×
  • Lajme
  • Lajme

    Kuvendi të premtën mbanë seancën e radhës, këto janë pikat e rendit të ditës

    Reporteri
    04 Gusht 2020 | 17:27

    Të premten, më 7 gusht, në orën 10:30, Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë punimet me pikat e mbetura nga seancat e kaluara, përkatësisht votimin e propozim-rezolutave dhe rekomandimeve, ndërsa në orën 11:00, do të mblidhet në seancë të re.


    Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e mbajtur në mënyrë elektronike (virtuale), nën drejtimin e kryetares Vjosa Osmani dhe pjesëmarrje të kryetarëve të grupeve parlamentare.

    “Seanca e re do të fillojë me pikat e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, ndërsa më pas pritet të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së”, thuhet  në njoftimin për media.

    Tutje theksohet se seanca do të vazhdojë me zgjedhjen e dy anëtarëve të Këshillit Gjyqësorë të Kosovës, zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e fakulteteve juridike të Republikës se Kosovës, zgjedhjen e Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, si dhe shqyrtimin e Propozim-Vendimit për caktimin e pagës së drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

    Po ashtu, deputetët pritet të shqyrtojnë edhe kërkesën e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë për miratimin e Buxhetit të këtij komisioni, si dhe atë të GP të Vetëvendosjes për zëvendësimin e anëtarëve në komisione parlamentare.

    Në mbledhjen e sotme, Kryesia procedoi për mendim në qeveri Projektligjin për ndryshimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete, i hartuar nga GP i Vetëvendosjes, si dhe shqyrtoi çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!