×
  • Lajme
  • Lajme

    Marrëveshja e Washingtonit: Serbia nuk ka ndërmarrë ende asnjë hap drejt zhvendosjes së Ambasadës në Jerusalem

    Reporteri
    08 Prill 2021 | 11:27

    Disa javë më parë Kosova hapi zyrtarisht ambasadën e saj në Jerusalem. Kjo pasoi vetëm pak kohë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit më 1 shkurt 2021.


    Kosova është vendi i tretë pas SHBA-së dhe Guatemalës që hapi misionin e saj diplomatik në Jerusalem.

    Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem u parapa në Marrëveshjen e 4 shtatorit, kur Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

    Në dokumentin e nënshkruar nga Kosova, është paraparë njohja e ndërsjellë me Izraelin, ndërkaq, në rastin e Serbisë, është paraparë zhvendosja e Ambasadës së saj nga Tel Avivi në Jerusalem, gjë që ende nuk ka ndodhur, shkruan Reporteri.net.

    Serbia ende nuk ka ndërmarrë asnjë veprim drejt zhvendosjes së Ambasadës së saj në Jerusalem derisa, menjëherë pas marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, Bashkimi Evropian ishte shprehur i shqetësuar me zotimin e shteti serb për zhvendosjen e ambasadës në Jerusalem.

    Reagime ka pasur edhe nga Ambasadori i Palestinës në Beograd, Mohamed Nabhan, i cili lidhur me zhvendosjen e ambasadës serbe nga Tel Avivi në Jeruzalem, ka thënë se nëse ndodhë kjo, atëherë është në dëm të së drejtës së popullit palestinez në Jeruzalem.

    Nga opozita në Serbi kanë shprehur dyshime nëse kjo mund të ndodh shpejt.

    Ambasadori i Izraelit në Beograd, Jahel Vilan, deklaroi se hapja  e zyrës së Qeverisë së Serbisë në Jerusalem që ishte paraparë të hapej qysh në fund të shtatorit, perceptohet si një hap fillestar drejt zhvendosjes së ambasadës Serbe në Jerusalem.

    “Hapja e ardhshme e zyrës së Qeverisë së Serbisë në Jeruzalem ka rëndësi politike dhe ekonomike. Perceptohet si një hap fillestar drejt zhvendosjes së ambasadës në Jeruzalem “, tha Vilan ditë më parë për mediat serbe.

    Në fund të vitit 2017, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi për vendimin e qeverisë së tij që të njihte Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

    Më këtë, SHBA-ja mori vendim që të zhvendoste edhe Ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.

    Veprimi i SHBA-së nxiti reagime të shumta ndërkombëtare, pasi shumica e fuqive botërore nuk e njohin sovranitetin e Izraelit mbi të gjithë Jerusalemin dhe thonë se statusi përfundimtar i tij duhet të vendoset përmes negociatave për paqe në Lindjen e Mesme. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!