×
  • Prospect
  • Prospect

    Reaksionarët e duan, por muzika ‘country’ ka shpirt progresiv

    Reporteri
    04 Nëntor 2022 | 17:30
    Blind Alfred Reed dhe Virginia Nite Owls, 1920

    Autor: Mark Allan Jackson


    Kur Donald Trump nisi udhëtimin e parë ndërkombëtar presidencial të tij në maj të 2017’ës për në Arabinë Saudite, një ikonë tjetër e ShBA-së udhëtoi me të si pjesë e festimeve të aleancës mes dy vendeve: ylli i muzikës country Toby Keith. Për vëzhgues të shumtë, Kieth ishte zgjedhje e befasishme për të performuar në një vend myslimanësh, pasi që ai u shqua për konzervatorizëm pas 11 shtatorit, me himnet e tij xhingoiste në lavdërim të intervenimit ushtarak në Lindjen e Mesme, me këngë të tilla si Kënga e Talibanëve (2003) dhe Mirësia e të Kuqes (2002, me paralajmërim nënshkrues: ‘Do t’ua fusim çizmen në bythë / Kjo është mënyra amerikane).

    Mbase paraqitja e Keith-it në inaugurimin e Trump’it nxiti sauditët të bëjnë këtë zgjedhje të pazakontë, duke shpresuar t’i bëjnë favor duke përkuar me shijet e presidentit të ri – edhe pse Trump asnjëherë s’ka qenë fans i muzikës country. Mbase kjo zgjedhje e lidhte popullariten e Keith’it me disa nga anëtarët e bazamentit votues të Trump’it. Por, për çfarëdo arsye të ketë qenë kjo, këngëtari u bë njëfarë emisari kulturor si rezultat i kësaj vizite. Çfarë po përfaqësonte ai dhe për kë?

    Alyssa Rosenberg, duke shkruar për The Washington Post në maj të 2017’ës, spekulonte se Keith “e sheh veten si ambasador të njëlloj versioni të posaçëm të shoqërisë amerikane, me birra të ftohta, femra të lojërave të pokerit dhe fuqi shëlbuese të krishterimit”. Edhe pse këto qëndrime (dhe të tjera të Keith’it) nuk i shkonin përshtati llojit të konveratorizmit saudit, ato e luajnë mirë lojën në ShBA – së paku te disa dëgjues dhe votues. Por, në të njëjtën kohë, ato keqpërfaqësojnë tërësinë e asaj se për çfarë qëndron muzika country e për çfarë jo.

    Ky epizod i kohëve të fundit nuk është i vetmi në atë se si muzika country i është servuar botës. Më herët, është menduar si “muzikë hillbilly” nga industritë muzikore që e prodhonin, në mënyrë stereotipike duke e lidhur atë me një kulturë të mbrapsht dhe të degjeneruar. Një imazh të tillë e shohim tek jehon në ballinën e Variety-t më 1926, ku kritiku i muzikës Abel Green fillimisht e përkufizon audiencën si: Hill-billy është njëfarë malësori analfabet i Karolinës së Veriut ose i Tenesit besimi dhe besnikëria e të cilit është Bibla dhe fonografi”. Më pas muzika mori goditjen e saj kur Green e përshkroi atë si “këng-këndimi, me vokalizimi hunde të një Vernon Dalhart ose të një Carson Robison … duke recituar tekstet banale të Këngës së Burgut ose Vdekjes së Floyd Collins …”

    Këto lloj projeksione negative të njerëzve të cilën kanë bërë muzikë country dhe e dëgjojnë atë, mbeten edhe sot. Stereotipi është se ata ushqejnë besime konzervatore në rrafshet politike dhe sociale, duke i marrë për seksistë, racistë, xhingoistë dhe të krishterë fundamentalistë për nga vetë natyra e tyre. Por ky imazh është i rremë. Sepse, qysh nga fillimi, muzika country fliste me zë progresist.

    Një shembull i hershëm i kësaj është nga Blind Alfred Reed, me këngën “Si mund të qëndrojë një njeri i varfër në kohë të tilla dhe të jetojë?” (1929). Kënga merr praktikat e padrejta të grupeve në pushtet, si në vargjet: “Predikuesit predikojnë për ar dhe jo për shpirtrat” dhe “Oficerët vrasin pa shkak.” Ajo paraqet tërësinë e klasës punëtore si të viktimizuar në agimin e Depresionit të Madh. Por Reed shkroi gjithashtu këngën fetare “Nuk do të ketë nevojë për dallime atje” (1929), e cila ilustron një jetë të përtejme egalitare në rreshtat: ‘Do të ulemi të gjithë së bashku në të njëjtin lloj stolash, / Të bardhët dhe njerëzit me ngjyrë, johebrenjtë dhe hebrenjtë.’ Por Reed nuk ishte i vetëm në shprehje të ndjeshmërisë për klasën punëtore ose në thirrjen për një shoqëri më të barabartë: të tjerët nga kjo epokë e hershme – si Uncle Dave Macon, Fiddlin’ John Carson dhe Henry Whitter – shprehën ndjenja të ngjashme, ashtu siç kanë bërë Johnny Cash, Steve Earle dhe John Rich në dekadat e mëvonshme.

    Muzika country i ka kënduar gjithashtu edhe çështjes së grave, si në hitin e Loretta Lynn, Pilula (1975). Kënga feston lirinë nga shtatzënia, me transmetuesesn që vë në dukje se si burri i saj ka qenë gjithmonë i shkujdesur dhe i pabesë, ndërsa ajo ishte e lidhur me ‘një çift [bebe] në krahët e mi’ dhe një tjetër rrugës. Mesazhi i Lynn-it këtu është i qartë – ajo e përbuz këtë lloj marrëdhënieje të pabarabartë, siç shprehet troç në autobiografinë e saj E bija e Minatorit (1976): ‘Epo, qëlloni, unë nuk besoj në standarde të dyfishta, ku burrat mund të largohen me gjëra që gratë nuk munden.’ Në tregun e muzikës country, kjo këngë shquhet si një thirrje e pastër dhe mjaft radikale për çlirimin seksual dhe kontrollin biologjik, duke sfiduar prerogativën seksuale të së kaluarës së burrit dhe duke paraqitur një situatë ku gruaja mund të gëzojë gjithashtu një shumëllojshmëri në lidhjet seksuale pa kufizimet sociale/ekonomike që vijnë me shtatzëninë, lindjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve. Lynn gëzohet si për këngën ashtu edhe për besimin e saj të përgjithshëm personal se pilula kontraceptive do t’u lejojë grave një kontroll më të madh të jetës së tyre: “Unë vërtet besoj në ato fjalë. Gjithçka ka të bëjë me mënyrën sesi burri e mban gruan zbathur dhe shtatzënë gjatë viteve. Mendoj se është mirë që gratë kanë një mënyrë për të mbrojtur veten tani, pa u shqetësuar për burrin.’ Dhe Lynn nuk ka qenë e vetme në avokimin e të drejtave të grave, duke iu bashkuar të tjerëve, nga Kitty Wells te Margo Price, duke vënë në dukje paragjykimet dhe abuzimet gjinore.

    Performuesit kanë marrë gjithashtu çështje racore gjatë historisë së muzikës country. Në fund të viteve 1960 dhe në fillim të viteve 1970, Merle Haggard regjistroi Ik në Shtëpi dhe Irma Jackson, të cilat të dyja përqendrohen në marrëdhëniet e dashurisë ndërracore, me tekstet që janë në anën e çifteve, jo të paragjykimeve. Të dyja këto këngë u shfaqën në epokën e Loving v Virginia (1967), vendimi i Gjykatës së Lartë të SHBA-së që përmbysi ligje të disa shteteve kundër keqgjenerimit. Kështu, Haggard mbajti në mënyrë të përsëritur qëndrim të qartë progresiv në një kohë kur marrëdhëniet ndërracore mbetën të diskutueshme, veçanërisht në Jug. Kohët e fundit, Garth Brooks, Brad Paisley dhe Jason Isbell kanë mbajtur qëndrime të guximshme për marrëdhëniet racore në SHBA.

    Muzika country, që nga fillimet e saj e deri te hitet e saj më të fundit, ka pasur një larmi të gjerë, duke folur për çdo numër çështjesh dhe jo vetëm me një zë. Shumë kanë eksploruar peizazhin e saj zanor. Megjithatë, kur figura të tilla si Keith dalin në skenën politike – qoftë në Uashington, DC apo Riad – shumë shpesh mediat kryesore, politikanët e krahut të djathtë dhe të tjerët injorantë për historinë e pasur dhe të larmishme të kësaj muzike thelbësore amerikane tregojnë për ta dhe përpiqen ta pikturojnë atë si një shprehje vetëm konservatore. Për t’iu kundërvënë kësaj përshtypjeje të rreme, muzika country meriton ambasadorë më të mirë kulturorë, artistë që munden dhe kanë shprehur të gjithë gamën e pikëpamjeve që kanë qenë gjithmonë pjesë e traditës, e vërteta e plotë e muzikës country.

    Përktheu: Xhezair Dashi / Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    Prospect

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!