×
  • Lajme
  • Lajme

    Siç edhe pritej: Gazetari adhurues i Kurtit “ia zbulon” një lidhje Escobarit me Serbinë

    Reporteri
    19 Nëntor 2022 | 11:31

    Enver Robelli, që njihet si një përkrahës i kryeministrit Albin Kurti, në postimin e tij të fundit në Facebook, ia ka “zbuluar” një lidhje me Serbinë, zëvendës-Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, njëherit i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor i SHBA-së, Gabriel Escobar, shkruan Reporteri.net.

    Ndërsa ka shkruar për biografinë e William Montgomery, ambasadorit të fundit të SHBA-ve në Jugosllavi, të cilin e lidh fort me Serbinë, gazetari Robelli thotë se para dy dekadave Escobar ishte vartës i tij.

    Sipas Robellit, pas largimit nga posti i ambasadorit në vitin 2004, Montgomery nisi të kultivojë raporte të ngushta me palë të dyshimta apo të diskutueshme dhe të mbajë miqësi me figura kontraverse të rajonit, si dhe lavdëroi radikalët e Sheshelit, e mori pjesë në përvjetorin e dytë të themelimit të Partisë Përparimtare Serbe (Srpska Napredna Stranka), e drejtuar nga Tomisllav Nikoliqi dhe Aleksandar Vuçiqi.

    Robelli ndërsa e ‘zbulon’ lidhjen Escobar-Montgomery, thotë se ish-ambasadori Montgomery më 2010 tha se vrasja e Zoran Gjingjiqit nuk ka prapavijë politike, dhe sipas tij u angazhua për ndarjen e Bosnjës, si dhe e kishte quajtur gabim bombardimin e Serbisë më 1999.

    Tutje gazetari shton se sipas revistës “Vreme”, akuzat e Montgomeryt kundër Gjukanoviqit dhe Gjingjiqit nga Beogradi në Zagreb i barti diplomati amerikan Gabriel Escobar.

    “Qëllimi i diskreditimit të Gjukanoviqit ishte pengimi i shpërbërjes së Jugosllavisë së përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi. Para dy dekadave Escobar ishte vartës i Montgomeryt. Tani ai ushtron një funksion tjetër: është i ngarkuar për Ballkanin i Departamentit të Shtetit, me fokus në Kosovë, Serbi dhe Bosnjë”, shkruan Robelli, duke tentuar kështu të gjejë lidhjen sipas tij që ka Escobar me Serbinë, shkruan Reporteri.net.

    Kjo nuk është hera e parë që nga eksponentë të VV-së dhe servilë të Kurtit, sulmohen zyrtarët amerikanë dhe i lidhin me Serbinë.

    Një gjë e tillë kishte ndodhur edhe në vitin 2020, ku ish emisarin amerikan, Richard Grenell, njëherit ish-këshilltar i ish-presidentit Donald Trump, nga zyrtarë e aktivistë të Vetëvendosjes, ishte cilësuar si njeri i afërt me Serbinë.

    Sulme ndaj Grenell kishte adresuar edhe Kurti që e kishte akuzuar për përfshirjen në krizën politike që po kalonte Kosova.

    Dhe këto akuza ndaj zyrtarëve të lartë amerikan kinse për lidhje me Serbinë, vijnë zakonisht në kohën kur kryeministri Albin Kurti ‘acaron’ raportet me Amerikën, siç është dhe rasti i fundit, ku nuk po i dëgjon për çështjen e targave.

    Më poshtë lexoni të plotë postimin e gazetarit Enver Robelli:

    Sipërmarrësi amerikan…

    …kështu titullohet një shkrim hulumtues i revistës së pavarur serbe „Vreme“, i botuar më 18 nëntor 2010, pra si sot para 12 vitesh. Autore e tekstit është gazetarja e njohur Jovana Gligorijeviq, e cila është shquar edhe si kritike e fushatave antishqiptare të establishmentit medial dhe politik të Beogradit.

    Sipërmarrësi amerikan është William Montgomery, ambasadori i fundit i SHBA-ve në Jugosllavinë e përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi. Ai shërbeu në Beograd mes nëntorit të vitit 2000 dhe shkurtit 2004. Kjo ishte një periudhë vendimtare në politikën serbe. Katër javë para se Montgomery të merrte postin e ambasadorit, ishte rrëzuar nga pushteti Sllobodan Millosheviqi. Më 11 mars 2003 ishte vrarë kryeministri properëndimor serb Zoran Gjingjiq.

    Pas largimit nga posti i ambasadorit në vitin 2004, Montgomery nisi të kultivojë raporte të ngushta me palë të dyshimta apo të diskutueshme dhe të mbajë miqësi me figura kontraverse të rajonit.

    Në një intervistë dhënë një gazete bulevardeske serbe, Montgomery më 2010 tha se vrasja e Zoran Gjingjiqit nuk ka prapavijë politike. Kjo ishte një deklaratë e çuditshme pasi që vrasësit e Gjingjiqit dhe përkrahësit e tyre janë të gjithë persona nga politika dhe strukturat e sigurisë të Serbisë, shumica me lidhje të ngushta me Rusinë.

    Pas intervistës, Montgomery mori pjesë në shënimn e përvjetorit të dytë të themelimit të Partisë Përparimtare Serbe (Srpska Napredna Stranka), e drejtuar nga Tomisllav Nikoliqi dhe Aleksandar Vuçiqi pas largimit të tyre nga Partia Radikale e Vojisllav Sheshelit.

    Sipas revistës “Vreme”, Montgomery që në vitin 2007, në kolumnen e tij „Shikim nga Cavtati“ (Cavtati është qytet kroat afër Durovnikut), i lavdëroi radikalët e Sheshelit duke konstatuar se ata „në shtatë vitet e fundit pak a shumë janë sjellë në mënyrë demokratike“. Një lëvdatë shumë e çuditshme për një parti raciste e ultranacionaliste të prirë nga një kriminel lufte.

    Në një intervistë për gazetën “Danas” më 25 tetor 2010, Montgomery u angazhua për ndarjen e Bosnjës, pastaj për një televizion të Sarajevës tha se “shpërbërja e Bosnjë-Hercegovinës është e pashmangshme”.

    Më 2006 bashkëshortja e Montgomeryt u emërua “dekane e Akademisë për diplomaci dhe siguri” në Beograd. Pronar i kësaj “akademie” është Orhan Dragash, i lindur në Prizren, i cili nga mediat serbe citohet si “ekspert i sigurisë”. Kombet e Bashkuara e patën akuzuar Orhan Dragashin për shkelje të embargos kundër Liberisë duke kontrabanduar armë.
    Në pranverë të vitit 2019 Dragash ka deklaruar se ndryshimi i kufijve të Kosovës është zgjidhja e vetme reale duke theksuar se kjo ide nuk është e imponuar nga jashtë, duke aluduar se autorët e idesë gjenden në Beograd dhe Prishtinë.

    Montgomery, ndërkaq, nga pozita e ish-ambasadorit amerikan në Beograd ka theksuar se bombardimi i Serbisë më 1999 ka qenë gabim dhe se realiteti që u krijua pastaj “ishte i ndryshëm nga ai që dëshironte Washingtoni zyrtar”. Ky është interpretimi i tij.

    Pas sulmit rus kundër Ukrainës, Montgomery deklaroi se është ironike që Kosova iu mor Serbisë me dhunë dhe kundër Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. “Por ne po e mbrojmë Ukrainën për shkak se Rusia po provon të bëjë të njëjtën gjë në Ukrainë (si Perëndimi në Kosovë)”. Këso gjepurash proruse dhe proserbe flet Montgomery. Siç shkruante “Vreme” më 2010 për të kuptuar (jo mirëkuptuar) deklaratat e Montgomeryt duhet ndjekur gjurmët e parave.

    Një ndër kapitujt më interesantë dhe më të errët të biografisë diplomatike të Montgomeryt është miqësia e tij me Ivo Pukaniqin, pronar i revistës kroate “Nacional”.

    Sipas hulumtimeve të revistës “Vreme”, Montgomery për të penguar pavarësinë e Malit të Zi filloi ta furnizojë Pukaniqin me informata delikate mbi përfshirjen e liderit malazez Millo Gjukanoviq në tregti me cigare. Njëkohësisht në një fejton të “Nacionalit” të Zagrebit për përzierje në tregti ilegale me cigare u akuzua edhe Zoran Gjingjiqi. Ivo Pukaniq u vra në tetor të vitit 2008 në Zagreb.

    Sipas “Vreme” akuzat e Montgomeryt kundër Gjukanoviqit dhe Gjingjiqit nga Beogradi në Zagreb i barti diplomati amerikan Gabriel Escobar. Qëllimi i diskreditimit të Gjukanoviqit ishte pengimi i shpërbërjes së Jugosllavisë së përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi. Para dy dekadave Escobar ishte vartës i Montgomeryt. Tani ai ushtron një funksion tjetër: është i ngarkuar për Ballkanin i Departamentit të Shtetit, me fokus në Kosovë, Serbi dhe Bosnjë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!