×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti takohet me Apostolovën, i përmend nevojën për një plan për Ballkanin Perëndimor

    Reporteri
    15 Tetor 2019 | 11:39

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, me anëtaret e Kryesisë Arbërie Nagavci e Fitore Pacolli, kanë zhvilluar takim me Shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova.


    Siç njofton sot përmes një kumtese për media Lëvizja Vetëvendosje, tema të diskutimit kanë qenë zgjedhjet e parakohshme, e ndërsa kryetari i LVV-së, ka përmendur edhe zhvillimin ekonomik e social, sundimin e ligjit, zbatimin e MSA-së dhe dialogun me Serbinë.

    Në njoftim thuhet se Apostolova uroi Kurtin për rezultatin zgjedhor dhe për mbarëvajtjen e këtij procesi.

    “Ajo tha se me përjashtim të pjesës veriore të vendit, ku u raportua se pati presion ndaj serbëve lokal, gjithçka duket se shkoi në mënyrë të drejtë dhe të rregullt. Tani, është e rëndësishme që pas certifikimit të rezultateve të formohen institucionet dhe qeveria e re sa më parë në mënyrë që t’i hapet rrugë edhe alokomit të fondeve që Bashkimi Evropian i ndan për zhvillimin e projekteve të ndryshme në Kosovë, si në fushën drejtësisë, arsimit, sigurisë dhe mjedisit”, thuhet në njoftim.

    Tutje, thuhet se Kurti e falënderoi Apostolovën për vizitën dhe gjithashtu shprehi shqetësimin me procesin zgjedhor në veri të vendit.

    “Nevojitet adresimi i shkeljeve dhe parregullsive atje si dhe fillimi i dialogut për zhvillim me serbët lokal. Kryetari Kurti përmendi nevojën e një mini-Marshall plani të BE-së për Ballkanin Perëndimor, sidomos për bashkimin dhe zhvillimin e qyteteve të ndara, i cili do të mundësonte progres shoqëror dhe hov drejt integrimeve evropiane”, citohet të ketë thënë Kurti.

    Kurti, thuhet tutje, po ashtu tregoi se e ka mirëpritur vlerësimin dhe renditjen përkatëse të çështjeve të Përfaqësueses së Lartë të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian,Federica Mogherini dhe të Komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn, për zgjedhjet e 6 tetorit, e të cilët theksuan rëndësinë që qeveria e re të fillojë sa më parë me masa që ndikojnë në: 1) zhvillimin ekonomik dhe social, 2) sundimin e ligjit, 3) zbatimin e MSA-së dhe 4) çështjen e dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

    “Në fund të takimit, palët u dakorduan për komunikim të rregullt e bashkëpunim të mëtejmë”, përfundon njoftimi. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!