×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Dështoi që pas 5 vajzave të lind djalë, kosovarja akuzon “Global Hospital” për mashtrim

    Reporteri
    15 Gusht 2019 | 18:11

    E dëmtuara A.P, ka deklaruar se pavarësisht pagesave dhe procedurave që ajo dhe bashkëshorti i saj kishin ndjekur, në “Global Hospital”, kishin dështuar që pas pesë vajzave, të bëheshin me djalë.


    Këtë deklarim, ajo e ka bërë në gjykimin që po zhvillohet ndaj mjekes Gjina Zeqiri, infermieres Ilfete Bixhaku, të akuzuara për transplantim të kundërligjshëm dhe trafikimi i organeve dhe qelizave njerëzore , si dhe ndaj Agron Devajës, i akuzuar për zbulim të fshehtësisë zyrtare.

    Përveç A.P, të enjten dëshminë e ka dhënë edhe bashkëshorti i saj, i dëmtuari V.P, si dhe A.J, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    E dëmtuara A.P, deklaroi se në internet është informuar se mund të trajtohet në këtë spital dhe ka shkuar për tu informuar më hollësisht për procedura, ku tha se ishte takuar me doktoreshën Gjina Zeqiri.

    “Kam biseduar me të, ne i kemi pesë vajza dhe kam dashur ta di a ka mundësi për lindje djali në këtë spital, pra të bëj përzgjedhjen e gjinisë. Më ka thënë po se ka mundësi, vetëm me bo pagesën dhe me fillu procedurën”, ka thënë ajo.

    Ajo ia ka dorëzuar gjykatës një kopje fizike të një dokumenti ku ishin të listuara pagesat.

    Ndërkaq, deklaroi se i është nënshtruar trajtimit në dy seanca, ku e para sipas saj, ka dështuar, e me sa i kujtohet ka paguar 35000 euro. Kurse, në seancën e dytë, sipas saj, kanë paguar afërsisht 3300- 3500 euro.

    Ajo ka thënë se në takimin e parë, e akuzuara Zeqiri, i kishte thënë se deri në 95% procedura mund të kryhet me sukses, kurse, sipas saj, ajo kishte thënë se 5% ka gjasa që nuk mund të përfundohet me sukses, ofertë të cilën e dëmtuara tha se e kishte pranuar.

    Kurse, ka thënë se marrëveshje me shkrim me të akuzuarën nuk ka pasur.

    Sipas saj, seanca është paguar veç e veç, ndërkaq ajo ka zgjatur tre javë, ku brenda dy javëve kanë kryer procedurat, kurse në javën e tretë janë informuar se a ka qenë e suksesshme procedura, derisa janë kthyer rezultatet e analizave mjekësore, të cilat u ishte thënë se do të kryhen në Turqi.

    “Gjatë periudhës dy javore, kemi qenë gati çdo ditë në trajtim. Përmes telefonit jemi informuar që ka dështuar seanca e parë, nuk e di me kë kam biseduar, nuk ka pasur arsye më të hollësishme se pse ka dështuar trajtimi, përveç faktit se ka dështuar”, ka thënë ajo.

    Ndërkaq, sipas saj, me sa i kujtohet seancën e dytë e kanë filluar pas një viti dhe ka rrjedhur normal si e para.

    Ajo ka thënë se para se të informohej se edhe kjo seancë ka dështuar, ka kontaktuar me Gjina Zeqirin në zyre të kësaj të fundit, ku i kishte thënë se 100% do të përfundojë me sukses procedura, e dy ditë më pas e kanë lajmëruar se qelizat janë prishur.

    “Seancën e dytë nuk e kemi përfunduar deri në fund. Burri i ka dorëzuar qelizat, edhe në operacion kam hi, kemi qenë në pritje të rezultateve dhe pastaj jemi informuar se ka dështuar. Ky operacion ka pasur të bëj me marrjen e qelizave të mia dhe të burrit. Ka met mangu, me përfundu procedurën time, por kanë dështuar”, ka thënë ajo.

    Prokurorja Bukurije Gjonbalaj, ka pyetur të akuzuarën se a ka pasur kontakt me ndonjë person tjetër dhe cili ka qenë kontakti me ata persona, e dëmtuara më pas ka bërë me gisht nga e akuzuara Bixhaku, duke thënë se kanë kontaktuar me të, ku te ajo kanë bërë pagesat e caktimin e terminit, duke shtuar se e njëjta ka dhënë edhe injeksione.

    Më pas, prokurorja ka pyetur A.P se a e konsideron veten të dëmtuar në këtë çështje penale.

    “Po, plotësisht. Na ka dëmtuar psiqikisht dhe materialisht. Na kanë trajtu shumë keq edhe në operacione, pastërtia u kon ekstrem nën nivel, katastrofë. Poshtë kur na kanë dërguar në operacion, pastërtia u kon zero”, ka thënë ajo.

    Përfaqësuesi i angazhuar nga ana e të dëmtuarës A.P, Enver Ajvazi, ka pyetur të njëjtën se pas dështimeve në kanë pasur kontakte me të akuzuarën Zeqiri.

    “Po, Gjina i ka shkruar burrit tim përmes “Viber”, “nëse don trajtim prapë me bo, mundeni me kontaktu me mu, për momentin nuk gjindem në Kosovë”. Nuk na ka treguar ku gjindet”, tha ajo.

    Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Tahir Rrecaj, mbrojtës i të akuzuarës Bixhaku, e dëmtuara deklaroi se çmimin e pagesës e ka caktuar doktoresha Gjina Zeqiri, si dhe se e njëjta u ka thënë se analizat e saj e të bashkëshortit duhet të shkojnë në Turqi.

    “Seancat e trajtimeve, a kanë qenë të caktuara sa keni qenë në klinikë apo janë caktuar më vonë?”, ka pyetur avokati Rrecaj.

    “Jo, sa kemi qenë në klinikë dhe është caktuar edhe ora. Terminet i kemi bërë në zyre. Aty nuk ka qenë asnjëherë i njëjti person, aty kanë punuar shumë veta. Edhe injeksionet kanë dhënë edhe të tjerat motra, nuk ka qenë vetëm Ilfetja”, ka thënë e dëmtuara.

    Ndërkaq, avokati Valon Hasani, mbrojtës i të akuzuarës Zeqiri, pyeti të akuzuarën se kur thotë termin “seancë”, a përfshihet këtu e gjithë procedura nga fillimi deri në përfundim, ndërkaq e dëmtuara pohoi një gjë të tillë.

    Duke u përgjigjur në pyetjet e tij, ajo tha se te procedura e dytë, e akuzuara Zeqiri, ka thënë se do të jetë e suksesshme, ndërkaq tha se për trajtimin e parë ne fillim të procedurës u ka thënë se 95%, do të ketë sukses.

    Kurse, tha se për trajtimin e dytë nuk ka thënë asgjë deri në përfundim.

    Kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, më pas ka pyetur se meqenëse nuk u ka thënë asgjë për trajtimin e dytë, ku po e nxjerr përfundimin se do të duhej të ishte i suksesshëm 100%, kurse e dëmtuara deklaroi “sepse na ka premtuar herën e parë”.

    “Kur po thoni na ka thënë 95%, si jeni bindur se do të jetë 100% i suksesshëm, a keni pranuar edhe në këtë 95% t’i nënshtroheni trajnimit?”, pyeti gjykatësi Kalludra.

    “Po, unë kam pranuar se më ka thënë se ka pasur shumë X raste që trajtimi ka qenë i suksesshëm. Kemi qenë të vetëdijshëm edhe për atë 5% që trajtimi mund të dështojë”, tha ajo.

    “Na ka garantuar se do të plotësohet dëshira jonë të kemi një djalë, kurse gjatë trajtimit ka dështuar kjo gjë. Procedura e parë ka thënë se ka dështuar për shkak të qelizave të dobëta, ndërsa i dyti sepse ka thënë se janë prish qelizat vezë. Nuk kemi informacion se pse janë prish”, ka deklaruar e dëmtuara.

    Kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, ka thënë se në raportin mjekësor të dorëzuar, rezulton shuma më e lartë se sa e deklaroi e akuzuara gjatë seancës, e ajo shumë është 7075 euro.

    “Po mundet me ndodh se nuk e di sigurt sepse me rastin e deklarimit tim nuk i kam përmend çmimet lidhur me injeksionet”, tha ajo.

    Në fund, e dëmtuara A.P, deklaroi se në klinikë ka pasur edhe shumë gra të tjera që janë trajtuar shumë keq dhe që kanë dështuar.

    Dëshminë e tij, e ka dhënë edhe bashkëshorti i të dëmtuarës A.P, i dëmtuari V.P.

    Ai deklaroi se e akuzuara Zeqiri u kishte bërë një mashtrim për trajtim mjekësor, që tha se me sa i kujtohet kishte ndodhur në vitin 2014.

    “E kemi gjet përmes internetin, ajo na ka bërë premtime. Kemi shkuar se ka provuar për të mbet shtatzënë nuk ka mujt dhe kemi pas dëshirë, një mjek atje e ka njoftë se ka punuar kjo në Zvicër, kam pas dëshirë me bë një kontroll se a ka mundësi me mbet apo jo”, tha ai.

    Sipas tij, kanë pasur dëshirë të bëjnë një fëmijë dhe problem ka qenë se bashkëshortja e tij nuk ka mundur të mbes shtatzënë.

    “Kontakti i parë me të ka qenë në spitalin e saj, në zyrën e saj personale, ia kemi treguar me bashkëshorten problemin tonë edhe ajo na premtoi se do të bëjmë një kontroll dhe sigurisht kjo punë është e kryer”, tha ai.

    Sipas tij, para se të bëhej kontrolli kërkesa e tij ka qenë që t’i lëshohej një dokument si dëshmi që punohet në mënyrë legale.

    “Nuk ma ka dhënë një dokument të tillë, ma ka lëshu një letër që kemi bërë pagesa dhe e ka vulos që kurdo që ke nevojë përgjigjemi është e sigurt. Dëshminë ka thënë ua lëshoj kur kryhet procedura dhe nuk na është lëshuar dokumenti sepse në ndërkohë e njëjta është arrestuar”, tha ai.

    Kur është pyetur se çka ka kërkuar të dijë se a është legale, ai ka thënë se ka dëgjuar gjatë trajtimit nga njerëzit tjerë se e akuzuara Zeqiri kishte pasur probleme me gjykatë.

    Ai tha se nuk kanë pasur njohuri nëse përcaktimi i gjinisë nga ana e mjekut është i ligjshëm apo jo, dhe se e akuzuara Zeqiri u ka thënë se mund të kryhen këto procedura pa problem e se janë të ligjshme.

    Lidhur me shumën monetare, ai deklaroi se nga fillimi janë marrë vesh dhe është bërë pagesa e se shuma ka qenë mbi 7000 euro.

    “Para fillimit të trajtimit e kemi paguar një shumë prej 3500 euro, derisa pjesën tjetër e kemi paguar në mes të procedurave. Kanë qenë disa procedura shumë të gjata, jo injeksione”, tha ai.

    Ai tha se e akuzuara Zeqiri, u kishte premtuar se do të ketë sukses procedura 100%, e se do të kenë djalë.

    “A keni pasur dëshirë të keni një fëmijë apo dëshira ka qenë ekskluzivisht të keni një djalë?”, ka pyetur prokurorja Gjonbalaj.

    “Ka qenë e dyanshme arsyeja pse kemi shkuar. Arsye ka qenë që në bazë të trajtimeve që i bëjmë ne, në bazë të medikamenteve ka thënë se del djalë”, tha ai.

    “Ju gjatë përgjigjes te një pyetje të prokurores, na sqaroni edhe njëherë ndër të tjera thatë se dëshira ka qenë e dyanshme, dmth edhe me pas fmi edhe djalë, na sqaroni edhe njëherë qartë se cila ka qenë arsyeja, a ka qenë e dyanshme a njëanshme?”, ka pyetur kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra.

    “Na kemi shkuar për të pasur një fëmijë, ama premtimi ka qenë ndryshe”, tha ai.

    Kurse, meqenëse e pranishme në sallë ishte ende e dëmtuara A.P, kryetari i trupit gjykues sërish e ka pyetur të njëjtën se cila ka qenë arsyeja e trajtimit mjekësor në këtë klinikë.

    “A ka qenë dëshira që të keni një fëmijë apo një djalë”, ka pyetur ai, kurse e dëmtuara A.P është përgjigjur duke thënë “një djalë”, e se dëshira ka qenë e dy bashkëshortëve.

    Kur është pyetur i dëmtuari V.P, sërish për këtë çështje, ai deklaroi se dëshira e tij ishte për djalë.

    Në këtë seancë ka dhënë dëshminë e tij edhe i dëmtuari A.J, i cili deklaroi se në Zvicër, ku edhe jeton, me bashkëshorten e tij kanë bërë shumë kontrolle dhe janë interesuar për trajtim, mirëpo procedurat atje ishin shumë të shtrenjta.

    “Ka qenë një doktor me prejardhje sllave, na ka propozuar me bë një fekondim vitor në vendet e Ballkanit si në Greqi apo Albani, sepse nuk e dinte dallimin mes Kosovës e Shqipërisë dhe na ka dhënë numrin e Gjina Zeqirit dhe na ka këshilluar të kontaktojmë me të, meqenëse kishte kryer disa studime me të”, ka deklaruar ai.

    I dëmtuari A.P tha se kontakti i parë ka qenë përmes telefonit dhe në spital kanë shkuar përafërsisht në korrik të vitit 2014.

    Ai tha se gjatë trajtimit, e akuzuara Zeqiri u ka treguar në pika të shkurta procedurën me mjekët nga Turqia.

    “Na pat thënë të bëjmë pagesën e parë prej 1000 euro dhe derisa të shtohet numri i pacientëve që të vijnë mjekët nga Turqia, sepse nuk mund të vinin për një numër të vogël të pacientëve, ne duhet të prisnim një kohë derisa të ftoheshim nga klinika”, tha ai.

    Sipas tij, pagesa e parë prej 1000 euro është bërë para fillimit të trajtimit, 4 apo 5 ditë para takimit të parë dhe se kanë qenë të detyruar të bëjmë këtë pagesë në mënyrë që të fillojë procedura e trajtimit.

    I dëmtuari ka thënë se marrëveshje me shkrim nuk kanë lidhur, duke shtuar se ndoshta edhe kanë lidhur, por nuk i kujtohet.

    “Pas pagesës së kësaj shumë, sa më kujtohet kemi filluar trajtimin katër muaj më vonë, në muajin nëntor të vitit 2014. I kemi paguar edhe 1000 euro si herën e parë dhe 500 euro medikamente, barna e injeksione. Vetëm 500 euro i kemi paguar te personi që është në sallë, duke bërë me gisht nga e akuzuara Bixhaku. Kurse, shumën prej 2000 euro në një bankë”, tha ai.

    Tutje, ai tha se vezoret janë marrë nga bashkëshortja e tij.

    “Kam qenë i informuar se vezoret do të merren nga bashkëshortja ime për tu bërë fekondimi me qeliza vezë mashkullore të mia”, tha ai.

    I dëmtuari deklaroi se kjo procedurë nuk është arritur të kryhet sepse ditën e marrjes së vezoreve nga bashkëshortja e tij u është thënë se duhet të pritet përafërsisht 72 orë për të shkuar në spital.

    “Ne pritëm 72 orë, pritëm edhe më shumë, kemi kontaktuar rregullisht në telefon dhe në fund na thanë se policia ka konfiskuar të gjitha”, tha ai.

    Kurse, tha se për qelizat e marra nga bashkëshortja e tij nuk janë të informuar për asgjë.

    Tutje, ai deklaroi se kanë kontaktuar edhe me të akuzuarën Bixhaku, e cila sipas tij, ka qenë si më kryesore aty.

    “Nashta po shprehna keq, ishte rregullisht aty. Na tha se pas pritjes 72 orë duhet me prit edhe pak, dikur janë konfiskuar nga policia”, tha ai.

    Ai e konfirmoi deklaratën e tij në polici, ku kishte thënë se ”Shoqen time e ka thirr Ilfetja dhe ka thënë se qelizat janë dëmtuar dhe nuk keni nevojë me ardh”.

    Tutje, i dëmtuari A.J, ka thënë se ka qenë i njoftuar se nëse qelizat nuk janë të rritura, nuk bëhet tërheqja fare, e nëse janë në rregull bëhet tërheqja e tyre dhe pastaj formimi.

    Ai tha se e akuzuara Zeqiri u kishte thënë se qelizat kanë qenë në rregull dhe është bërë tërheqja e tyre.

    I dëmtuari A.J është deklaruar edhe për kushtet higjienike në këtë spital.

    “Në pjesën ku kemi prit ne, kushtet kanë qenë mesatare, ndërsa në pjesën kur është bërë spemogrami për meshkuj dhe heqja e qelizave kanë qenë kushtet e këqija sepse pastërtia ka qenë nën mesatare”, tha ai.

    Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Rrecaj, mbrojtës i të akuzuarës Bixhaku, ai tha se doktoresha Gjina Zeqiri i kishte informuar se ku e sa duhet të bëhet pagesa.

    I dëmtuari në vijim tha se nuk i kujtohet se çfarë ka punuar e akuzuara Bixhaku në atë spital dhe shtoi se ka qenë edhe një vajzë tjetër që ka punuar aty, ku në krahasim me të, e akuzuara Bixhaku ka qenë më superior.

    “Na thatë që e keni parë më shpesh dhe rregullisht, a kam të drejtë se vetëm për faktin që e keni parë më shpesh Ilfeten kjo ka qenë më kryesorja se ajo tjetra?”, pyeti avokati Rrecaj.

    “Jo, sa herë e kemi pyetur atë tjetrën diçka, ajo na ka udhëzuar te kjo”, tha i dëmtuari, duke shtuar se pyetjet kanë qenë lidhur me procedurën.

    Ky i dëmtuar deklaroi se nuk paraqet kërkesë pasurore juridike, ndërkaq dy të dëmtuarit tjerë A.P dhe V.P kanë paraqitur një kërkesë të tillë.

    Dëshminë e saj e ka dhënë edhe dëshmitarja Blerta Zhuri, e cila deklaroi se në vitin 2012 për disa muaj ka punuar në cilësi të infermieres në “Global Hospital” dhe se nuk e njeh të akuzuarën Bixhaku.

    Ajo ka thënë se epror i saj ka qenë e akuzuara Zeqiri dhe se nga ajo ka marr urdhrat e udhëzimet lidhur me punën.

    “A ju kujtohet kush i ka caktuar çmimet për trajtim mjekësor?”, ka pyetur avokati Rrecaj.

    “Kur ia kam filluar punës, ka qenë e përcaktuar çmimorja dhe nuk e di kush e ka përcaktuar paraprakisht. Ne si infermiere, nuk kemi caktuar dhe nuk jemi çmime”, deklaroi dëshmitarja.

    Ajo ka deklaruar se zakonisht pagesa është bërë përmes llogarisë bankare, dhe rrallë ka ndodhur që të bëhet edhe në formën “cash”, e se kur është bërë në këtë mënyrë, pagesa është bërë te infermierja në prezencë të doktoreshës dhe se është lëshuar fletë-dëshmia.

    “Kur është pagesa është bërë kesh i janë dorëzuar doktoreshës”, tha ajo.

    Tutje, ka thënë se terminet i ka caktuar edhe doktoresha edhe infermierja, e se njoftimin e pacientëve për termine ka ndodhur që e kanë bërë edhe infermieret.

    “Lista jepet nga doktoresha, ne i kontaktojmë”, tha ajo.

    Seanca e ardhshme në këtë rast pritet të mbahet më 18 shtator, me fillim nga ora 13:00.

    Ndryshe, e akuzuara Gjina Zeqiri gjendet në arrati, dhe procedura zhvillohet në prani të mbrojtësit të saj Valon Hasani, duke u bazuar në nenin 8 të Ligjit për Kompetenca të Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së Përfituar.

    Në paragrafin e 2 të nenit 8 të këtij ligji thuhet se “Nëse është ngritur aktakuzë në të cilën ceket pasuria që i nënshtrohet konfiskimit nga neni 241, paragrafi 1., nënparagrafi 9 i Kodit të Ndryshuar të Procedurës Penale, dhe i pandehuri sipas kësaj aktakuze është në arrati apo arratiset, Gjykata në bazë të propozimit të Prokurorit të shtetit mund të vazhdojë procedurën penale nëse: Prokurori i shtetit ka dyshim të bazuar se i pandehuri është në arrati; Vlera e pasurisë që i nënshtrohet konfiskimit është më e lartë se pesëmijë (5.000) Euro; dhe. vazhdimi i procedurës është në interes të drejtësisë. Gjykata merr vendim për vazhdimin e procedurës penale dhe përshkruan arsyet për dyshimin e bazuar që i pandehuri është në arrati, vlerën e pasurisë që i nënshtrohet konfiskimit dhe arsyet se përse është në interes të drejtësisë për të vazhduar procedurën penale. Gjykata cakton ose vazhdon autorizimin e mbrojtësit për të përfaqësuar interesat e të pandehurit.”

    Bashkë me Zeqirin, edhe Ersan Donmez, Handan Namlë gjenden jashtë Kosovës. Në këtë rast procedura zhvillohet ndaj të akuzuarave Zeqiri, Bixhaku dhe të akuzuarit Devaja.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Gjina Zeqiri, Ersan Donmez, Handan Namlë dhe Ilfete Bixhakun i ngarkon me veprën penale ”transplantim i kundërligjshëm dhe trafikimi i organeve dhe qelizave njerëzore”. Ndërsa, Zeqirin, Donmez, Namlë i ngarkon edhe për “trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor”.

    Sipas prokurorisë, Zeqiri, Donmez dhe Namlë, më 13 nëntor 2014, në bashkëkryerje, në klinikën private “Global Hospital”, në “Mati 1”, në Prishtinë, me rastin e trajtimit mjekësor të pacientëve, në sektorin e sterilitetit, nuk kishin përdor masat përkatëse higjienike-sanitare, si dhe nuk kishin përdorë produkte dhe pajisje farmaceutike-medicinale pa banderolë dhe afat të skaduar.

    E akuzuara Gjina Zeqiri, prej vitit 2012 e deri në nëntor 2014, në cilësinë e drejtoreshës në këtë klinikë, nga persona të ndrysh`m, ka shfrytëzuar gjendjen e dobët ekonomike të tyre, me qëllim të transplantimit të qelizave vezore në këmbim të shumave të ndryshme të parave nga të dëmtuarat S.B F.M dhe H.S.

    Këto qeliza, Zeqiri, së bashku me Ersan Donmez dhe Handan Namlë, i kishin transplantuar në disa pacientë të trajtuar në këtë klinikë, dhe në kundërshtim me Ligjin për Shëndetin Riprodhues, kishin bërë përcaktimin e gjinisë të dëmtuarave të cilat kishin qenë të interesuar për pranimin e këtyre qelizave.

    Ndërkaq, e akuzuara Ilfete Bixhaku, me dashje i kishte ndihmuar Zeqirit, duke bërë ndërmjetësim dhe duke kontaktuar me donatorët e vezorëve, duke i udhëzuar për kohën e tretmanit mjekësor dhe duke i njoftuar dhuruesit dhe pranuesit e vezorëve për terminët e spitalit.

    Agron Devaja, akuzohet se më 1 nëntor 2014, në cilësinë e personit zyrtar, pa autorizim, i kishte kumtuar personit tjetër informatën që përbën fshehtësi zyrtare, duke e njoftuar të akuzuarën Zeqiri se kur do të ketë kontroll në klinikën “Global Hospital”.

    Prokuroria, Devajën e ngarkon me veprën penale “zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, nga neni 433 paragrafi 1, të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!