×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Grabitja në Rinas, kosovari i arrestuar nuk pranon të flasë para hetuesve

    Reporteri
    28 Prill 2019 | 17:24

    R.H., personi i gjashtë i arrestuar për grabitjen e parave në aeroportin e Rinasit, nuk ka pranuar të bashkëpunojë me hetuesit.


    50-vjeçari nga Kosova u prangos të premten, por gjatë ditëve që qëndron në izolim është pyetur disa herë nga grupi hetimor, por ai nuk ka dhënë sqarime. Mesditën e së hënës, R.H. pritet të dalë përballë gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.

    Hetuesit kanë dyshime se, “Daja”, ishte personi që ka siguruar makinën “Chevrolet” që më pas u modifikua në Elbasan për t’u përdorur në grabitje.

    Në kërkim të R.H., policia u vu pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Alkond Bengasi, i cili u tha hetuesve se pjesë e grupit kriminal ishte edhe një shtetas nga Kosova që qëndronte në shoqërinë e Admir Muratajt.

    R.H. rezulton me precedent të mëparshëm penal pasi në vitin 2012 ka qenë i dyshuar për grabitjen e 25 kilogramë ar nga Dhoma e Dëshmive në Policinë e Pejës, bashkë me 5 persona të tjerë. Një tjetër grabitje për të cilin ai dyshohet se ka marrë pjesë është dhe ajo e një argjendari në Dibër të Madhe në Korrikun e 2014-ës.

    Ndërkohë të arrestuar për grabitjen e rreth 6.5 milionë Eurove janë Elton Pikli, Oltjon Veseli, Alkond Bengasi, Renaldo Sula dhe Saimir Çela. Sipas deklarimeve të 34-vjeçarit Bengasi, çdo gjë ka nisur para 6 muajsh në një drekë në zonën e Shkëmbit të Kavajës.

    Në këtë takim kanë qenë të pranishëm Admir Murataj, Klement Çala, Eldi Çala, Talo Çela, kosovari me pseudonimin “daja”, Renaldo Sula, Saimir Çela, Oltjon Veseli dhe një person me emrin “Tani”. I vetmi që ka pranuar se ka dijeni për ngjarjen duke përfituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë është Alkond Bengasi, kushëri më Klement dhe Eldi Çalën. Të tjerët deri më tani kanë mohuar akuzat duke kërkuar lirinë.

    Kujtojmë se Reporteri.net para dy ditësh raportoi se Ragip Hajdini, kosovari që u arrestua nën dyshime për përfshirje në grabitjen e Rinasit, ishte dyshuar për përfshirje edhe në rastin e njohur në Kosovë të vjedhjes së arit në dhomën e dëshmive të Policisë në Pejë.

    Rasti kishte ndodhur në prill të vitit 2012. Hajdini u arrestua të premten nga policia shqiptare, në Kavajë.

    Kosovari i grabitjes së milionave në Rinas, në Kosovë ishte dyshuar për vjedhjen e arit në Polici

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!