×
  • Lajme
  • Lajme / Ndryshumi i licencës

    ZRRE i heq obligimin KOSTT-it për mbulimin e humbjeve të energjisë elektrike në veri

    Reporteri
    29 Janar 2024 | 13:00

    Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka miratuar kërkesën e KOSTT-it për ndryshim/modifikim të licencës, kjo pas nisjes së faturimit të energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës.

    Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT), ka kërkuar nga ZRRE fshirjen e nenit 5 në licencë, nen ky që obligonte KOSTT-in të mbulojë humbjet e energjisë elektrike në katër komunat në veri të Kosovës.

    Ymridin Misini nga ZRRE ka paraqitur këtë kërkesë të KOSTT-it para bordit të këtij institucioni.

    “ZRRE në janar të 2024 ka pranuar nga KOSTT kërkesën për ndryshim të licencës, respektivisht për lirimin nga obligimi për mbulimin e humbjeve të energjisë në veri. Elektroserveri është licencu nga ZRRE për furnizimin me energji në katër komunat veriore. Me datë 01.01.2024 KOSTT ka njoftuar se furnizuesi Elektrosever ka filluar të dorëzoj në KOSTT sistemin për menaxhimin e tregut , nominimet fizike dhe kontaktuale për të gjithë konsumatorët. Ndërsa në anën tjetër përmes nenit 5, KOSTT është i obliguar që të mbulojë humbjet andaj KOSTT kërkon largimin e obligimit për mbulimin e humbjeve, respektivisht të fshihet neni 5″- tha ai.

    Kryetari i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, tha se me fillimin e faturimit të energjisë elektrike në katër komunat në veri, përfundon obligimi i KOSTT-it për mbulimin e humbjeve të energjisë elektrike.

    “Ky obligim që ka qenë për KOSTT, përfundoi pasi që deri tash ka qenë barrë për të. Por duhet të theksohet se rregullatori me vendosjen e obligimit i ka lejuar edhe mjetet për të” – tha ai.

    Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT) njoftoi se nga 1 janari i vitit 2024, në katër komunat në veri të Kosovës ka nisur të regjistrohet energjia elektrike e shpenzuar. /Kallxo/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!