×
  • Lajme
  • Shqipëria / Tragjedia në Shkodër

    Rinisin kërkimet për gjetjen e trupave të nënës dhe dy fëmijëve që dyshohet se u mbytën në lumin Buna

    Reporteri
    06 Maj 2024 | 9:53

    Polumbarët e RENEA-s kanë rinisur kërkimet për gjetjen e trupave të gruas bashkë me dy fëmijët e saj, të cilët dyshohet se janë mbytur në lumin Buna në Shkodër, transmeton Repoteri.net.

    Siç raportojnë mediat në Shqipëri, pritet që të ketë një mobilizim total me trupa shtesë nga Forcat e Armatosura në kuadër të kërkimeve intensive për gjetjen e trupave.

    Ndryshe, e gjithë kjo tragjedi dyshohet se ka ndodhur si pasojë e dhunës së ushtruar nga bashkëshorti i gruas, Ergys Arazi, i cili është arrestuar nga Policia e Shtetit.

    Alma Arazi dyshohet se bashkë me vajzat 9 dhe 6-vjeçare, si dhe djalin 3-vjeçar janë mbytur në lum.

    Gjatë ditës së djeshme, një peshkatar ka hasur në trupin e pajetë të 9-vjeçares, teksa nuk ka shenja për gjetjen e viktimave tjera.

    Në momentin e arrestimit Ergys Arrazi nuk ka dhënë shpjegime. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur që të enjten, në datën 2 Maj. Një ditë më pas, të premten, Ergys Arrazi bëri denoncim në polici, ku deklaroi se gruaja dhe 3 fëmijët janë larguar nga banesa, por pa dhënë detaje për ndonjë sherr të mundshëm.

    “Gjatë kontrolleve, rreth orës 22:00 të datës 04.05.2024, në ujërat e lumit Buna, në fshatin Darragjat, u gjet trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare të shtetasve Erdgys Arrazi dhe Alma Arrazi, e cila dyshohet se është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj”, njoftoi policia.

    Policia ka njoftuar se në trupin e 9-vjeçares, e cila u gjet e pajetë në lumin Buna nuk janë konstatuar shenja dhune.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!