Punësohet Aziz Salihu

Më në fund Federata e Boksit e Kosovës (FboxK) ia ka hapur dyert legjendës së boksit Aziz Salihut.
Ky i fundit prej vitesh është ankuar se është lënë jashtë shtëpisë së boksit dhe çdo organizate tjetër sportive dhe se e kishte të pamundur të kontribuojë në interes të suksesit kosovar në arenën ndërkombëtare.

Por, jo vetëm kaq. Duke mbetur krejtësisht jashtë sportit, Salihu ankohej se e kishte të pamundur ta siguronte një mirëqenie sociale, pasi nuk kishte kurrkah të ardhura financiare.

Para pak muajsh ai ishte i sëmurë, por ishte shëruar në Turqi dhe kur shëndeti i tij u përmirësua u është kthyer kërkesave për angazhim në FboxK ose në Komitet Olimpik të Kosovës (KOK).

Por, është shtëpia e boksit ajo që ia hapi dyert sportistit të shekullit. FboxK-ja ka vendosur t’ia japë një pozitë Salihut.

Detyra të cilën do ta kryejë “Zizi” ende nuk është zyrtarizuar, por punësimi i tij në FboxK është konfirmuar, raporton Zëri.

“Bordi i FboxK-së njëzëri pranoi që z. Aziz Salihu të emërohet në ndonjë pozitë në FboxK”, thuhet në një njoftim të Federatës.

Aziz Salihu ishte i pranishëm në këtë mbledhje të bordit të FboxK-së, bashkë me udhëheqësit e saj, kryetarin Ramadan Selimi, sekretarin Mehmet Bogujevci dhe të tjerët, të cilët shpeshherë i ka akuzuar për “kapje” të Federatës dhe lënien e tij jashtë saj.

Ndalohen komentet që përmbajnë gjuhë denigruese dhe fjalë ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s’kanë të bëjnë me artikullin. Reporteri.net mban të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.