×
  • Lajme
  • Lajme

    Osmani: Të kesh Kosovën në KiE është fitore për të drejtat e njeriut

    Reporteri
    29 Mars 2024 | 14:39

    Presidentja Vjosa Osmani ka falënderuar të gjithë ata që po e përkrahin Kosovën në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

    Ajo në një postim në X, thotë se pranimi i Kosovës në KiE është fitore për të drejtat e njeriut.

    “Faleminderit të gjithë anëtarëve të Asamblesë së APKE-së që po na mbështesin në këtë kauzë. Të kesh Kosovën në Këshillin e Evropës do të ishte një fitore për të drejtat e njeriut”.

    Republika e Kosovës të mërkurën e ka kaluar me sukses votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

    Me 31 vota për, 4 kundër dhe 1 abstenim, Komisioni për Çështje Politike e ka miratuar opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, e cila e rekomandon Këshillin e Evropës që ta ftojë Kosovën për t’u bërë anëtare.

    Pas këtij votimi në Strasburg, çështja procedon në Asamblenë Parlamentare më 18 prill dhe nëse merr miratimin edhe në këtë institucion, atëherë fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës gjatë një mbledhjeje që do të mbajë në muajin maj.

    Kosova ka aplikuar në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    Anëtarësimi i Prishtinës është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!