×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeveria kollapsoi, tani çfarë?

    Reporteri
    23 Gusht 2022 | 14:53
    Kryetari i Lëvizjes Qytetare "URA" në Mal të Zi, Dritan Abazoviç

    Autor: Xhezair Dashi


    Koalicioni “e zeza mbi të bardhë” që udhëhiqej nga kryeministri Dritan Abazoviç kollapsoi më 19 gusht pas mocionit të sukesshëm të mosbesimit të inicuar nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.

    Mali i Zi tashmë është pa qeveri funksionale, dhe krejt kjo si pasojë e marrëveshjes kontraverze që Abazoviç ia vuri nënshkrimin bashkërisht me kryehierarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.

    Këtë marrëveshje, përveç kundërshtimit të brendshëm, Abazoviç e nënshkroi edhe përkundër tërheqjes së vërejtjes nga ambasadorët e QUINT-it në Podgoricë.

    Shtyerja para e kësaj marrëveshje, argumentonin ambasadorët perëndimorë, do të shkakonte përçarje të reja socio-politike, dhe në mënyrë të konsiderueshme do të ngadalësonte hapat mëse të domosdoshëm të Malit të Zi drejt BE-së.

    E pikërisht për shtyerjen para të agjendës evropiane, DPS e Millo Gjukanoviç i kishte dhënë votat e mjaftueshme për të krijuar qeverinë e pakicës ish-kryeministrit Abazoviç.

    Për pasues të Abazoviç si kryeministër të ri, mediat malazeze e përfolën “një personalitet të njohur nga sektori i organizatave jo qeveritare” ndonëse nuk e përcaktuan me emër.

    Megjithatë, Fronti Demokratik i bllokut pro-serb, që njëherit është edhe partia e dytë më e madhe parlamentare mohoi se do të mund të pranojnë ndonjë figurë jopartiake të jetë kryeministër teknik apo i përkohshëm i Malit të Zi.

    “Ky është një tjetër eksperiment në të cilin grupacioni ynë politik nuk do të përfshihet”, tha deputeti i DF-së, Jovan Vuçuroviç për të përditshmen “Pobjeda”.

    “Vetëm kur të pajtohen rreth ofertës ose platformës dhe t’ia dërgojnë DF-së, ne do të mund të dalim me një deklaratë”, tha ai.

    DF vazhdon të konsiderohet si parti që nuk e ka mbështetjen amerikane. Para disa muajve, zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit i ngarkuar me çështje të rajonit, Gabriel Escobar në një intervistë për “Vijesti”-n, tha se ShBA nuk e konsideron DF-në partnere.

    “Qëndrim i tyre ndaj NATO-s dhe pavarësisë së Kosovës janë problematike”, kishte pohuar Escobar.

    Përveç kësaj, ShBA DF-në e shihte edhe si nxitës të përçarjeve etnike.

    Edhe shefi i grupit parlamentar të SNP-së, gjithashtu i bllokut pro-serb, Drugan Ivanoviç, tha se ideja për formimin e një qeverie teknike, e cila përfolet të udhëhiqet prej një figure jopartiake, “është propozim që vjen nga kuzhinat mediale”.

    “Më duket se Vijesti është veçanërisht e interesuar ta shtyejë atë tregim përpara, që të mos ketë nevojë për zgjedhje”, tha ai.

    Ndërkaq Aleksa Beçiç, lideri i demokratëve gjithashtu të bllokut pro-serb, dhe ish-kryeparlamentari malazez, i cili iu bashkua iniciativës së DPS-së për votën e mosbesimit, tha se në asnjë mënyrë nuk do të  hyjnë në koalicion me DPS-në e Gjukanoviçit.

    Tre opsione, tha ai, ekzistojnë për daljen nga kriza aktuale.

    “E para është të respektoj [rezultatin zgjedhor] të 30 gushtit, të ulemi në tryzë dhe së bashku me partitë minoritare të pajtohemi për legjislacionin e 44-të, e cila, për aq sa na takon neve, mund të zgjasë deri më 2024”, tha Beçiç.

    “E dyta është që të kemi një qeveri të përkohshme, e cila do të shërbente si parapërgatitëse për zgjedhje të reja”.

    “E treta, është të shpallim zgjedhje të menjëhershme”, tha ai.

    Pyetur nëse ai do të mund ishte kryeministër i ri, Beçiç u përgjigj shkurt se “funksionet janë tranzitore”.

    Demokratët e Aleksa Beçiç u kritikuan nga blloku pro-serb për komplot dhe marrëveshje të përbashkët me DPS-në për rrëzimin e Abazoviç, e që si pasojë ai do të mund të merrte postin e kryeministrit të ri, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.

    Partitë pro-serbe janë kundërshtar të ashpër të partisë kryesore sovraniste të Malit të Zi, atë të presidentit Millo Gjukanoviç.

    I gjithë diskursi politik i tyre konsiston në akuzimin e DPS-së dhe në konkurrencë me atë se kush është kritik më i ashpër ndaj tyre.

    DPS, në anën tjetër, mebetet blloku kryesor pro-malazez. Ata për herë të parë në afro 30 vite ranë nga pushteti më 20 gusht 2020.

    DPS e Gjukanoviç njihet për marrëdhëniet tejet të tensionuara me politikën e Beogradit si dhe Kishën Ortodokse Serbe, të cilit kishin rol kyç instrumental në rrëzimin e tyre nga qeveria.

    Krejt kjo pas një ligji të inicuar më 2019 nga Millo Gjukanoviç në lidhje me Liritë Fetare, të cilën Kisha Ortodokse Serbe e konsideronte si përpjekje për ta barazuar me fetë e tjera, dhe nën lajtmovitin se 80% e shoqërisë malazeze janë ortodoksë.

    Në anën tjetër, Mali i Zi është shtet me karakter sekular dhe pretendi më e afërt për anëtarësim në BE deri më 2025.

    Në anën tjetër, Parlamenti Evropian në disa rezoluta të miratuara kohëve të fundit, Kishën Ortodokse Serbe e ka shënjuar si një nga përçueset më të mëdha të narrativave ruse dhe atyre anti-evropiane.

    Përveç kësaj, specifikohet dukshëm roli i tyre në përzierjet e çështjeve të brendshme politike dhe nxitjen e urrejtjeve dhe përçarjeve etnike./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!