×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Holokausti duhet kujtuar përjetë në të gjithë botën

    Reporteri
    27 Janar 2020 | 10:03

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kujtuar ngjarjen e Holokaustit, ku pati të vdekur miliona persona të popullit hebrenj.


    Kurti përmes një postimi në Facebook ka shkruar se “Ne shqiptarët e dimë, fatkeqësisht, si është të jesh i padëshiruar, etni e dorës së dytë, që mund të përndiqet, dhunohet, shkatërrohet, zhduket, me urdhër nga pushtete e shtete të cilat vrasin një popull në emër të një populli”.

    Ai më tej ka shkruar se holokausti, kjo ngjarje e pakrahasueshme për nga tmerri e dhimbja, ky kulm i poshtëm i aktivitetit njerëzor, duhet kujtuar përjetë, në Izrael e në gjithë botën.

    Postimi i plotë:

    Sot përkujtojmë me dhimbje tmerrin e hebrenjve gjatë holokaustit, me dëshirën që kurrë të mos përjetohen ngjarje të tilla tragjike, as nga hebrenjtë e as nga ndonjë popull tjetër.
    Ne shqiptarët e dimë, fatkeqësisht, si është të jesh i padëshiruar, etni e dorës së dytë, që mund të përndiqet, dhunohet, shkatërrohet, zhduket, me urdhër nga pushtete e shtete të cilat vrasin një popull në emër të një populli.
    Mbase ngjashmëritë në përvoja të dhimbshme historike bënë që para 8 dekadash shqiptarët të ruanin aq sa mundeshin hebrenjtë që jetonin me ta, e të tjerët që përpiqeshin t’i iknin tërbimit nazist. Mbrojtja e viktimave nuk u bë për lavdi, as për falënderim, por thjesht pse ashtu duhet. Ashtu është njerëzorja. Të zbatosh urdhrat e pushtetit kundër asaj çka të thotë ndërgjegjja njerëzore, do të thotë ta shndërrosh veten në makinë – e pasojat e kësaj ishin fatale, në kohën e nazi-fashizmit, por edhe më vonë me gjenocidet afër nesh e te ne, njëherë në Srebrenicë, e pastaj në Reçak, Krushë, Mejë…
    Holokausti, kjo ngjarje e pakrahasueshme për nga tmerri e dhimbja, ky kulm i poshtëm i aktivitetit njerëzor, duhet kujtuar përjetë, në Izrael e në gjithë botën. Në shenjë respekti për mbi 6 milionë viktimat, e në shenjë zotimi që secili nga ne, në hapësirën tonë të vogël e të përditshme, të dënojmë çdo jehonë të mentalitetit politik përjasht!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!