×
Opinione

Si u bë ardhja e Vetëvendosjes në pushtet interes amerikan në Kosovë?

Reporteri
25 Mars 2022 | 11:27

Autor: Afrim Kasolli


Për një kohë të gjatë, ka ekzistuar bindja se Vetëvendosja do ta ketë të pamundur t’i fitojë zgjedhjet, apo edhe nëse i fiton, do të bllokohet ta formojë qeverinë, për shkak të raporteve jo të mira me SHBA-të. Se kritika e saj ndaj proceseve politike mund të jetë atraktive, për shkak të dhimbjeve të domosdoshme që po e prodhonte lindja e një shteti të ri. Por, me kalimin e kohës, paralelisht me stabilizimin e shtetit, sirenat e asaj kritike, do të treteshin në mugëtirën e kohës.

Dhe kjo pandehmë, nuk është që s’ka pasur bazë në realitet. Sepse, që prej se është shfaqur në skenën politike të vendit, herë si forcë jo parlamentare dhe më pastaj si pjesë e Kuvendit, ky formacion nuk është që i ka pasur raportet e mira, fillimisht me të dërguarit e Uashingtonit në Zyrën Ndërlidhëse, e më vonë me ambasadorët e tij në Kosovë. Këto janë fakte që s’mund të mohon. Të gjithëve na kujtohen këto tensione. Madje, diplomatët e SHBA-së refuzonin edhe ta takonin lidershipin e VV-së.

Sidoqoftë, me kalimin kohës gjërat ndryshuan. Pikërisht ardhja e këtij formacioni politik në pushtet u shndërrua në interes strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të ardhmen afatgjatë të proceseve demokratike në Kosovës, për shkak të kontigjencave politike që u kristalizuan në politikën kosovare. Diçka që as s’mund të paramendohej para një dekade. Dhe kjo tendencë u vërejt sidomos këto vitet e fundit.

Kuptohet, kjo s’do të thotë që humbja e saj nesër, po ashtu nuk do të jetë interes i Uashingtonit, ashtu siç ishte deri dje margjinalizimi i saj politik. Prandaj, kjo kthese e befasishme, më shumë se meritë e vetë kreut të Vetëvendosjes, mbase ishte pasojë e gabimeve të kundërshtarëve të saj. E iluzioneve që ata i kultivuan ndër vite. Arrogancës dhe shpërfilljes së tyre. Bindjes naive të ish-eksponentëve të ish-pushtetit, se duke qenë se kreu i kësaj partie nuk ka raportet harmonike me SHBA-të, atëherë ata mund të sillen me Kosovën si me bahçe të babës, dhe ta kenë të garantuar pushtetin, përjetësisht. Ngase mungon alternativa për ta. Sepse, me triumfin e tyre ka përfunduar historia. Prandaj, qytetareve s’u mbetej tjetër opsion, pos te pajtoheshin me këtë fat.
Si pasojë e kësaj sjellje, këtë klasë politike e kapi erozioni shoqëror. Ajo kishte penetruar nëpër të gjitha kapilarët e sistemit, por gradualisht po e humbte impaktin e saj në shoqëri. U shkëput nga kjo e fundit. E shndërroi shtetin në Republikë të Fisit dhe Familjes. Në mekanizëm për interesa personale. Dhe në medium për të akomoduar vetëm lidhjet klanore të gjakut. Jeta e protagonistëve të saj nuk reflektonte asgjë me jetën mesatare të shoqërisë kosovare.

Ndërkaq, në anën tjetër, Vetëvendosje duke qenë formacion që nuk kishte qasje në sistem u shndërrua në adresë të shoqërisë. Të anktheve, traumave dhe frustrimeve të saj. Nga kjo ndarje u gjenerua një tension i çuditshëm politik, konflikti ndërmjet sistemit dhe shoqërisë. Më të parën u identifikuan ish-partitë e pushtetit, me të dytën Vetëvendosja. Kurse vullneti demokratik i qytetarëve të Kosovës po anonte gjithnjë e më shumë drejt së dytës, për shkak të zhgënjimit dhe klimës së përgjithshme të mosbesimit me të parin.

Të pushtuar nga perspektiva e rënies, e humbjes së relevancës dhe shthurjes së autoritetit të tyre shoqëror dhe politik, shumë nga mbartësit e ish-pushtetit, filluan të besojnë në magji politike. Shpresonin se fatin e tyre të pashmangshëm mund ta ndalte Amerika. Ajo mund t’ua ofronte shpëtimin përfundimtar. Pra atë që po e humbnin në popull, pretendonin ta fitonin me mbështetjen e Uashingtonit. Këtë objektiv synonin ta realizonin nga gatishmëria e tyre për dialog, duke marr parasysh qëndrimin rigjid që e kishte mbajtur deri atëherë Vetëvendosja, për këtë temë. Kurse, kjo e fundit, gjithë arsenalin e saj e orientoi në kundërshtimin të negociatave. Kjo strategji ishte e mirë shestuar. Sepse, në këtë mënyrë tentohej t’i tregohej bashkësisë ndërkombëtare, se kot nënshkruajnë marrëveshje ata që po negociojnë në emër të Kosovës, deri sa nuk gëzojnë legjitimitet të brendshëm qytetarë për t’i kaluar ato marrëveshje. Pra, qëllimi ishte që t’i bënin të padobishëm edhe në sferën e politikës së jashtme. Dhe kjo taktikë nuk është se nuk u tregua frytëdhënëse. Sepse, si Brukseli ashtu edhe Uashingtoni e kuptoi se nuk ia vlen të zhvillohet edhe me tutje ky proces, me ata që nuk mund t’i kalonin në Kuvendin e Kosovës,marrëveshjet që i nënshkruanin.

E ky paradoks, tregon se mbartësit e atij procesi, ishin pushtuar nga fantazmagoritë e skemave të Luftë së Ftohtë. Është e vërtetë që gjatë asaj kohe, shpeshherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’i mbrojtur interesat e tyre nacionale qenë të detyruar të bashkëpunonin edhe me regjime që nuk kishin mbështetje popullore, sepse me rëndësi, ishte fakti se i shërbenin agjendës së tyre për freninimin e përhapjes së influencës së Bashkimit Sovjetik. Por, pas rënies së Murit të Berlinit, superfuqia planetare hoqi dorë nga këto praktika, dhe filloi ta promovoi plotësisht një doktrinë tjetër. Përhapja e demokracisë, mbështetja e pushteteve që dalin nga zgjedhjet e lira, dhe respektimi e vullnetit demokratik u bën të vetmet parime drejtuese të interesave nacionale amerikane në përmasa botërore. Pra, nga ai moment kundërshtarët e Uashingtonit ishin ata që kërkonin shpërfilljen e këtyre vlerave, e jo si dikur që mjaftonte të ishin armik të komunizmit dhe këto standarde edhe me raste mund të sakrifikoheshin. Madje, pikërisht për shkak të promovimit të kësaj doktrine, Uashingtoni e tërhoqi edhe mbështetjen diplomatike, politike, ekonomike dhe ushtarake, për shumë nga regjimet autokratike në Lindjen e Mesme. Sepse, strategët e politikës së jashtme të Amerikës kalkulonin se asgjë nuk i dëmton më shumë interesat amerikane në atë rajon të trazuar se sa, perceptimi i përgjithshëm popullor, që SHBA-të po konspirojnë me regjime diktatoriale kundër vullnetit popullor. Kjo zhvendosje taktike e solli edhe Pranverën Arabe. Jo çdo gjë shkoi si duhet. Mirëpo, nuk kishte rrugë tjetër.

Rrjedhimisht, as në Kosovë s’mund të veprohej ndryshe. Nuk mbet alternativë tjetër. S’mund të përkrahej opsioni që procesi i dialogut të shndërrohej në mekanizëm për të anashkaluar vullnetin e brendshëm popullor. Sepse, kjo do të prodhonte pasoja të pariparueshme sociale dhe politike të brendshme. Me këtë rast, Amerika vetëm këtë skenar nuk mund ta toleronte. Sepse, asgjë nuk i shërben më mirë afirmimit të interesave të saja nacionale, se sa respektimi i vullnetit demokratik të qytetarëve të Kosovës. Dhe këtë kriter e plotësonte në mënyrë të duhur vetëm Vetëvendosje. Prandaj, ardhja e saj pushtetet u ishte në përputhje të plotë me interesat momentale amerikane. Në mënyrë që edhe ajo të provohej e besa të konsumohej nga burokracia e koklavitur e politikëbërjes. Kjo nuk do të thotë që Uashingtoni ka një dashuri fatale për Albin Kurtin. Përkundrazi, ata mund të kenë me dhjetëra mospajtime, ideologjike, politike dhe ekonomike. Mirëpo, përkushtimi i Amerikës , për të respektuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës mbi çdo kalkulim tjetër strategjik i përjashtonte skenarët e tjerë. Qëndrim ky, që siç thamë, që pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, përbën edhe thelbin doktrinar të politikës së jashtme amerikane. Dhe në Kosovë, në këtë fazë delikate historike, këto parime nuk mund të realizoheshin ndryshe pos me Vetëvendosjen në pushtet.

Ky përfundim mbase ishte dhurata më e mirë që qeverisjet e kaluara i bënë kundërshtarit të tyre më të madh politik. Sepse, duke insistuar me çdo kusht të mbesin në pushtet në fund e humbën edhe atë, si dhe ndikuan që ajo parti që ishte parë me besim jo të plotë nga Amerika, të shndërrohej në partnerin e saj të domosdoshëm, për momentin. Asgjë nuk është e rastësishme në politikë. Çdo gjë e ka gjeanologji e saj. Sikur, të ishin dëgjuar me kohë, këshillat e mikut të madh të Kosovës nga Amerika, James Rubin, të kumtuara në mes të Prishtinës, mbase nuk do të kishim ardhur në këtë gjendje. Por ato i injoruan.

 

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!