×
  • Lajme
  • Lajme / Reagime

    Rohde: Arrestimi i zyrtarëve policorë nga një shtet kandidat për BE, i papranueshëm – kjo duhet të përfundojë menjëherë

    Reporteri
    18 Prill 2024 | 12:17

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka dënuar ndalimin e  pesë policëve të Kosovës nga autoritetet e Serbisë.

    Ai ka thënë se depërshkallëzimi duhet të ndodhë tani, derisa ka shtuar se veprimi i Serbisë është i papranueshëm dhe jo diçka që mund të pritet nga një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Rohde ka thënë se kjo duhet të përfundojë menjëherë dhe se presim që politikanët serbë të ngrisin zërin për bashkëqytetarët e vet.

    “Depërshkallëzimi tani! Ndalimi i zyrtarëve të zbatimit të ligjit të Kosovës, përfshirë serbë, nga autoritetet e Serbisë është i papranueshëm dhe sigurisht jo diçka që mund të pritet nga një vend kandidat për BE. Kjo duhet të përfundojë menjëherë dhe ne presim që politikanët serbë të ngrisin zërin për bashkëqytetarët e vet”, ka shkruar Rohde në “X”.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sipas informacioneve të fundit, katër zyrtarë policorë të Kosovës, që po mbaheshin në Rashkë të Serbisë, janë liruar dhe i ndaluar vazhdon të mbetet vetëm zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq.

    Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se zyrtarët policorë ishin ndaluar në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Merdarë, Dheu i Bardhë e Jarinjë, si dhe në një pikëkalim kufitar mes Serbisë dhe Kroacisë.

    “Zëvendësdrejtori i policisë vazhdon të mbahet në burg në Serbi”, tha Kurti, duke iu referuar Jankoviqit.

    Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë në një reagim ka thënë se Jankoviq është dërguar në mbajtje në Rashkë. /Reporteri.net/

    Kurti: Janë liruar katër nga pesë policët e ndaluar në Serbi

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!