×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministria e Tregtisë i dha HIB Petrolit grant 50 mijë euro, nuk tregohet se për çka

    Reporteri
    13 Shkurt 2020 | 16:02

    Një lajm i mirë i kishte shkuar kompanisë multi-milionëshe kosovare, Hib Petrol, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në shkurt të vitit 2019.


    Hib Petrol, kompani që qarkullon miliona euro përmes shitjes së naftës, hoteleri dhe gastronomi, ka përfituar vitin e kaluar një grant prej 50 mijë euro nga kjo ministri, por nuk dihet saktësisht se për çka i janë dhënë ato para, shkruan Reporteri.net.

    Reporteri.net ka siguruar listën e plotë të kompanive që kanë përfituar grante nga kjo ministri. Këto mjete janë dhënë për këto biznese përmes një konkursi që kjo ministri, në atë kohë e udhëhequr nga Endrit Shala, i partisë Nisma për Kosovën.

    “Bazuar në Udhëzimin Administrativ (MTI) nr. 01/2018 për ndarjen e mjeteve financiare nga kategoria ekonomike e subvencioneve dhe transfereve, dhe me qëllim të ngritjes së kapaciteteve prodhuese, shpallim thirrje të hapur për përkrahjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme për blerjen e makinerisë prodhues.

    MTI-KIESA do të mbështes në subvencionim me mjete financiare ndërmarrjet sipas kategorive të tyre, si në vijim:

    –              Për ndërmarrjet mikro (të punësuar 1 deri 9 punëtor) vlera totale e granteve do të jetë 360,000.00 EUR. Vlera maksimale që mund të përfitoj një ndërmarrje mikro është deri në 75% e vlerës së makinerisë ose në vlerë financiare deri në 20,000.00 EUR;

    –              Për ndërmarrjet e vogla (të punësuar 10 deri 49 punëtor) vlera totale e granteve do të jetë 240,000.00 EUR. Vlera maksimale që mund të përfitoj një ndërmarrje e vogël është deri në 50% e vlerës së makinerisë ose në vlerë financiare deri në 30,000.00 EUR;

    –              Për ndërmarrjet e mesme (të punësuar 50 deri 249 punëtor) vlera totale e granteve do të jetë 100,000.00 EUR. Vlera maksimale që mund të përfitoj një ndërmarrje e mesme është deri në 50 % e vlerës së makinerisë ose në vlerë financiare deri në 50,000.00 EUR.”, thuhej ndër të tjera në thirrjen për aplikim të kësaj ministrie.

    Hib Petrol, sipas kësaj thirrje dhe listës së përfituesve është në kategorinë e tretë, pra “Për ndërmarrjet e mesme (të punësuar 50 deri 249 punëtor)”. Sipas shpjegimit, projekti duhet të jetë 100 mijë euro e ndërkaq vlera mbështetëse nga shteti është 50 % e shumës, e në këtë rast i bie 50 mijë euro.

    Sipas thirrjes në fjalë, grantet jepen me qellim të rritjes së kapaciteteve prodhuese.

    Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka disa javë që ka pritur përgjigje nga të dy palët se për çfarë e ka fituar këtë grant, kompania Hib Petrol, që kryesisht merret me shitje të naftës dhe shërbime gastronomie e hotelerie.

    Ne ju kemi dërguar pyetje edhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë e po ashtu edhe HIB Petrol, por për disa javë asnjëra palë nuk është përgjigjur.

    Ne do të insistojmë edhe në ditët në vazhdim të kërkojmë përgjigje se për çfarë projekti bëhet fjalë. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!