“Ngjitej rrugës përpjetë me serbë” – Rrëfimi i istogasit për shqiptarin e dyshuar për masakrën e Izbicës

Në vitin 1999, në fshatin Izbicë të komunës së Skenderajt, forcat e armatosura serbe kishin vrarë e masakruar 150 civilë kosovarë. Një prej të dyshuarve për këtë masakër, është edhe M.A. (emër i njohur për redaksinë), nga fshati Kërrninë i Istogut, i cili është arrestuar të martën. Por si u arrestua ai dhe çka thonë istogasit që e kishin njohur qysh prej kur ishte fëmijë?


Express sjell detaje nga ky rast

Në familjen A., të dielën kishte festë. U kthye djali i madh, i cili s’e kishte shkelur pragun e shtëpisë ku ishte rritur, tash e 23 vite.

Por, mungesa e tij aty, nuk ishte e zakonshme, ani se duket se gjatë viteve sa ishte larg e kishte “harruar” arsyen e ikjes, e ishte kthyer si të mos kishte ndodhur asgjë.

Ai kishte ikur si 26-vjeçar nga fshati ku ishte rritur, bashkë me forcat paramilitare serbe, me të cilat dyshohet se ishte pjesëmarrës në masakrën e Izbicës, ku u vranë e u masakruan 150 kosovarë të pafajshëm.

E postimeve të familjarëve të cilët kishin publikuar fotografi të tij, duke i uruar mirëseardhje 23 vjet pas kthimit në shtëpi, ua pa hairin policia, duke çuar kështu në arrestimin e M.A.

Ai u arrestua nën dyshimet se ka qenë pjesëmarrës në masakrën e Izbicës, dhe ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Një banor i Istogut, (emër i njohur për redaksinë), ka deklaruar për Gazetën Express se e njeh M. A. qysh prej fëmijërisë.

“E kam njohur prej kur ka qenë fëmijë. Familjarisht kanë jetuar në mes shqiptarëve dhe serbëve. Por këta, raportet i kanë pasur më shumë me serbë”, ka deklaruar ai.

Ai ka treguar se si M.A. ishte larguar për disa muaj nga shtëpia, e më pas ishte kthyer përsëri.

“Ka shkuar në një fshat në Drenicë ku i ka dajat, në kohë të luftës ka qëndruar atje diku 4-5 muaj, nuk e di saktë kohën sa ka qëndruar, e në atë kohë kanë hy vëzhguesit e edhe familja e ky janë kthyer këtu. Ky në njëfarë forme është zhdukur, është bashkuar me paramilitarët serbë”, ka deklaruar ai.

Istogasi thotë se në kohën kur kishte ndodhur masakra e Izbicës, e kishte parë M.A. në mesin e serbëve, dhe kishte arritur ta identifikonte pasi e njihte shumë mirë.

“Kur ka ndodhur masakra e Izbicës unë nuk kam qenë fort largë, vetë i treti kam qenë, kur ka ardhë me serbë të Kërrninës është ngjitur në një rrugë përpjetë, i kemi parë, normal që e kam njohur dhe e njoh ende, por kishte ndryshuar shumë tash pas 23 vjetësh, sepse ai ka ikur për Serbi me forcat serbe”, ka deklaruar ai.

Ai ka treguar se gjatë kohës kur M.A. po jetonte në Serbi, familja e tij ka qëndruar në fshatin Kërrninë.

“Të dielën në mbrëmje është kthyer në Kërrninë, në Facebook e kanë postuar familjarët që ai ka ardhur, kanë shkruar “mirë se erdhe pas 23 vjetësh në shtëpi”, por tash i kanë fshirë ato. Familja e tij ka jetuar këtu çdo herë”, ka deklaruar ai.

E për arrestimin e M. A. kanë lajmëruar sot organet e rendit në Kosovë.

Polica e Kosovës në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se të martën është arrestuar një person i dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile.

“Fsh. Izbicë, Skenderaj (1998-1999) NN. Me 30.03.2021 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti gjatë kohës së lartë cekur ka kryer veprën penale të lartë cekur. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

Sot gjatë ditës për këtë rast është deklaruar edhe Prokuroria Speciale e Kosovës.

“Prishtinë, 31 mars 2021 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin se është ndaluar një (1) person me inicialet M.A., për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, në shkelje të nenit 142 të Kodit Penal të ish RSFJ si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, po ashtu e dënueshme edhe me nenin 146 të KPRK-së. Prokuroria Speciale njofton se M.A. i nacionalitetit shqiptar, shtetas i Republikës së Serbisë, dyshohet se ka marr pjesë në masakrën e Izbicës, gjatë luftës në Kosovë”, ka bërë të ditur prokuroria.

Po ashtu, prokuroria ka njoftuar se i dyshuari do të paraqitet para gjyqtarit të procedurës paraprake, brenda afateve ligjore.

Ndryshe, të dielën e 23 marsit janë bërë 22 vjet nga masakra në Izbicë të Skenderajt, në të cilën po dyshohet të ketë qenë pjesëmarrës edhe M.A.

Në këtë masakër u vranë 150 kosovarë, në mesin e tyre edhe fëmijë, gra e pleq.

E gjitha kjo, nën akuzën se ishin terroristë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ani pse të gjithë ishin civil të pambrojtur e të paarmatosur.