Shkaku i pandemisë COVID-19, ‘Epopeja e UÇK-së’ këtë vit shënohet ndryshe

Manifestimi “Epopeja e UÇK-së”, këtë vit do të shënohet më ndryshe se herëve të tjera, shkaku i pandemisë COVID-19.


Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se në kazermën “Adem Jashari” të FSK-së në Prishtinë do të mbahet manifestimi qendror dhe parada e FSK-së, për nder të 23-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Manifestimi mbahet më 5 mars 2021 (ditë e premte) në kazerëm „Adem Jashari“ në Prishtinë, duke filluar nga ora 1200. Në manifestim do të marrin pjesë: U.D. së presidentit të Kosovës, znj. Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, z. Abdullah Hoti, ministri i Mbrojtjes, z. Anton Quni, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ministra dhe zv. ministra në detyrë, stafi diplomatik, përfaqësues të KFOR-it, Ekipit Këshillues Ndërlidhës të NATO-s (NALT), atashe ushtarak, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, ushtarë dhe oficerë të FSK-së. Me fjalë tematike do të paraqiten: U.D. presidentja e Kosovës, znj. Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë z. Abdullah Hoti, përfaqësuesi i familjes Jashari dhe i veteranëve të luftës së UÇK-së”, thuhet në njoftim.

Manifestimi për Epopenë e UÇK-së mbahet nën organizimin e Qeverisë të Republikës së Kosovës.

Manifestimi “Epopeja e UÇK-së“, më 5 mars, do të jetë manifestim i tipit të mbyllur për shkak të pandemisë COVID-19, dhe për këtë Ministria e Mbrojtjes ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët.