×
  • Lajme
  • Lajme

    Kuvendi në ora 14:00 mban seancë për referendumin serb, LDK e AAK marrin pjesë, PDK e bojkoton

    Reporteri
    15 Janar 2022 | 7:06

    Kryeministri i vendit Albin Kurti ka thirrur për sot për në ora 14:00 seancë të jashtëzakonshme ku në rend dite do të jetë vetëm një pikë, diskutim në lidhje me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Kosovës.

    Kësaj seance i janë përgjigjur pozitivisht AAK dhe LDK, por jo edhe PDK.

    Në një përgjigje për Reporteri.net, deputeti i AAK-së Pal Lekaj ka bërë të ditur se do të marrin pjesë në këtë seancë.

    “Grupi i AAK do të marrë pjesë”, ka thënë Lekaj shkurt për Reporteri.net.

    Teksa, në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi ka thënë se LDK do të marrë pjesë në këtë seancë.

    Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri ka bërë të ditur se PDK nesër nuk do të marrë pjesë në seancën e thirrur nga Kurti.

    Tahiri shtoi se PDK-ja e sheh të panevojshme thirrjen e kësaj seance.

    “PDK e sheh krejt të panevojshme thirrjen e kësaj seance dhe nuk do t’i përgjigjemi. S’do të jemi pjesë e saj ditën e nesërme”, theksoi Tahiri në një konferencë për media.
    Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka deklaruar se do të mundësojë që serbët e Kosovës me dyshtetësi të votojnë në referendumin e së dielës për ndryshim të Kushtetutës së Serbisë, përmes postës ose në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë.

    Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur përmes një njoftimi se pas debatit në Kuvend do të të tentohet të nxjerret një rezolutë e përbashkët.

    “Në rend të ditës së kësaj seance të jashtëzakonshme është diskutimi në lidhje me synimin e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës. Diskutimi nga kjo seancë ka për qëllim të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbi çështjen e lartshënuar”, thuhet në njoftim.

    Kundër këtij vendimi kanë dalë shtetet e QUINT-it të cilat i kanë kërkuar Kosovës që ta lejojnë mbajtjen e referendumit.

    Thirrje për organizimin e këtij referendumi kanë bërë edhe zyrtarët e BE-së dhe Departamenti Amerikan i Shtetit.

    Më herët, në Kosovë nuk është penguar organizimi i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

    Në grumbullimin e votave për zgjedhjet e Serbisë ka qenë i angazhuar misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!