×
  • Lajme
  • Lajme

    Kushtetuesja tejkalon afatin 10 ditor për publikimin e aktvendimit të plotë për Kryeprokurorin e ri të Shtetit të cilin po e pret Presidentja Osmani

    Reporteri
    20 Korrik 2022 | 15:25

    Autor: Linda Ibrahimaj


    17 ditë kanë kaluar që kur Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se i ka shpallë të papranueshme mbi baza procedurale kërkesat e parashtruara nga Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti, që të dy kandidatë për Kryeprokurorë të Shtetit të cilët e kanë kontestuar kushtetutshmërinë e Vendimit të 6 prillit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Mos publikimi i këtij aktvendimi të plotë po vazhdon t’i japë mundësi Presidentes së vendit ta bllokojë finalizimin e procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit, shkaku që kandidati i përzgjedhur nga KPK-ja nuk është emri i preferuar i pushtetit politik. 

    Megjithatë, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy javë nga njoftimi, Gjykata Kushtetuese ende nuk e ka shpallur të plotë aktvendimin e saj, të cilin është duke e pritur edhe Presidenca e Kosovës në mënyrë që Presidentja Vjosa Osmani ta dekretojë Kryeprokuror e ri të Shtetit.

    Nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës i kanë thënë Gazetës Online Reporteri.net se aktvendimi i Gjykatës në këtë rast do të publikohet pasi që të përfundojnë të gjitha procedurat e parashikuara me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe me Rregulloren e punës së Gjykatës përkitazi me publikimin e vendimeve.

    “Aktvendimi i Gjykatës në këtë rast do të publikohet së shpejti”, ka thënë zëdhënësi i Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula, në një përgjigje me e-mail për Gazetën Online Reporteri.net.

    “Marrë parasysh interesimin e publikut në këtë rast, Gjykata, përjashtimisht, ka lëshuar komunikatë për publikun në ditën e marrjes së vendimit të saj”, ka sqaruar ai.

    Ligji për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloja e punës së institucionit më të lartë juridik në vend, parashohin një afat prej 10 ditësh që të shpallet aktvendimi i plotë.

    Megjithatë, këto dy akte parashohin edhe rastet kur ka përjashtime, e për këtë, edhe Dula ka një sqarim.

    “Përtej afatit dhjetë (10) ditor të përcaktuar në Ligj, të cilit i referoheni në pyetjen tuaj, Rregullorja e punës gjithashtu përcakton edhe finalizimin e tekstit përfundimtar të aktgjykimit/aktvendimit, i cili pas pranimit të komenteve (eventuale) të gjyqtarëve, i nënshtrohet përsëri procesit të përkthimit, si dhe procedurave tjera përgatitore për nënshkrim dhe dorëzim palëve”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses për Gazetën Online Reporteri.net.

    Këshilli Prokuroria i Kosovës më 6 prill 2022 përzgjidhi Blerim Isufajn për ta rekomanduar tek Presidentja e vendit për dekretim për pasues të Aleksandër Lumezit si Kryeprokuror të ri të Shtetit.

    Vendimi u kontestua edhe në Gjykatë Kushtetuese nga dy kundërkandidatët e Isfuajt, Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti.

    Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës pas shqyrtoi kërkesat e bashkuara në rastet KI 57/22, parashtruar nga Shqipdon Fazliu dhe KI 79/22, parashtruar nga Armend Hamiti, që të dy kandidatë për Kryeprokurorë të Shtetit të Republikës së Kosovës, të cilët e kontestojnë kushtetutshmërinë e Vendimit të 6 prillit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, më 4 korrik 2022 njoftoi se “vendosi që kërkesat përkatëse t’i shpallë të papranueshme mbi baza procedurale, sepse parashtruesit e kërkesave nuk i kanë shteruar mjetet juridike siç është përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

    Përkundër njoftimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese, Presidentja Vjosa Osmani ka vazhduar ta mbajë peng dekretimin e Kryeprokurori të ri të Shtetit, duke e lënë për muaj të tërë organin e lartë të akuzës të udhëhequr me ushtrues detyre.

    Në një deklarim të fundit nga Zyra e Presidencës së Kosovës kanë pohuar se shefja e shtetit është duke e pritur aktvendimin e plotë të Kushtetueses, para se ta nënshkruaj dekretin për shefin e ri të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

    “Pas pranimit të vendimit të plotë, Zyra e Presidentes do të analizojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe pastaj në bazë të vlerësimit të të gjithë procesit do të vendosë lidhur me veprimet e radhës”, u ka thënë para disa ditëve mediave një zëdhënës i Zyrës së Presidentes Osmani.

    Vonesën e dekretimit të Kryeprokurorit të ri nga ana e Presidentes së vendit, njohësit e çështjeve Kushtetuese e konsiderojnë edhe si shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nga ana e të parës së vendit.

    Zgjedhja e Blerim Isufajt si Kryeprokuror i ri i Shtetit, përveçse të disa OJQ-ve, ka nxitur reagime dhe kundërshtime edhe nga pushteti aktual në vend. Bllokimi i procesit të dekretimit të Kryeprokurori të ri nga Presidentja e Kosovës nga shumëkush shihet si reflektim i kësaj kundërshtie. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!