Ai ka përmendur sulmin në Banjskë, ku u vranë 3 pjesëtarë të grupit terrorist.

    “Rasti Banjska është i ndarë, ku 3 pjesëtarë paraushtarakë serbë vdiqën në shkëmbim zjarri me policinë pas vrasjes së oficerit të policisë Afrim Bunjaku më 24 shtator.”

    Kurti ka thënë se çdo person në Kosovë e di që “propaganda serbe për dhunë ndaj serbëve është propagandë”.

    “Çdo person në Kosovë, vendor apo ndërkombëtar, e di: propaganda serbe për dhunën ndaj serbëve është pikërisht ajo – propagandë. Faktet flasin vetë, duke hedhur poshtë gënjeshtrat tinëzare dhe duke zbuluar gjatësinë që do të shkonte një regjim autoritar për të mbjellë kaos. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!