×
  • Lajme
  • Lajme

    Pas krerëve të shtetit, Escobar mbledh në takim liderët e partive opozitare

    Reporteri
    19 Tetor 2022 | 12:41

    I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar pas takimeve që kishte sot në orët e mëngjesit me krerët e shtetit, pritet të takojë sot edhe krerët e partive opozitare.

    Gazeta Online Reporteri.net nga burime përbrenda partive opozitare merr vesh se takimi do të zhvillohet në ora 13:30 në Rezidencën e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

    Në takim prezent do të jenë të tre liderët e partive opozitare, – Memli Krasniqi i PDK’së, Lumir Abdixhiku i LDK’së dhe Ramush Haradinaj i AAK’së – dhe ky do të jetë takimi i tyre i dytë i përbashkët me Escobar, pas një darke pune që kishin me emisarin amerikan gjatë muajit gusht.

    Escobar në adresimin për media që kishte pas takimit me Osmanin e Kurtin ka thënë se qëllimi i vizitës së tij në Kosovë, është për të shprehur mbështetjen e SHBA-së për aspiratat euroatlantike të Kosovës.

    Ai e ka quajtur Kosovën një aleate shumë të mirë të SHBA-së dhe mike të mirë.

    “Qëllimi i vizitës është për të shikuar mënyrën e bashkëpunimit me një aleate shumë të mirë dhe mike të mirë. Është miqësi e partneritet i bazuar jo vetëm në interes të përbashkët, por edhe në ndarjen e vlerave të njëjta. Kam dëshirë të shprehi mbështetjen e vazhdueshme amerikane për aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe solidaritetin për Kosovën në këtë kohë krize”, ka thënë Escobar.

    Në anën tjetër edhe kryeministri Kurti, edhe presidentja Osmani kanë theksuar se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive në dialog dhe e përkushtuar për intensifikim të procesit. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!