×
  • Lajme
  • Lajme

    Uk Lushi: VV-ja direkt ose indirekt ka pasur dorë ne vdekjen e Astrit Deharit dhe zhdukjen e provave

    Reporteri
    09 Dhjetor 2022 | 16:53

    Veprimtari shqiptar në ShBA, Uk Lushi, konsideron se Lëvizja Vetëvendosje, në një mënyrë ose në tjetrën, është fajtore për vdekjen e Astrit Deharit dhe zhdukjen e mostrave në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    Lushi tha se VV, përpos që ka dorë në vdekjen e Deharit, me zhdukjen e mostrave të tij, ia ka dhënë “gozhdën e fundit” kësaj tragjedie, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Më vjen shumë keq për familjen e nderuar Dehari. VV e ka keqpërdorur dhe po vazhdon ta keqtrajtojë këtë familje. Siç ja keqpërdoroi djemtë. VV, ndoshta edhe direkt, indirekt gjithësesi, ka pasë dorë në vdekjet e tyre dhe ka dorë në zhdukjen e provave për rastin e Astritit. Dhe sot ndërsa janë në pushtet VV duket që po ia japin edhe gozhdën e fundit tragjedisë së familjes Dehari duke humbur mostrat dhe provat për rastin e Astritit”, tha Lushi.

    Sipas Lushit, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duhet të japë dorëheqje. Kjo, thotë ai, është më e pakta që VV mund të bëjë për familjen Dehari.

    “Ministrja e padijshme Haxhiu, e cila e fshikullon kamxhkikun për dorëheqje gati për çdo njeri që është në pozitë shtetërore, sa herë ka krime apo dështime, duhet pa asnjë mëdyshje të japë dorëheqje menjëherë, nëse ka vetëm një gram nder dhe ndjeshmëri për familjen Dehari. Kjo është më e pakta që VV dhe pushteti duhet të bëjnë për familjen Dehari dhe sidomos vajzën e Astritit, tash për tash”.

    Ministria e Drejtësisë (MD) ka njoftuar se janë pezulluar nga puna katër zyrtarë në Institutin e Mjekësisë Ligjoret (IML), pas dyshimit për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit në këtë institut.

    Ndërkaq, Naim Uka, që mbante pozitën e zëvendësdrejtorit në Institutin e Mjekësisë Ligjore, sot ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje. /Reporteri.net/.

    Postimi i tij:

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!