×
  • Lajme
  • Lajme

    Situatë e qetë në veri, rrugët vazhdojnë të jenë të bllokuara

    Reporteri
    11 Dhjetor 2022 | 10:00
    Rudarë, Zveçan. 11 dhjetor 2022. Foto: REL

    Mëngjesi i së dielës është i qetë në veri të vendit, por rrugët vazhdojnë të jenë të bllokuara.

    Kështu i tha Radios Evropa e Lirë, drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti.

    Për situatë të qetë raportojnë edhe gazetarët e REL-it nga terreni.

    KFOR-i dhe EULEX-i janë duke e monitoruar situatën. Ndërsa pak njerëz shihen aktualisht në barrikadën në Rudarë të Zveçanit.

    Gjatë ditës së shtunë (dje) u raportua për barrikada në disa komuna veriore, shkëmbim zjarresh mes bandave kriminale serbe e policëve të Kosovës si dhe shpërthime të tjera e sulme edhe ndaj gazetarëve që po raportonin nga vendi i ngjarjes.

    Kryengritjet e para ditën e shtunë filluan me grumbullimin e qytetarëve serbë në Rudarë, në afërsi të Zveçanit, të cilët kundërshtonin arrestimin e Dejan Pantiq, pjesëtar i policisë serbe. Ky i fundit u arrestua pasi dyshohet për sulm ndaj qendrave të KKZ’së në Mitrovicë të Veriut, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Edhe pasi u kumtua lajmi për shtyrje të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Veri, qytetarët serbë nuk u ndalën. Ata filluan me bllokim të rrugëve përmes ngritjes së barrikadave.

    Policia e Kosovës bëri të ditur se pjesëtarë të komunitetit serbë kanë vendosur automjete dhe mjete të rënda në rrugë nacionale të komunave të Leposaviçit, Zveçanit dhe Zubin Potokut.

    Kjo e detyroi Policinë e Kosovës që t’i mbyllë për qarkullim pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

    U raportua se serbët po përdornin kamionë të cilët i kishin pranuar si donacion nga BE’ja si barrikada për bllokim rrugësh.

    Policia e Kosovës njoftoi se njësitet policore, në afërsi të Ujmanit, në vetëmbrojtje janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri disa personave/grupeve kriminale, të cilat janë zmbrapsur dhe larguar në drejtim të panjohur.

    Po ashtu bazuar në informacionet e siguruara nga njësitet policore në terren, të shtëna me armë zjarri u dëgjuan edhe në disa lokacione të tjera.

    Ekipe të gazetarëve e gjetën vetën në rrezik, teksa po raportonin për situatën në Veri. Ata u sulmuan me shok-bomba nga persona të identifikuar. Nuk pati të lënduar nga këto shpërthime. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!