…dhe, në një moment, në një ditë të mugët dimri, kur filloi fundi i firmave piramidale, Maksude Kadëna, e njohur si Sudja, doli në ballkonin e banesës së saj, thjesht ngriti krahët para kreditorëve të saj, para qytetarëve të mashtruar dhe u tha se nuk kam më paratë tuaja…
Disa nga protestat e para qytetare në Shqipëri më 1997, përkundër “popular belief”, nuk kanë ndodhur kundër firmave piramidale, por, përkundrazi, në mbrojtje të këtyre firmave kundruall shtetit që po i mbyllte ato. P.sh., në janar 1997, qytetarët e dogjën Lushnjën për shkak të arrestimit të njërit prej bosëve të firmave piramidale, Rapush Xhaferrit.
Njerëzit që ishin kredhur me krejt pasurinë e tyre në iluzionin e madh të firmave piramidale, rrekeshin ta mohonin realitetin se ishin mashtruar në këtë pseudoinvestim. Mohimi (“denial”) është mekanizëm psikologjik defansiv i njerëzve të fantaksur që e mirëmbajnë iluzionin e vet. Me një fjalë, nuk duan t’i zgjosh nga ëndrra.
Një pjesë e madhe e ish vendeve socialiste të Evropës Lindore e kanë kaluar gjatë tranzicionit “gripin” e skemave të Poncit – të njohura edhe si firma piramidale ose firma rentiere. P.sh., në Rusinë postsovjetike, gati 40 milion qytetarë i humbën rreth 10 miliard dollarë. Në Rumani, brenda tri vjetësh, 400 mijë qytetarë investuan 1 miliard dollarë dhe humbën 450 milion syresh. Në Shqipëri, mendohet se 2/3 e qytetarëve investuan në firmat piramidale rreth 1.2 miliard dollarë.
Parapsikologjia bazike që instiktivisht nxit njerëzit në të tilla investime është grishja grykëse dhe besimi naiv se pa punuar, si me një shkop magjik, brenda pak kohësh, pasuria yte do të shumëfishohet dhe kësisoj do të shkarangjitesh në shkallaret e stratifikimit social.
Derisa në Kosovë nuk ka pasur “snafu” të tilla të falimentos financiare të krejt shoqërisë, ajo që ka ndodhur është një skemë piramidale politike, me karakteristika të skemës së Poncit, e strofulluar në substratin e frustracionit social të një populli të izoluar – një skemë mashtrimi me emrin Albin Kurti.
Për 15 vjet, Albin Kurti është ushqyer nga dhe e ka ushqyer mentalitetin e dembelisë dhe eksternalizimit të fajit – simptomatike dhe endemike për parapsikologjinë e investimit në iluzionin ëndrrakot të skemave piramidale. Ai ka komunikuar me masat duke ua mbrujtur dhe mëkuar bindjen se fajet për çfarëdolloj dështimi personal e profesional të tyre i kish shteti. Dhe, shumëkush ka “investuar” në këtë skemë latente me iluzionin se, kur të vjen në pushtet Albin Kurti, ne do të prosperojmë shpejtë dhe lehtë. Njëlloj si të investoje te Sudja ose te “gjeneral” Rapush Xhaferri.
Tani, kur njerëzit deziluzionohen me investimin e gabuar, pas mohimit parak, pason zallahia e shfrimit të mllefit.
Hapi i tretë është pajtimi me realitetin dhe mu këtu fillon e vetmja rrjedhojë pozitive nga këto skema – njerëzit e kuptojnë që nuk mund të pasurohen të gjithë shpejtë e lehtë e pa punuar, sikur me një llotari a me një abrakadabra.
Në Shqipëri, biznesi, ndërmarrësia private dhe punimi i tokës filluan të lulëzonin vetëm pasi ajo shoqëri e kuptoi se për të fituar duhej të punonte dhe të ishte e përkorë në pritshmëritë e saj. E kuptuan se nuk ishin në socializëm që t’i mbante shteti. Nuk vlenin më as frazeologjitë dembele e bajate “ku është shteti kur…” Njëherazi, e kuptuan që as në kapitalizëm nuk fitohej lehtë e shpejtë me nepsin për investime spekullative.
Por, paraprakisht, pa mbërritur në këtë stad vetëdijesimi, njerëzit instiktivisht nuk e pranojnë që ka dështuar rentieri sepse kësodore i bie ta pranosh që ke dështuar ti si investitor. Pra, më shumë se firmën piramidale, njerëzit e mbrojnë veten nga e vërteta e hidhur e mashtrimit të kollajtë.
Për më tepër, në momentin që investojnë, ata nuk janë më thjesht viktima të mashtrimit, por edhe bashkëfajtorë. Kur e shpjegonte arketipin e “Homo Sovieticus”-it ose “njeriut të ri sovjetik”, sociologu rus, Juri Levada, artikulonte se duke marrë pjesë në implementimin e vijës së Partisë, “njeriu i ri” bëhej bashkëfajtor i asaj vije. Kjo ka shpjegim edhe psikosocial – duke qenë hisenik i një gabimi, së pari, ti nuk e ke distancën objektive morale për të gjykuar atë dhe, së dyti, duke qenë vetë i implikuar, ti nuk del lehtë nga zgjoi i Partisë.
Shih për këtë arsye, sot, më shumë se “bots”-at, Suden e Prishtinës e mbron lukunia e atyre që janë duke rezistuar ta pikasin se kanë “investuar” në një “skemë piramidale” që ka premtuar “parajsën” dhe ka sjellë “ferrin” duke e bërë Kosovën një vend më të shtrenjtë, me më pak investime, me më pak aleatë dhe me shumë inflacion.
P.sh., Albin Kurti, ndër shumë rrena, i ka premtuar edhe 160 çerdhe për fëmijë dhe 4000 banesa për çiftet e reja. Pa i permendur megamashtrimet si ai për bashkimin kombëtar ose për mospranimin e Asociacionit. Deri më tash, s’e ka përmbushur asnjërin.
Në fakt, ajo që e ka bërë është që ka dhënë qindra tenderë njëburimorë – tenderë pa konkurs, por që ia jep kujt të duash – në vlerë mbi 200 milion euro dhe të cilët zakonisht janë çerdhe korrupsioni.
Albin Kurti është zbythur nga çdo temë në raport me Serbinë në të cilat fillimisht mirrte yrysh si dashi me brirë. Është zbythur për reciprocitetin, për dinarin, për Asociacionin, për tokat e Manastirit, etj.
Kështu, ai, dalë-dalë, po i pret këmbët mbi të cilat qëndronte statura e kultit të tij, këmbalecët e kavaletit të portretit të tij – mitit të Albinit të pakorruptuar, mitit të Albinit që në raport me Serbinë do të sillet si Gjergj Elez Alia dhe mitit të Albinit që në terma socio-ekonomikë do ta bëjë më të lehtë, dhe jo më të shtrenjtë, jetën e qytetarëve.
Natyrisht, edhe për pak kohë, shumë prej luzmës së votuesve të tij do ta mirëmbajnë mashtrimin e Sudes së Prishtinës. Jo se nuk e kanë kuptuar mashtrimin, por sepse është vështirë ta pranosh se je mashtruar dhe akoma më vështirë ta pranosh se je hisenik i këtij mashtrimi.
Albin Kurti thotë se jemi duke e zhvilluar Kosovën me hapa gjigantë. Dikush që e ka votuar Albinin mbase pandeh “po, për besë”, ndërkohë e lexon një këso deklarate duke numëruar se sa para i kanë mbetur për ta shtyrë muajin nga harxhimet në Kosovën e Albin Kurtit me inflacion 20%.
Albin Kurti thotë se ekonomikisht po i afrohemi Kroacisë. Dikush që e ka votuar Albinin mbase pandeh “po, madje edhe e kemi kaluar” dhe shkon ta paguajë faturën e energjisë, më të shtrenjtën ndonjëherë, ndonëse tash e sa vjet Albini nuk ia ka rritur pagën si mësues.
Në një anekdotë për socializmin në Poloni, kur e pyetën një punëtor se si funksiononte një ndërmarrje industriale shtetërore, ai dha një përgjigje antologjike – “ata bënin sikur po na paguajnë, ne bënim sikur po punojmë”.
Albin Kurti po bën sikur po e zhvillon Kosovën, disa votues të tij po bëjnë sikur po e besojnë dhe po e jetojnë prosperitetin e El Dorados albiniane.
Prandaj e nisa këtë shtjellim me protestat e para të ’97-s në Shqipëri. Ato nisën për t’i mbrojtur firmat piramidale mashtruese dhe jo për t’i sulmuar ato. Sepse, kësodore, të mashtruarit mbronin veten. E mbronin veten edhe nga e vërteta se kishin qenë naivë kur ishin mashtruar. Por, e mbronin veten edhe nga të qenit hisenikë në këtë mashtrim.
Dhe, në një moment, në një ditë të mugët dimri, kur filloi fundi i firmave piramidale, Maksude Kadëna, e njohur si Sudja, doli në ballkonin e banesës së saj, thjesht ngriti krahët para kreditorëve të saj, para qytetarëve të mashtruar dhe u tha se nuk kam më paratë tuaja.
Dhe atëherë, njerëzia, të shkarëzyer, u zgjuan nga deluzioni. E vërteta në spikamë. Erupsion vullkanik. Tekqë këlthisnin të përhënur në zemëratë, duke e bartur qivurin e shpresës mbi supe, zunë të digjnin tejendanë çdo gjë që u dilte para. Po shfrynin me fërgëlli për gabimin e vet. Donin ta kthenin kohën, por koha nuk kthehet. Donin ta kthenin investimin, por as investimi nuk kthehet.
Kur të ndodhë tërmeti i madh, rekomandohet të rrish larg ndërtesës së lartë me themele të rreme sepse ajo është më e rrezikshmja. Vetëm lutu që njerëzit të mësojnë prej gabimit dhe mos t’i besojnë më kurrë butaforisë së një biznesmeni spekullator, një politikani iluzionist, një mizantropi diabolik a një profeti kallp!