×
  • Lajme
  • Lajme

    Sekretarin e shkarkuar të MI-së, Hykmete Bajrami e pati implikuar në vjedhjen e 2 milionëshit në Thesar

    Reporteri
    03 Mars 2021 | 17:24

    Emrin e Izedin Bytyqit ditëve të fundit e keni dëgjuar shpesh. Ai të hënën u shkarkua nga detyra e sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, për tu kthyer një ditë më pas nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës, e për tu shkarkuar sërish sot nga ministri në detyrë Arban Abrashi, shkruan Reporteri.net.


    Për t’u nxjerrë Bytyqi nga ish-zyra e tij u kërkua ndërhyrja e Policisë, por që as këta nuk bënë zgjidhje, derisa sekretari i shkarkuar vetë u largua nga objekti i MI-së, në qendër të Prishtinës, pasi tha se e përfundoi orarin e punës.

    Por, emri i Izedin Bytyqit ishte përmendur edhe një njërin prej skandaleve më të mëdha financiare të Qeverisë së Avdullah Hotit, vjedhjen e dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

    Labinot Gruda, zyrtar i Thesarit të Kosovës, do ta kishte të pamundur të kryente vjedhjen e 2.1 milionë eurove, sikur në Ministrinë e Infrastrukturës, të mos ishte neglizhuar një njoftim që do duhej t’i dërgohej Thesarit, i cili ende nuk dihet nëse është bërë me qëllim apo pa të.

    Kështu të paktën kishte pretenduar ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami në ditën kur ishte zbuluar vjedhja e vitit që lamë pas.

    Gruda dyshohet se kishte përdorur ‘userin’ e një zyrtari të Ministrisë së Infrastrukturës për t’i çertifikuar pagesat, zyrtar ky që nuk punonte në këtë ministri prej nëntë muajsh.
    E fajtor sipas ish-ministres Bajramit, që llogaria e këtij zyrtari ishte e ende aktive edhe nëntë muaj pasi ai nuk punonte në këtë ministri ishte sekretari tashmë i shkarkuar, Izedin Bytyqi, shkruan Reporteri.net.

    Bajrami në një intervistë në T7, e pati shpjeguar në detaje se si Labinot Gruda, dyshohet se e ka kryer vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Kosovës.

    Ajo ka bërë të ditur, se Gruda me përvojë 11 vjeçare në punën e tij, ka qenë përgjegjës për të krijuar ‘usera’ (llogari) për zyrtarët tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës, dhe për të kryer vjedhjen e 2.1 milionë eurove, ka kishte krijuar ‘usera’ fiktiv, të cilët më pas i kishte përdorur vetë, duke kryer procedurat administrative për porosi dhe pagesa përmes tyre.

    Por, pavarësisht përdorimit të këtyre llogarive fiktive që i kishte krijuar vetë, Gruda nuk do të mund t’i transferonte paratë në llogarinë e LDA Group, sikur mos të mund t’i certifikonte pagesat përmes një llogarie të një zyrtari në Ministrinë e Infrastrukturës. Edhe këtu, Gruda e kishte bërë certifikimin vetë, pasi në këtë rast i kishte thyer pasëordin këtij zyrtari, i cili prej nëntë muajsh nuk punonte në MI, por që zyrtarët e kësaj ministri nuk e kishin njoftuar Thesarin se kolegu i tyre më nuk punonte aty, dhe që llogaria duhej të i mbyllej.

    Ministrja Bajrami pati thënë se në rrethana normale, kur Gruda i ka ristartuar pasëordin zyrtarit të MI-së, atij do të duhej t’i shkonte një njoftim me email, dhe sikur ai të ishte duke punuar në MI, nuk do ta alarmonte situatën.

    Por, ai meqë nuk ka qenë duke punuar në MI, nuk ka pasur mundësi as ta shohë këtë email njoftues, që shkon në formë automatike.

    I dyshuari Labinot Gruda, sipas ministres pati përdorur emrin e këtij zyrtari që para 9 muajsh ka lënë punë në MI.

    Atëkohë e pyetur se përgjegjësi e kujt ka qenë njoftimi, ajo kishte thënë që i bie Izedin Bytyqit.

    Bytyqi u bë sekretar në MI kur në krye të ketij institucioni erdhi Lumir Abdixhiku.

    “Në vijë me vlerësimin e performancës së Izedin Bytyqi, sekretar i përgjithshëm në ish-ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, kërkoj nga ju pëlqimin për ricaktimin e tij në pozitën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit”, ka thënë para kabinetit qeveritar ministri Abdixhiku në shkurt të vitit 2020, shkruan Reporteri.net.

    Papërgjegjësia e MI-së nuk përfundon këtu. Sipas saj, ky rast do te duhej të lajmërohej më herët në thesar nga zyrtari financiar kryesor dhe drejtori i buxhetit në Ministrinë e Infrastruksturës.

    Transferi i 2 milionëshit nga Thesari i Shtetit kishte ndodhur më 9 tetor, ndërsa lajmi tek Ministia e Financave nga Ministria e Infrastrukturës kishte shkuar më 20 tetor.

    Labinot Gruda është zyrtar që ka punuar 11 vite në thesar dhe është i dyshuari kryesor për këtë transfer.

    E Izedin Bytyqi, në një konferencë për media, ku prezet ishte edhe ministri i kësaj ministrie, Arban Abrashi, i pati quajtur dezinformata pretendimet e ish-ministres-Bajrami.

    “Ministrja Hykmete Bajrami me siguri është e dezinformuar. Këtë informatë nuk e ka prej ministrisë sonë, por kushedi se kush ja ka dhënë, dhe tash njerëzit për me e hjekë përgjegjësinë, japin edhe informata të pasakta te ministrja. Ky zyrtari Fadil Fazliu, me aktemërim është zyrtar çertifikues në Ministrinë e Infrastrukturës, prej datës 11 janar 2020 është i trasferuar si ushtrues i detyrës në Njësinë e Patentshoferëve në Mitrovicë. Pra, është punëtor i Ministrisë së Infrastrukturës, dhe jo punëtor i Komunës, ose drejtor në Komunë, siç e kishin dezinformu ministren Bajrami. Ai në çdo kohë mund të kthehet ta ushtrojë detyrën, ashtu siç e ka me aktemërim”, pati thënë Bytyqi./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!