×
  • Lajme
  • Lajme / Misioni i pamundur

    Lajçaku e ka të shkruar që të dështojë

    Reporteri
    29 Mars 2024 | 21:09
    I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq

    Diplomatit sllovak Miroslav Lajçak i kanë mbetur edhe pak muaj si ndërmjetues i Bashkimit Evropian në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Lajçak i cili e mori me bujë të madhe ndërmjetësimin e e dialogut mes dy vendeve me telashe të mëdha, me histori të gjatë konflikti, i ka edhe më pak se 6 muaj për ta arritur marrëveshjen historike në mënyrë që të mos mbahet mend si emisar i dështuar, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Në kuadër të rotacionit të madh në postet diplomatike të Bashkimit Evropian nëpër botë, Mirosllav Lajçak, që aktualisht është i dërguari i posaçëm i bllokut evropian për dialogun Kosovë-Serbi, pritet të bëhet ambasador i BE-së në Zvicër, ka raportuar Radio Evropa e Lirë.

    Orë të gjata bisedishmesh, udhëtime të shpeshta nga Brukseli në kryeqytetet, Prishtinë e Beograd, duket një kohë kohë e humbur për BE-në, pasi marrëveshjet e arritura me ndërmjetësimin e tij nuk po gjejnë zbatim në praktinë. Atij iu desh shpesh të kërkonte ndihmën e Shteteve të Bashkuara për të shtyrë përpara pak normalitet në marrdhëniet ndërmjet dy vendve.

    Akuzat për anim kah Serbia

    Ai shpesh u akuzua për qëndrim jo neutral.  Vetë kryeministri Albin Kurti e akuzoi Lajçakun si proserb. Kurti e akuzoi ndërmjetësin evropian të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, se është “pozicionuar” kundër Kosovës.

    Gjatë një konference për media në Prishtinë, Kurti më 18 shtator tha se në rundin e fundit të dialogut, ai “pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi, kundër Marrëveshjes [drejt normalizimit të raporteve në veçanti”, duke iu referuar të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

    Kurti tha se dukej që kishte një koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Lajçakut për, siç tha ai, krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.

    “Ditëve në vijim me siguri që unë do të kem takime me të gjithë faktorët ndërkombëtarë, të cilët kanë pranuar shtetin e Kosovës dhe të cilët dëshirojnë të na ndihmojnë, e të na përkrahin sa i përket shtetndërtimit demokratik, zhvillimit socio-ekonomik, por edhe sa i përket njohjeve ndërkombëtare, e në veçanti normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, e që tash e kemi zgjidhjen: është Marrëveshja Bazike e njohjes së ndërsjellë de-facto”, tha Kurti.

    Emërimi i tij u prit me skepticizëm

    Kur u emërua si ndërmjetës, u prit me shumë skepticizëm nga pala kosovare, meqë ai vinte ndaj një vend që nuk e njeh Kosovën.

    Para se Lajçaku të merrte zyrtarisht detyrën e emisarit, në mars të vitit 2020, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media pati thënë se Lajçak ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

    “Në një nga votat vendimtare që i është premtuar Kosovës në Interpol, në fund e ka mbyll telefonin dhe e ka votuar kundër Kosovës është Mirosllav Lajçak”, tha Thaçi, duke u shprehur i zhgënjyer nga ana e BE-së për emërimin e mundshëm atë kohë të Lajçakut.

    “I kam thanë Lajçakut, në konferencën e sigurisë në Munich: ‘Miku im, kjo do të jetë një punë e mire për juve, por ju nuk mund të arrini marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë. Pikë’”, shtoi ai. Në po të njëjtin muaj, kreu i shtetit të Kosovës, kishte deklaruar se BE-ja ka zero gjasa që ta bindë Serbinë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

    “Nuk shihet as në horizont ndonjë shpresë që BE t’i bindë këto vende që ta njohin pavarësinë e Kosovës e lëre më për ta bindur Serbinë për ta njohur Kosovën, gjasat janë zero, nuk shoh as përpjekje është një rol dëshpërues nga Brukseli”, tha ai.

    Pak kohë më vonë, në maj të vitit 2020, Thaçi kishte thënë se nuk e ka vullnetin që si President i vendit të marrë pjesë në dialogun me Serbinë i cili udhëhiqet nga përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

    Edhe dy ekspertët gjermanë të cilët janë edhe njohës të rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor, Toby Vogel dhe Bodo Weber, thanë atë kohë se do të jetë zgjedhje e tmerrshme, nëse kryediplomati sllovak, Miroslav Lajcak, do të emërohet si emisar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

    Një gjë të tillë dy anëtarët e Democratiaztion Policy Council e kanë thënë përmes një shkrimi të përbashkët në “EUobserver”.

    Sipas tyre nuk do të jetë e mirë që me procesin e negociatave Kosovë-Serbi të merren dy zyrtarë të lartë të BE’së qe vijnë nga shtete të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Lajçak nga Sllovakia dhe Përfaqësuesi i Lartë të BE’së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Josep Borell, që vjen nga Spanja.

    Përveç kësaj, dyshja gjermane thonë se Lajçak në bagazhin e tij politik në Ballkan ka vetëm dështime politike.

    “Së dyti, Lajçak bartë një bagazh serioz politik: një histori të dështimit politik në Ballkan”, thuhet në shkrimin e Vogel dhe Weber.

    Dy ekspertët gjerman i kujtojnë Lajçakut dështimin politik përgjatë kohës sa kishte shërbyer në Bosnje e Hercegovinë dhe humbjen e luftës politike me Millorad Dodikun.

    Kosova dhe Serbia janë në fazën përfundimtare të dialogut gati njëdekadësh, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

    Në korrikun e nxehtë të 2020-ës, delegacioni i Kosovës dhe Serbisë po qëndronin ballëpërballë në tavolinë, të ftuar nga shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell. Palët u kthyen në tavolinën e negociatave gati 2 vite pas ndërprerjes së dialogut, por në mes të tyre nuk ishte edhe i emëruari i posaçëm, Lajçak. Ai bëri gabimin e parë, kur qëndroi në krah të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Çka arriti Lajçak për këto katër vjet?

    Ruajtja e paqes, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, zgjidhja e mosmarrëveshjeve ekskluzivisht me mjete paqësore dhe përmbajtja nga kërcënimet apo përdorimi i forcës janë disa nga pikat e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e arritën një vit më parë në Bruksel, nën ndërmejtësimin e Lajçakut, shkruan Reporteri.net.

    Marrëveshja, kishte për synim që  t’i zgjidhte të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve – nga njohja e simboleve shtetërore deri te të drejtat më të mëdha për komunitetin serb në Kosovë.

    Megjithatë, ajo që ndodhi në terren gjatë vitit të kaluar, ishte gati krejt e kundërta e kësaj: rritje e tensioneve në veri të Kosovës pasi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe morën pushtetin; përleshje mes serbëve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR; sulm i armatosur i serbëve kundër policisë së Kosovës; heqja nga qarkullimi e dinarit serb.

    Njëzetë ditë pasi Kosova dhe Serbia e pranuan marrëveshjen, më 27 shkurt, 2023 – që deri atëherë njihej në opinion si “plani franko-gjerman” – në Ohër u ra dakord për një aneks-dokument për zbatimin e saj.

    Edhe pse nuk u nënshkrua, BE-ja tha se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme dhe se obligimet që dalin prej saj, janë pjesë integrale e rrugës evropiane për Kosovën dhe Serbinë.

    Çka përmban aneksi i Ohrit?

    Pas nënshkrimit të aneksit nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, BE e publikoi përmbajtjen e këtij dokumenti, pikat e të cilit janë:

    Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha Nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.

    Palët kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit do të bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët kanë parasysh se menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe kësaj Shtojce, Ndërmjetësi i BE-së do të fillojë procesin për të ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë për të pasqyruar detyrimet e reja të Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks. Agjenda e Grupit Special të Kosovës për Normalizim do të pasqyrojë në mënyrë të barabartë obligimet e reja të Kosovës që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks.

    Palët bien dakord të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.

    Për të zbatuar nenin 7, Kosova fillon menjëherë negociatat në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për krijimin e aranzhimeve dhe garancive specifike për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të Dialogut të përcaktuara nga ndërmjetësi i BE-së.

    Palët bien dakord të krijojnë një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditëve. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët i Monitorimit.

    Për të zbatuar nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditëve për të krijuar një paketë investimi dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë disbursim nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.

    Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.

    Renditja e paragrafëve të këtij Aneksi nuk e paragjykon renditjen e zbatimit të tyre.

    Kosova dhe Serbia pajtohen që të mos bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve.

    Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

    Kosova dhe Serbia pranojnë se çdo mosrespektim i obligimeve të tyre nga Marrëveshja, ky Aneks ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që ata marrin nga BE-ja.

    Çfarë ndodhi në veri?

    Nga të gjitha pikat e marrëveshjes, deri më tash, u zbatuan vetëm ato që kanë të bëjnë me personat e zhdukur dhe njohjen e targave.

    Në maj të vitit 2023, Kurti dhe Vuçiqi miratuan Deklaratën për Personat e Zhdukur gjatë Luftës në Kosovë, me të cilën palët morën përsipër të lejojnë qasjen në të gjitha dokumentet që posedojnë, përfshirë edhe ato “konfidenciale”.

    Palët, i njohën targat e makinave të njëra-tjetrës. Nga janari i këtij viti, qytetarët e Kosovës nuk i mbulojnë më simbolet shtetërore me “sticker” kur lëvizin me automjete në territorin e Serbisë, dhe anasjelltas.

    Por, çështja e targave shkaktoi një sërë krizash në veri të Kosovës, për shkak të insistimit të Qeverisë që makinat me targa serbe të riregjistrohen me targa të Kosovës.

    Si pasojë, serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri, në nëntor të vitit 2022. Por, në fund të vitit 2023, qytetarët i zëvendësuan targat, ashtu siç kërkoi Qeveria e Kosovës.

    Kalimi në targa të Kosovës ndodhi pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë – fshat në veri të Kosovës. Grupe të armatosura terroriste serbe sulmuan atje policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin e Policisë, Afrim Bunjaku.  Në përleshjet mes Policisë dhe terroristëve,  u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Kosova e akuzoi Beogradin për këtë sulm.  Përgjegjësinë e mori në Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, i cili ishte shpallur “non-grata” nga SHBA-ja.

    Kosova dhe Serbia janë në proces të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

    Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh që atëherë, por jo të gjitha janë zbatuar.

    Mirëpo kjo nuk është puna finale e Lajçakut sepse nuk dihet se çfarë do të sjellin muajt e mbetur të tij si përfaqësues i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi/ Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!