×
  • Lajme
  • Lajme / I kërkuar nga INTERPOL-i

    Rasti i kryeshefit të KRU Gjakovës, Tahiri: Skandal ndërkombëtar, në një shtet normal Qeveria do të shkonte në shtëpi

    Reporteri
    28 Mars 2024 | 12:50

    Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri e ka quajtur skandal  të rëndë arrestimin e Hasan Krasniqit, kryeshef i KRU Gjakovës nën dyshimin për trafikim me njerëz, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Tahiri tha se është edhe më skandaloze mosmarrja e përgjegjësisë për këtë rast. Sipas deputetit të PDK-së në një shtet normal, Qeveria duhet të shkonte në shtëpi për një skandal të tillë.

    Ai ka kritikuar ashpër Ministren, Artane Rizvanolli e cila tha po sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë, ndonëse janë arrestuar tre kryeshefa të ndërmarrjeve publike, duke përmendur këtu edhe rastin e Nagip Krasniqit e Faruk Mujkut.

    “Qysh është e mundshme që një ministre si ministrja Rizavanolli i arrestohen tre kryeshefa a të ndërmarrjeve publike. Njëri prej tyre për kontrata njëburimore, pra Nagip Kransiqi, pastaj kryeshefi I Ibër-Lepencit, Faruk Mujku dhe pastaj e kemi edhe shefin e KRU Gjakovës që është rasti më eklatant, rasti më i tmerrshëm që na ekstradohet një zyrtar i shtetit të Kosovës në Itali. Dëgjoni për këtë të fundit, në një shtet normal Qeveria duhet me shku në shtëpi, jo ministrja. Me tu arrestu zyrtari i shtetit që e ke zgjedh në një shtet tjetër, me t’u ekstradu në Itali, mu marre më vike edhe me fol, për këtë çështje. Marre më vike edhe me e ngrit këtë çështje. Me tu ekstradu në një vend tjetër dhe me vazhdu krejt normal një Qeveri punën, a e dini more çfarë skandali është ky. A e dini qysh e hupë kredibilitetin legjitimitetin. Qysh munesh me nejtë ,mos me tu dridhë qerpiku, me pasë komoditetin me ardhë në seancë me i mbrojtë politikat e qenërisë kur tu ka ekstradu zyrtari, prej një shteti në shtetin tjetër. Kjo është çmenduri. A e dini çfarë skandali ndërkombëtar është kjo, njeri është arrestu për trafikim të qenieve njerëzore, ka qitë njerëz jashtë me pare, është zyrtar i shtetit që ju e keni emëru kryeshef. Kjo është skandal dhe vjen ministrja rri sikur nuk ka ndodhur asgjë. Rrijnë rehat. Është marre e madhe me vazhdu ma tutje ju, besoni është marre edhe për botën. Le që jeni bo horë mrena, por edhe  jashtë”, tha Tahiri në seancën e Kuvendit.

    Kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, është arrestuar në Bullgari, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore.

    Arrestimi i Krasniqit, për të cilin kishte raportuar ekskluzivisht gazeta online Reporteri.net, ka ndodhur  me 19 shkurt 2024. Ai u kap nga autoritetet bullgare me t’u futur në Bullgari, derisa me familje po udhëtonte për pushime përmes kufirit me Maqedoninë e Veriut. Kjo pasi, ish-kandidati i LVV-së për asamblenë Komunale të Gjakovës rezultoi se kërkohet ndërkombëtarisht nga Italia për trafikimin e njerëzve.

    Atij, një gjykatën e qarkut bullgare, më 22 shkurt 2024, i ka caktuar masën e paraburgimit, deri në vendosjen rreth kërkesës së autoriteteve italiane për ekstradimin e tij në Itali.

    Dyshimet janë se Krasniqi, që ka në pronësi edhe një kompani transporti udhëtarësh me autobus nga Gjakova drejt vendeve të Evropës, dyshohet se përmes saj ka kontrabanduar njerëz me dokumente të falsifikuara. Rrjedhimisht, sipas autoriteteve italiane, 57 vjeçari nga Gjakova është i implikuar në tri vepra të ndryshme penale.

    Italia urdhër-arrestin ndaj Krasniqit e kishte lëshuar një muaj para arrestimit, më 16 janar 2024.

    Njeriu i VV’së, kryeshef në KRU “Gjakova” arrestohet në Bullgari – kishte urdhërarrest ndërkombëtar për trafikimin e njerëzve

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!