Këto janë kushtet për të fituar njërin nga tetë këndet e librave në sheshin e Prishtinës

“Këndet e librave”, është aktivitet i ideuar dhe organizuar nga Komuna e Prishtinës, me synim të krijimit të dy këndeve funksionale për shitjen e librave.

Komuna njofton se, shitja e librave në shtëpizat e vendosura në sheshet “Zahir Pajaziti” dhe “Nënë Tereza”, do të fillojë menjëherë pas përzgjedhjes së shfrytëzuesve të shtëpizave. Shfrytëzuesit e shtëpizave do të lejohen të punojnë çdo ditë, nga e hëna deri në të dielën, duke filluar nga ora 09:00 deri në 20:00.

Aplikacionet mund të dorëzohen prej datës 20 korrik deri më 28 korrik 2017, në zyrën pritëse, nr. 1 në Komunën e Prishtinës (objekti i vjetër).

Numri i përgjithshëm i shtëpizave është tetë (8), ku secila do të shënohet me numrin përkatës, transmeton lajmi.net.

Kriteret për aplikim: Përzgjedhja e shfrytëzuesve të shtëpizave në këndet e librave, do të bëhet nga një komision i posaçëm, i formuar nga Kryetari i Komunës së Prishtinës. Pasi që numri i shtëpizave do të jetë i kufizuar, janë vendosur kriteret e paraqitura më poshtë, në mënyrë që përzgjedhja e shfrytëzuesve të bëhet sa më e drejtë dhe transparente.

Kriteret bazë: Shitësit individualë të sjellin dëshmi se kanë shitur libra në sheshet e kryeqytetit së paku për tri vitet e fundit (dokument nga Drejtoria e Shërbimeve Publike); Shtëpitë botuese të jenë të regjistruar në Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe të jenë të pajisur me arkë fiskale; Shtëpitë botuese të sjellin dokumentin, i cili dëshmon se i kanë të kryera obligimet tatimore ndaj ATK-së.

Kriteret shtesë: Shitësit individualë duhet të dëshmojnë kontratat/bashkëpunimet (nëse kanë të tilla) me shtëpi botuese; Shtëpitë botuese të dëshmojnë numrin e botimeve/editimeve të librave të rinj në tri vitet e fundit; Shtëpitë botuese duhet të dëshmojnë kontratat/bashkëpunimet (nëse kanë të tilla) me shtëpi të tjera botuese brenda dhe jashtë vendit; Përparësi do të kenë shitësit individualë.

Ndalohen komentet që përmbajnë gjuhë denigruese dhe fjalë ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s'kanë të bëjnë me artikullin. Reporteri.net mban të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.