×
  • Lajme
  • Lajme

    Tre më të votuarit e PDK-së dhe ata që dështuan të bëhen deputetë

    Reporteri
    27 Tetor 2019 | 16:05

    Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, është i treti në Kosovë për nga numri i votave që ka marrë. Ai ka marrë 146 mijë vota krahasuar me Vjosa Osmanin e cila ka më shumë se 165 mijë ndërsa i pari Albin Kurti ka mbi 185 mijë.


    Ndërkohë, në PDK i dyti është Ministri aktual i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

    Zëvendëskryetari i PDK-së ka marrë 28 mijë e 169 vota. Dhjetë mijë vota më pak ka kandidati tjetër, Mërgim Lushtaku, i cili ka marrë 18 mijë e 440 vota.

    Bazuar në të dhënat e siguruara nga KQZ-ja dhe Qendra e Numërimit dhe Rezultateve jashtë listës së deputetëve mbetet Fadil Nura, i cili ka gati 9 mijë vota. As onkologu Ilir Kurtishi s’ka hyrë në Parlament. Ai ka marrë 8 mijë e 516 vota.

    Nënkryetari Xhavit Haliti, i njohur më së shumti me deklaratën e tij, se secili kosovar ka nga dy-tre milionë euro, s’ka arritur të bëhet deputet. Nuk dihet pse njeri prej themeluesve të PDK’së ka dështuar të bëhet deputet.

    Kryetari i Degës së PDK-së në Pejë ka marrë vetëm 8 mijë e 252 vota. Renditet i treti në listën e atyre që kanë dështuar të bëhet deputet.

    Shaqir Totaj ka shënuar edhe një humbje në garën para qytetarëve. Pasi s’ka arritur të bëhet Shef i Prizrenit, ai s’ka arritur të hyjë në Parlament. Ka marrë vetëm 8 mijë 11 vota.

    Keq me vota ka dalë edhe Hajdar Beqa, Kryetar i Degës së PDK’së në Gjakovë. Ai ka dështuar të bëhet deputet. Ka marrë vetëm 7 mijë e 999 vota.

    Ka dështuar edhe Idriz Vehapi, i cili do të mbetet vetëm profesor në UP. Ish-Kryetar i Rahovecit ka marrë vetëm 7 mijë e 958 vota.

    Këto të dhëna i ka siguruar Express në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe nga Qendra për Numërimin e Rezultateve.

    PDK, për herë të parë prej pasluftës, doli e treta dhe ka vendosur të mbetet në opozitë. Ka qenë në pushtet prej vitit 2007, kur kishte fituar garën elektorale. Në dy mandate ka pasur pozitën e Kryeministrit ndërsa në dy mandatet e fundit ka qenë në pushtet por Shefi i Qeverisë ishte i partive tjera.

    Kadri Veseli ka thënë se do të vazhdojë të mbetet në krye të PDK’së dhe s’ka dhënë asnjë shenjë se mund të largohet nga udhëheqja e Partisë.

    PDK kishte përfunduar zgjedhjet partiake para zgjedhjeve derisa ende s’ka emëruar as Nënkryetarët dhe as Kryesinë. Vazhdon të funksionojë vetëm me Kryetarin në detyrë dhe Këshillin Drejtues.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!