×
  • Prospect
  • Prospect

    “Nanën e laj me shumë kujdes”

    Autor:Arbër Selmani
    08 Mars 2024 | 11:26

    Shkruan Arbër Selmani

    Nanën e laj me shumë kujdes. Të shumtën e herave, ajo, e vetme ka fuqi ta vendosë një shtrojerë që të mos bëhet qull tepihu jashtë vaskës dhe futet brenda, si një vazo me këmbë që kujdeset të mos thyhet, ta rregullojë ujin. I ka lëvizjet pothuajse motorike, të llogaritura mirë sekonda më herët në miqësi me neuronet e saj. Uji më tmerron, sepse nana zakonisht luan me ujin nën trupin e saj, eksperimenton derisa trupi i zhveshur e konfirmon se është i gatshëm për t’u shplarë dhe se uji, herë i nxehtë e herë më i flladitur, me temperaturë të denjë, duhet të përputhet me secilën pjesë.

    E zhveshur, aq kuantike në thellësinë e saj, nana e normalizon ujin dhe ngadalë hyn në një guacë mendimesh e dëshirash që unë pretendoj t’ia largoj me pak shampon në lëkurën sipër trurit të saj: të mirat, shëndetin, harmoninë, mendimet që sjellin mirësi, shpresën për largim të depresionit, të stresit, ankthit, sikletit, disa mendime zënë vend në trurin e vogël, të tjerat në trurin e mesëm dhe atë të përparmë, dhe unë me fërkimet e mia mbi flokët e zeza të saj kam një ndjenjë se do të bëhet më mirë, kjo grua shumë probleme e shumë tmerre i ka mu në këtë kokë të sajën. Ndoshta unë jam ai që do ta shpëtoj, ndoshta bashkohem me ujin dhe të dytë largojmë diçka që po e ngulfatë cipën trurore. Kësisoj, nana çlirohet. Rinohet. Përtërihet. Mjaltësohet. Bash në kokë, te flokët, e mbajmë më gjatë edhe ujin edhe koncentrimin.

    Nanën e laj siç e lan Universi ardhjen në jetë të një fëmije apo algën e tmerruar mbetur jashtë valëve të detit.

    Përulshmërisht.

    E laj, e thashë, me shumë kujdes. Duart e mia e lajnë, mendimet e mia e bekojnë, mu aty në mes të banesës sonë. E laj nanën dhe, jo rrallë, një këngë na vjen nëpër mendje dhe ia bëjmë dhuratë ajrit. E kam këshilluar nanën që gjithmonë t`i mbajë sytë mbyllur, sepse për gjithçka do të përkujdesem unë. Po i pëlqen uji, dhe ujit po i pëlqen ajo. Ende jam te koka, ku është truri, nervat e saj. Nervat e saj janë në frekuenca të frikshme të lidhura me nervat e mia. Shpesh mendoj se jemi krijuar me valë magnetike të cilat e bartin prej një truri në trurin tjetër emocionin e fortë të plogështisë, atë të nervozës, emocionin e keq të dorëzimit të fundit. Nervat e saj kanë duruar shumë, por edhe s`kanë qenë shumë vitale, shumë ndihmëtare, për njeriun që i mban e shpesh nuk do të donte t`i mbante. Nanën po e laj, me shpresën se në çdo pastrim disa nerva të kobshme që teprojnë, vdesin.

    Ngadalë marr shamponin për ta ndihmuar nanën në këtë ritual të këndshëm prej së cilit pres që ajo të dalë më e freskuar, më e gatshme për të jetuar, më çapkëne, më e buzëqeshur sesa kur hyri lehtazi në vaskë. Shpina e saj është e butë, e rrëshqitshme, si akulli në patinazhet e Islandës apo, edhe më mirë, sikur një prej simfonive të Tchaikovskit kur i servohet mendjes sime dhe shkrihet yndyrë yndyrë. Prej lartë poshtë, nën trupin e vuajtur të nanës, si fijet e shafranit uji udhëton e me vete, mendojmë unë e nana, e merr dhimbjen, jetën e përmbushur kurrë, bashkë me të zezën e zhylit dhe të bardhën e sapunit që është me fat ta ketë prekur lëkurën e një gruaje si nana ime. Duart e mia gërryejnë, kërkojnë ta heqin inatin prej këtij trupi, kërkojnë parkimin e mërzive, folenë e sulmeve të ankthit, me përkëdheli e lëmoj këtë shpinë dhe dua që prej poreve të saj të dalë jashtë mishi i keq, gjaku i prishur. Sapuni është i bardhë edhe kur përfundoj punë me të dhe e kthej në vendin ku ishte, dhe i shkreti provon ta gjejë një kockë ose beng të zi në këtë shpinë, pa sukses. Sa të kem unë shpinë, kjo shpinë e nanës nuk do të ketë kurrë mungesë, do të ketë kush ta hyjnizojë. Se hyjni është.

    Nanën e laj e sytë nuk ia ndaj. E laj ndonjëherë të dielave, ndonjëherë të shtunave, më pak ditëve të javës, sepse java është e krijuar të na shkatërrojë, java është e të pasurve, vikendi është për neve që lahemi e pushojmë, që mjaftohemi, që e njohim vuajtjen.

    Nanën e laj, siç lahet një fëmijë me autizëm nga babai i tij i vetmuar së cilit gruaja i vdiq para pak javësh.

    Me përvuajtje.

    Dy duarve, krahëve, ajo ka dëshirë t’u japë rëndësinë që e meritojnë. Një heshtje mes neve pajtohet që nana ta lajë njërin krah, dhe unë tjetrin, prej kraharorit e deri te gishtat e dorës. Asnjëherë nuk harroj ta pyes – A je mirë? sepse, tregova, kam frikë se uji ndërron mendjen dhe papritmas vendosë të ndërrojë temperaturë, veç për shtatë palë qejfet e tij. Sigurohem që nana është mirë, dhe prej fytyrës i del një këngë gëzimi.

    Ajo më kritikon pse unë e pyes aq shumë nëse është mirë apo jo. Ajo është nana ime, unë jam nana dhe kryefjala e dyshimeve, sidomos në raport me të dhe jetën e mirëqenien e saj. Aristoteli ka pasë një simpati të pashoqe për duart, i shihte e studionte si simbole të mikpritjes, bujarisë, miqësisë, zemërgjerësisë, mëmësisë.

    Duar të vërteta kanë veç nanat, e mes tyre, nana ime.

    Duart i lajmë me finesë, në të gjithë rrumbullakësinë e tyre, pa harruar të prekim me shampon e sapun çdo shtresë. Këto duar i ka sjellë Zoti, por po i lajmë ne. Duart nuk kanë ardhë të paftuara, prandaj do t’i trajtojmë mirë, si mysafire të përjetshme. Bërrylat poshtë dorës e krahëve janë plakur, se nana po plaket, e meqë shtresa lëkurore tek tuk është më e fortë, gati si kore e bukës, nana dhe unë jemi pajtuar ta lajmë këtë pjesë pa vrapu për në pjesët tjera. E ndjej që orkestra brenda nanës time po luan diçka maestrale, se ajo shihet e gëzuar, e shohin sytë e mi. Ndoshta është një vals vienez ose ndonjë vallë shqipe, e nana po vallëzon me sytë mbyllur, me baletankat veshur dhe me një gjybletë nga Tropoja. Ndoshta brenda nanës është një shkrimtare që e ka gjetur muzën dhe nuk ka kush që ia ndalon fjalët që i rrjedhin çurg, si çezmja që e mbajmë anash në vaskë e që pret të jetë e fundit në këtë festival të larjes së nanës. Ndoshta brenda nanës është Zoti, ose Zoti më vjen sot në fytyrë nane.

    Nanën e laj me shumë kujdes. I lajmë të dy duart, të dhjetë gishtat, mes tyre e sipër tyre, në çdo hapësirë, presim të shtrydhet çdo ndjesi e keqe ose çdo mbetje e ndonjë xhami të vogël që nuk bën dëme. Duhet të lahen mirë dy duar që nuk ishin kurrë bosh, as në vetmi e as në shoqëri. Duarlarë, nënkuptohet të jetë dikush që nuk ka bërë asnjëherë punë të keqe, ngatërresa, mospajtime. Nanës duart i punojnë mirë, paçka se kanë rrudha, në ujë dy duart e shtrëngojnë njëra tjetrën dhe i premtojnë shoqja shoqes që së paku edhe për një javë do të jenë të gjalla, funksionale, simbiotike, drejt të njëjtit synim, të mos plogështohen, të mos mpihen, të frymojnë.

    *

    Ka ardhë vjeshta në banjon e banesës sonë. Unë nanën e laj e pastroj sikur të ishte lulja më e revoltuar e oborrit, më e bukura e fshehur mes shoqeve por e cila ngre kokën sa herë që nevojitet uji, ujitja, nevojitet lëngu i Zotit. Duket sikur nënën e fus mes amebave, mes vajit të kokosit, a ky në fakt është veç ujë. Si për nanën, si për botën, i njëjti ujë.

    Perëndesha ime, nana, po noton pa lëvizë asnjë gjymtyrë. Është e tëra në ujë anipse nuk e ka futur kokën në asnjë liqe a oqean. Nuk kemi këtu kripë deti, por e kemi njëri-tjetrin. Nuk kemi as dritë Dielli, por ç`të duhet Dielli kur bën dritë nana?

    Poshtë vaskës, pllakat e kaltërta të banjos, afër është i varur një peshqir me të cilin do të performojmë në finalen magjike të këtij pastrimi, të kësaj larjeje. E ulur në vaskë, në të djathtën e nënës jam unë, dhe pas neve e vetmja dëshmitare, një pasqyrë që nuk tradhëtoi kurrë.

    E di një rast kur, pasi u la nana, u mbajt për duart e mia dhe u ngrit në këmbë për atë shpushpuritjen e fundit me ujë. E pata mbushur një kove të kaltër me ujë dhe me vajëra të ndryshme: pak erëza të barishteve, pak livandë, balsam limoni, kamomil, mente, dhe vaj jasemini. Njeriu në hall kërkon ilaç kudo, provon gjithçka. Kur je miftjaq, edhe sodë buke gëlltitë. Edhe detergjent enësh do të pinte nevojtari, po t’i thonin, edhe thonjtë e tij do t`i fllufuriste në gojë, po t`i thonin se vjen shërimi. Besoja se me këto erëza e vajra trupi i nënës do të këndellej, do të hapeshin poret dhe do të dilnin jashtë troshat toksike. E mora kovën dhe nana, me trupin e saj të bëshëm dhe tani vertikalisht e drejtuar në profil, po priste që unë t`ia derdhja këtë ujë të përzier me plot aromë, eh, bëftë Zoti rahmet, edhe shëndet. Për rreth 60 sekonda, se koha gjithmonë ndalet kur jam me nanën, uji rridhte prej flokëve poshtë, nëpër duar, nëpër brendësinë e veshëve të saj, nëpër krahët e rënë prej një jete të paplotësuar, nëpër gishtat e dorës që tkurren e shpesh e thonë atë që goja nuk e thotë, nëpër thonjtë e këmbëve, nëpër këmbët e saj, nëpër shputat, nëpër barkun e saj të trashë, kah qafa dhe drejt gjinjve.

    Doli vjeshta prej banjos me anë të asaj vrimës poshtë, aty ku uji e gjen tunelin drejt një rrugëtimi tjetër. Jemi në katin e gjashtë, i duhet kohë përmbajtjes ujore derisa të largohet prej ndërtesës ku banojmë. U pajtuam me nanën që në një afat kohor më të gjatë, kjo përzierje substancash do t’i pëlqente trupit, trupi do ta pranonte fjalëkalimin dhe do t’ia kthente erëzave këtë nderim. Trupi do të lulëzonte, kësisoj edhe fibrat e mendjes, dhe nana, me dëshirën e zonjës së mençur dhe fuqiplote – nënës natyrë, do të fortësohej e do t’i rrallonte vizitat te neurologu, te psikologu. Nana e dashuron frymën, mëkat që në këtë breshëri të dushit nuk ka një puhi a fllad që do të penetrohej me ujin e të frynte kah nana. E egër është bota, por jo nana jeme. I dëlirë është ky ujë, si në trupin e nanës ashtu edhe në vjeshtë.

    Nana u bë tash vjeshta e shtëpisë.

    *

    Njëfarë procesi interesant është ky që ngjan zakonisht të dielave, shpesh të shtunave, kur nana dhe unë jemi në banjo, ajo e zhveshur duke çu dashni me ujin e unë i veshur duke kulluar mendjen e duke bekuar çdo çati shtëpie ku jeton një nënë si kjo e imja.

    Lumturia është e pranishme në çdo objekt, po njëjtë edhe dhimbja. Kjo banjo, çdo banjo ku një fëmijë e ka pastruar e larë e qarë një prind, duhet të kthehet në muze, në tempull, në himn, në këngë që nuk njeh fund. Jemi ne ata goblenët që vijmë në jetë pas qëndisjeve kaq të mrekullueshme që na bënë nënat tona, për vite me radhë, pa pikë ankese, të fundosura në sakrifica, të shtrydhura në punë shtëpie, në edukim. Jemi disa, ne, goblenët e bukur, e disa dalin të shëmtuar dhe vdesin të tillë, mediokër. Të dytët janë thes i madh.

    E bukura e më të bukurave është se asnjëherë nuk nis e bitis njëjtë kjo larje. Nuk nisemi secilën herë prej kokës, që të përfundojmë tek gishtat e këmbës. Përbesë, nana më ndihmon shumë dhe ndonjëherë e gjej atë duke mi larë duart mua. Unë ia fërkoj këmbët, ajo merret me krahët, unë e ndihmoj në brishtësinë e flokëve të saj, e ajo e largon papastërtinë prej pjesës së bërrylave dhe poshtë tyre, unë e bekoj perimetrin e kurrizit teksa ajo largon lëvozhgat që i mbesin sipër hundës. Shumë herë gjatë larjes ajo dëshiron ta përplasë me duart e saj ujin për fytyre. Sikur krejt zotat e mirësisë dhe bereçetit i ka në palmën e dorës dhe dëshiron me ngulm t’i kacafytë drejt fytyrës së saj. Plot herë, plot, e bën këtë veprim, të njëjtin, këtë freskim, pa marrë parasysh a jemi në pranverë, a në verë, a jemi në dimër, nana është kokëfortë se duhet larë fytyrën disa herë sa jemi në banjo.

    Nana, ka dashtë Zoti, është e lëvizshme, bukur mirë e mbushur shqisa.

    Sa herë e laj nënën, dua që Risperidonat, Rivotrilat, Velafaxinat, Convulexat, Ksanaksat, çdo medikament tjetër që ka hyrë brenda këtij trupi, çdo substancë e drogë e shtypjes së një gjumi të mirë, të dalë jashtë e të shkojë në dreq të mallkuar.

    Këto larje janë një tjetër vitamin e aspirin shtesë për nanën time.

    Po bëhet kohë që unë e laj, por me vdekjen e babait tim, burrit të saj, sikur nuk dua ta lë të vetme në banjo, në këtë oazë qetësie e opiumi ku edhe ata që lëngojnë me zë e duhmë, gjejnë prehje, gjejnë harresë, harrojnë. Nuk është e vjetëruar nana ime, por as fort e re për të lëvizur e vetme dhe për ta përqafuar në tërësi një pastrim.

    Çka heqim nga trupi kur lahemi? E thjeshtë: mërzinë, vuajtjet, vitet plot dhimbje, ankthin, atë gurin që grumbullohet afër fytit e na zë frymën sepse jemi gati të qajmë. Çka lirohet prej trupit kur pastrohemi? Shumë energji e keqe, shumë rryma e bryma të panevojshme që janë mysafire të lëkurës sonë. Çka ndodhë me nanën time kur unë e ndihmoj të lahet, e shumta dy herë në javë? Ose edhe më këndshëm: çka ndodhë kur ndihmojmë nanat tona, perëndeshat? Bashkohen copëzat dhe krijohet piktura më e bukur e jetës, barinjtë e kanë më të lehtë qëndrimin nën një Diell përcëllues, kuajt e bardhë vrapojnë më lirshëm diku në habitatin e tyre ku nuk ka njeri t’i godasë me forcë, lotët nisen kah retina e syve por kthehen pas sepse humbasin rrugë, pulsi i shumë zemrave nëpër botë normalizohet, luftohet gjithmonë e më pak midis shteteve, sedrat e shumë burrave janë më të pastra.

    *

    Nana, asnjëherë, dhe kjo asnjëherë është absolute, nuk ka pasur turp të zhvishet para meje. Ma ka thënë gjithmonë. Sikur e ka ndjerë që, në moshën e saj të tretë do të isha unë shoqëruesi i saj. Unë nuk njoh shumë trupa grash, prandaj ata pak trupa që i njoh e i kam prekur, me qëllimin më njerëzor i kam trajtuar mirë, kam menduar mirë për ta, jam frikësuar ta bashkoj fatin tim me fatin e tyre.

    Trupin e nanës, sot, do ta njihja edhe po t’i zhvishnin të gjitha gratë e botës e t’i radhisnin para meje në formë defileu.

    Do të ishte e kotë mos ta njihja një trup të cilit provoj me mish e me shpirt, në këtë jetë të lume timen, t`i jap më shumë gazmend, më shumë dëfrim, më shumë fatbardhësi. Çdo sesion i pastrimit më kthen në një fizioterapeut që prek aty ku ka tendosje; nanën e kam pacienten time më besnike, të përhershmen, të ngarkuarën, gruan e gajleve. Nana është një punë artistike, një vepër arti, mjellma e vetmuar në liqenin që bashkë po e krijojmë në këtë banjo. Nana është pelikani kokëlartë kundër krejt botës.

    E laj trupin e kësaj gruaje, times nanë, dhe turpi – edhepse nuk e ndjej të kem pasur turp as unë, ka ndërruar banjo, nuk është këtu. I kam thënë shumë herë se nuk kam gjynah për të, gjynahin e urrej, është ndjenjë e kotë, shterrpësi e madhe, është infuzion me të cilin jetojnë njerëzit e këqinj të botës, hienat. Gjynahi është arsyetimi më i mirë të mos e ndihmosh askë. Gjynahin e duan njerëzit që nuk japin kurrë ndihmë për askë.

    Nuk e laj nënën pse kam gjynah, as turp.

    Nanën e laj me shumë kujdes. Nuk flasim shumë, sepse edhe larja e ledhatimet e lehta numërohen si punë dhe duam ta përfundojmë me sukses dhe ta vazhdojmë rrjedhën e ditës, me ato pak aktivitete që na presin në simbiozë.

    Mbeturinat dhe mbetjet miope i kemi larguar prej trupit, nuk ka më asnjë pjesë të trupit të nanës që nuk e kam prekur e bashkuar me sapun ose shampon, disa herë edhe me humë. Është rrjepur çdo e ligë prej këtij konstrukti, dhe nuk do të kthehet më kurrë. E pastroj nanën sikur ta pastroja një foshnje që sapo e kam gjetur në kantë bërllogu, mbuluar me pluhur dhe me erë të tmerrshme. Shumë i kujdesshëm.

    *

    Nuk më hyjnë në punë bekimet, as urimet, as fjalët e mira të të tjerëve, pos të nanës sime.

    Hyjnorja, në fund të çdo larjeje, i thotë disa fjali mbushur plot nur e ton vuajtës. Unë vazhdoj, sepse nuk e ndjej të reagoj, nuk dua të jem unë ai që njolloj shkronjat që do të dalin në ajër prej gojës më të panjollë. Prej trupit që sapo u la dhe është i papërlyer. Unë jam edhe i njollshëm, edhe i përlyer, do të ishte kaq e padrejtë që një grua të baltosej pak sekonda pasi të barazohej me njomësi deti, gati si bukë taze.

    Nana, në librin e perëndive, është në kapitull të gjallë që ende shkruhet.

    Pasqyrës prapa nesh i është vështirësuar pamja, është e tëra në avull. Meqë koncepti kohë nuk ka kuptim sa herë që unë e pastroj nanën, them se jemi diku kah fundi. Për t’i pastruar mirë shputat e këmbëve dhe pjesën mes gishtave të këmbëve, nana e ka një objekt në formë fshise, me të cilën gërryen një shtresë e cila humbet përgjithmonë. I them nanës se vuajtja vjen edhe prej shputave, prandaj nga sot, ka më pak dhimbje e mërzi në konstruktin e saj.

    Ngadalë, e marr dhe dalim në dyshemenë e banjos. Një peshqir i bardhë i varur kalon përmes saj te unë, dhe e fshijmë bashkë fytyrën dhe kokën, të parat, duke kaluar kah qafa, poshtë krahëve, nëpër krejt grimcat e trupit e deri në fund të këmbëve.

    Një herë një burrë më pat thënë se është fat i keq nëse e lë trupin e lagur pas larjes, e meqë atë burrë e pata marrë seriozisht për pak muaj, e marr seriozisht edhe idenë e peshqirit që gjarpëron nëpër trupin e nanës, për disa minuta, deri në një lëkurë të tharë.

    Jemi të gjithë në depresion, jemi pak a shumë të gjithë në një lëmsh e kaos ku dikush merr frymë më lirshëm se tjetri, ku dikush inhalohet, dikush çirret, dikush do të vdesë një i pavlerë, dikush fle me sy hapur e një tjetër atje nuk fle edhe me sy të mbyllur.

    I urrej spitalet, nuk ka njësi matëse se sa i urrej.

    Dua që nënën time ta shoh në mes lulesh derisa pret pranverën, dua që ta shoqëroj me macat e qenushet e lagjes, dua ta largoj prej trafikut, dua që ajo ta dijë se muzika klasike qetëson, se gjumi bën mirë dhe se do të vijnë ditët më të mira. Të gjitha këto i mendoj, hyj në skenare filmash, në personazhe letrare, teksa e laj këtë grua jasemin. Këtë grua magjepsëse. Këtë nanë me fytyrë njeriu e me shpirt fluture. E laj nanën duke dashur që një pyll të ftohtë e të largët t`ia sjelli në mes të kësaj banjoje. Nana është si një dhelpër e bukur që nuk bën zë, veç lahet, e lahet, e dorëzohet, mrekullohet, bëhet një me ujëvarën e kësaj banjoje, është drenusha ma e shpejtë e malit të madh që unë ia kam sjellë në pak metra katrorë. Ujqërit qëllimkëqinj janë larg, qofshin larg, jemi vetëm unë e nana.

    Ndoshta, duke e larë nënën, do të ndodhin mrekullitë. Do të zvogëlohen nervozat, padrejtësitë. Nuk i dihet.

    Autor i kësaj poezie është Arbër Selmani

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    Prospect

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!