×
  • Lajme
  • Lajme / Opozita

    Çitaku: Memli Krasniqi ka pasur kontakte me Vetëvendosjen për ta shpërndarë Kuvendin

    Reporteri
    30 Prill 2024 | 23:18
    Vlora Çitaku, PDK

    Sekretarja e Përgjithshme në PDK, Vlora Çitaku, deklaroi se kryetari i partisë, Memli Krasniqi, ka pasur kontakte me të gjitha subjektet politike, edhe me Vetëvendosjen, për ta shpërndarë Kuvendin e Kosovës.

    Mirëpo, siç u shpreh Çitaku, “fatkeqësisht edhe në këtë pikë, sikurse edhe në shumë çështje të tjera, Lëvizja Vetëvendosje diçka tjetër thotë publikisht, e diçka tjetër mendon dhe beson”.

    Çitaku tutje shtoi se partia e saj beson që brenda këtij viti, më së largu në vjeshtë, do të kemi zgjedhje të reja në Kosovë.

    “Ne nuk jemi këtu për protagonizëm. Jemi munduar që të kemi konsensus. Ne duam që të gjitha partitë opozitare të jenë në dakordancë për datën eventuale të zgjedhjeve të reja. Vendi ka nevojë për zgjedhje, kaq e thjeshtë është. Kuvendi është bllokuar , nuk votohet asgjë”, theksoi ajo.

    Çitaku foli edhe për draftin e Asociacionit, për të cilin tha se parasheh autonomi territoriale dhe politike për serbët.

    Ajo kritikon kryeministrin Kurtin, që sipas saj, ka pasë mundësi që një draftstatut të tillë ta shkruante shefi i qeverisë.

    Por sipas saj, i pari i qeverisë ka refuzuar që të bëjë një gjë të tillë.

    “Falë sjelljes aventureske te kryeministrit Kurtit në një marrëveshje të përkohshme jo gjithëpërfshirëse, jo me njohjen reciproke në qendër, por me nenin 7 i cili më shumë se Asociacion është një autonomi territoriale dhe politike për serbët që jetojnë në Kosovë”, u shpreh Çitaku në Rubikon të Klan Kosovës.

    “Është draftstatuti i cili është prezantuar, te ky draftstatut kemi ardhur për shkak të qasjes joserioze të kryeministrit Kurti karshi dialogut. Sikur kryeministri Kurti të kishte marr iniciativën që draftstatutin ta shkruante vet, sepse një ofertë e tillë ka ekzistuar, madje administrata amerikane ka qenë e gatshme që të sjellë në Kosovë edhe ekspertët më të njohur ligjorë që të asistojnë Kosovën në hartimin e draftstatutit të Asociacionit, fatkeqësisht një kërkesë e tillë është refuzuar”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!