Ish-kryeministri Pandeli Majko, me anë të një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale ka reaguar pasi nuk ka arritur të marrë mandatin e deputetit, teksa ishte renditur i 19-ti në listën e Tiranës ku PS siguroi 18 mandate dhe me 8766 votat preferenciale në emër të tij nuk ka arritur të thyejë herësin.
Në mesazhin e tij Majko shpreh mirënjohjen për ata që e mbështetën, duke nxjerrë në pah se është një ndër 10 kandidatët më të votuar në kryeqytet.
Statusi i Pandeli Majkos:
Miq, megjithëse matematika më rendit në 10 kandidaturat e votuara në qarkun e Tiranës, në zgjedhjet e 25 prillit, unë nuk do të jem deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Sistemi elektoral është ky që kemi pranuar. Përvoja më ka mësuar se duhet të jesh i gatshëm të shohësh atë që ekziston.
Isha i bindur se do ti fitonim 19 mandate në Tiranë. Ndaj fushatën për numrin tim personal 19 e kalova në plan të dytë. Edhe për këtë arsye, rezultati nuk është një përrallë që e mposht me logjikë.
Ju falenderoj që votuat për numrin 12, Partinë Socialiste!
Sic do të thoshte im atë ndjesë pastë,… “19-ta kërkon leje për tu ulur në aeroport!” Ju jam mirënjohës që më bëtë ky që jam.
Shpresoj tu kem dhënë “everything”! Mirupafshim!
Pandi
Tiranë 30 Prill 2021