×
  • Lajme
  • Lajme / Votimi i Majit

    Mbretëria e Bashkuar e mbështet pa kushte anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

    Reporteri
    07 Maj 2024 | 15:51

    Mbretëria e Bashkuar ka ofruar mbështetje pa asnjë kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Ambasada Britanike në Prishtinë megjithatë e inkurajon Kosovën që të bëjë gjithçka për të siguruar votat e ministrave të Jashtëm për t’u bërë pjesë e kësaj organizate ndërkombëtare.

    “Mbretëria e Bashkuar mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe po e inkurajon Kosovën të bëjë gjithçka që mundet për të siguruar mbështetjen e nevojshme për një votim të suksesshëm në Komitetin e Ministrave”-, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Britanike për KALLXO.

    Nëse çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës arrin të futet në agjendën e Komitetit të Ministrave në Këshillin e Europës që pritet të mbahet kah mesi i majit, atëherë Kosovës do i duhen ⅔ e votave të ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare.

    Ndryshe nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania kërkon që dorëzimi i projektstatutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese si hap për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

    Pasditen e vonë të 16 prillit 2024, në sallën e madhe të Parlamentit Evropian u arrit të sigurohen votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare, nga të cilat Kosovës i duheshin 2/3 e votave, për të dalë triumfuese nga salla prej të cilës dalin vendime shumë të rëndësishme në fushën e të drejtave të njeriut.

    Nga 171 delegatët që morën pjesë në votim, 131 votuan për, 29 kundër dhe 11 abstenuan, në mesin e shumë debateve me pajtueshmëri e kundërshti. Por, pa dyshim edhe duke u bazuar nga votat edhe nga ajo çka u tha brenda asaj salle ngjyrë të kaltër të mbyllur, Kosova pati më shumë përkrahës sesa kundërshtues.

    Për më tepër, opinioni që u miratua në dy faza kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2012 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe rreth Kosovës. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5.

    Kosova ka aplikuar më 12 maj 2022, për anëtarësim në Këshillin e Europës, me dorëzimin e aplikacionit nga zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!