×
  • Lajme
  • Lajme / E fundit

    Vdes gruaja që u plagos mbrëmë nga gjuajtjet me armë në Prishtinë

    Reporteri
    27 Mars 2024 | 11:21

    Ka vdekur në QKUK gruaja e cila u plagos mbrëmë gjatë konfrontimit të dy grupeve në rrugën “Jeronim de Rada” në Prishtinë, ku një person mbeti i vdekur.

    Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, shefi i intensivës në QKUK, Shaqir Uka.

    “Fatkeqisht nuk ka arritur t’i përballojë plagët që ka marrë nga lëndimi dhe ka ndërruar jetë sot në ora 10:45”, tha Uka për Reporteri.net.

    Lidhur me rastin, nga Prokuroria Themelore e Prishtinës kanë thënë për Gazetën Online Reporteri.net se të plagosur kanë mbetur edhe tre persona, njëri prej tyre në gjendje më të rëndë shëndetësore.

    Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gëzhoja, veturë e prova të tjera materiale. Të dyshuarit ende nuk janë kapur dhe po kryhen hetime në drejtim të identifikimit të tyre.

    “Lidhur me rastin e vrasjes së rëndë, ju njoftojmë se prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe bashkë me njësitë relevante kanë ndërmarrë veprime hetimore në vendin e ngjarjes. Sipas hetimeve preliminare dyshohet se nga të shtënat me armë zjarri është vrarë një person, ndërsa tre persona të tjerë janë plagosur dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ku njëri prej tyre e ka gjendjen me të rëndë shëndetësore. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gëzhoja, veturë e prova të tjera materiale të cilat do të shërbejnë në procedurën penale.

    Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, derisa në koordinim me policinë po zhvillohen hetime për arrestimin e të dyshuarve dhe sigurimit të prezencës së të njëjtëve në procedurën penale”, ka thënë për Reporteri.net zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

    Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës thuhet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e konfrontimit të dy grupeve, ndërsa dy persona si të dyshuar janë në kërkim.

    “Prishtinë 26.03.2024-21:20. Dyshohet se pas një konfrontimi në mes të dy grupeve ka ardhur deri tek gjuajtja me armë zjarri, ku si pasojë një mashkull kosovar ka vdekur, ndërsa një femër kosovare është plagosur dhe e njëjta është dërguar në QKUK. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njesitet përkatëse policore. Lidhur me rastin dy të dyshuar meshkuj kosovarë janë në kërkim policor. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë dërgohet në IML. Rasti nën procedura hetimore”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!