×
  • Lajme
  • Lajme / Dialogu

    Gashi: Kosova mbi 5 herë i kërkoi Serbisë ta nënshkruajë marrëveshjen në Bruksel

    Reporteri
    30 Prill 2024 | 21:41

    Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Liza Gashi, u bëri thirrje qytetarëve, pa dallim etnie, që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe diasporës.

    Kosova e nisi këtë proces më 5 prill dhe ai pritet të zgjasë deri më 17 maj.

    Sipas Gashit deri tani janë regjistruar rreth 300 mijë pjesëtarë të diasporës në kuadër të platformës e-diaspora si dhe falë regjistrimit fizik.

    “Po është e vërtetë që Kosova për herë të parë ka filluar regjistrimin e popullsisë dhe pjesëtarëve të diasporës jashtë vendit. Brenda këtyre ditëve sa ka filluar procesi, që ka filluar në datën 5 prill dhe do të vazhdojë deri në 17 maj, ne kemi rreth 300 mijë pjesëtarë të diasporës të cilët janë regjistruar në kuadër të platformës e-diaspora dhe regjistrimi fizik. Kështu që, për fillimet e para, ky proces është duke vijuar shumë mirë dhe synimi jonë është që të gjejmë forma të informojmë qytetarin tanë brenda dhe jashtë vendit rreth procesit dhe rëndësisë së procesit sepse është një proces shumë i rëndësishëm dhe jetik për Republikën e Kosovës sepse me një format përcakton politikat tona për 10 vitet e ardhshme. Si qeveri e Republikës së Kosovës jemi shumë të fokusuar që të gjitha politikat që ndërtojmë për të ardhmen të jenë të bazuara në të dhëna dhe këto të dhëna na kanë munguar për një kohë jashtëzakonisht të gjatë, sidomos në fushën e diasporës, që është një prej dikastereve i ndërlidhur me Ministrinë e Punëve të Jashtme”, tha ajo.

    E pyetur nga Zëri i Amerikës lidhur me thirrjet e Listës Serbe për bojkotim të procesit nga ana e qytetarëve të komunitetit serb, zonja Gashi tha se regjistrimi po vijon normalisht në çdo cep të territorit të vendit dhe se deri tani sipas saj, autoritetet nuk kanë ndeshur në rezistencë.

    “Regjistrimi i popullsisë për shtetasit e Republikës së Kosovës është i detyrueshëm me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, prandaj ne i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa marrë parasysh etninë që të jenë pjesë e regjistrimit të popullsisë. Në këtë drejtim, unë kam informacione nga Agjencia e Statistikave të Republikës së Kosovës që regjistrimi po vijon në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës dhe për të gjitha minoritetet në Republikën e Kosovës. Prandaj nuk e shoh shumë sfidues, përkundrazi shfrytëzoj rastin edhe një herë t’i ftoj qytetarët, të gjithë minoritetet në Kosovë që të jenë pjesë e regjistrimit, sepse regjistrimi është i përgjithshëm, është për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim domethënë etnie kështu që është shumë e rëndësishme që ata të jenë pjesë e regjistrimit, sepse këto të dhëna realisht janë për të dizajnuar politika më të mira për jetën e tyre në vendin tonë”, tha Gashi.

    Dje Kancelari gjerman Olaf Scholz gjatë një bisede me kryeministrin Kurti theksoi rëndësinë e ndërmarrjes së hapave konkretë nga autoritetet e Kosovës për themelimit e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Komentet vijnë vetëm pak javë nga një votim i mundshëm në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Këshillit të Europës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Gashi foli edhe për këtë aspekt.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës ka luajtur një rol shumë konstruktiv në kuadër të dialogut me Serbinë. Në këtë dialog ne kemi një marrëveshje e cila është e obligueshme për të dyja anët, prandaj ne si qeveri e Republikës së Kosovës kemi kërkuar nga pala serbe mbi 5 herë që ta nënshkruajë këtë marrëveshje dhe të kemi një plan të sekuencimit për të zbatuar marrëveshjen. Fatkeqësisht pala serbe deri tani jo vetëm që nuk ka zbatuar marrëveshjen më andej mendoj që pala serbe deri më tani ka shkelur disa herë marrëveshjen”, tha Gashi.

    Prandaj, tha ajo, kërkesa jonë e vetme në kuadër të këtij rrugëtimi është që marrëveshja të zbatohet në tërësi, nga artikulli i parë deri në artikullin e fundit dhe nuk do të duhej të kishte artikull të veçantë i cili i jepet përparësi karshi të gjithë marrëveshjes.

    “Kështu që në këtë drejtim ne presim që përmes ndërmjetësuesve të kemi një trajtim të barabartë, por edhe të shohim domethënë edhe pjesën e shkeljes të marrëveshjes. Rasti i Këshillit të Evropës është rasti më i mirë për të parë se si pala serbe e ka shkelur marrëveshjen dhe pala serbe duhet të japë llogari për shkeljen e marrëveshjes, në kuadër të këtij drejtimi. Ne si Republikë e Kosovës besojmë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe avancimi i Kosovës…Asambleja Parlamentare që ka qenë faza e dytë e këtij procesi ka dhënë një verdikt shumë të qartë, kemi 131 parlamentarë që kanë dhënë votën pro për anëtarësimin e Kosovës sepse besojmë që në 75 vjetorin e jubilesë së Këshillit të Evropës, Kosova si vend i 47 në kuadër të Asamblesë do të ishte një lajm shumë i mirë për demokracinë, një lajm shumë i mirë për kontinentin e Evropës, por mbi të gjitha, një mundësi për të pasur qasje tek drejtësia evropiane”, tha Gashi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!