×
  • Lajme
  • Lajme

    OSHP-ja konstaton shkelje në tenderin për furnizim me uniforma në Polici

    Reporteri
    19 Janar 2021 | 14:36

    Uniformat e Policisë së Kosovës kanë rënë në “radarin” e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Ky organ ka konstatuar shkelje ligjore në tenderin që kishte për qëllim furnizimin me këpucë, çizme e kllompe për pjesëtarët e Policisë.


    Sipas të njëjtit, Autoriteti Kontraktues (në këtë rast Policia e Kosovës) ka favorizuar prodhues të caktuar dhe ka bërë diskriminim ndaj operatorëve tjerë ekonomikë në këtë tender, vlera e të cilit ishte paraparë të jetë 108,975 euro.

    AK-ja kishte marrë vendim që ta anulojë këtë aktivitet të prokurimit, me arsyetimin se asnjëri nga ofertuesit nuk i ka plotësuar specifikimet teknike. Por, ndaj këtij vendimi kishte deponuar ankesë në OSHP OE “A & V Collection” shpk-Prishtinë. I njëjti ka pretenduar se AK ka vepruar në kundërshtim me nenet 6, 7, 10, 51, 60, 59, 69, 72 dhe 108/A të Ligjit për prokurim publik (LPP), shkruan koha.net.

    Ndërkohë, OSHP kishte autorizuar ekspertin shqyrtues për të shqyrtuar vlefshmërinë e të gjitha pretendimeve të palës ankimore. I njëjti kishte sqaruar se referimi i emrave tregtar të caktuar përbën diskriminim ndaj OE të cilët përfaqësojnë marka tjera tregtare dhe njëkohësisht është favorizim. Me këto kosntatime ishte pajtuar OE ankues, por jo edhe Autoriteti Kontraktues.

    “Ne si komision kemi bërë vlerësimin në bazë të specifikacioneve të kërkuara. Operatori Ekonomik nuk i ka plotësuar specifikat e kërkuara: në njoftimin për kontratë dhe në dosje të tenderit është kërkuar dëshmi-prodhuesi duhet të jetë i certifikuar me ISO standardin 20345:2011; 20347:2012, pas kërkesës për sqarime shtesë EK ka sjellë vetëm ISO 20345:11, ndërsa mungon ISO 20347:2012”, ka qenë përgjigjja e përfaqësuesit të Policisë së Kosovës.

    Tutje në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se Paneli shqyrtues konform ekspertit shqyrtues sqaron se arsyet bazë për anulimin e aktivitetit të prokurimit nga AK ka qenë se asnjëri nga ofertuesit pjesëmarrës nuk i ka plotësuar specifikimet teknike.

    “Mirëpo, nëse i referohemi një arsyetimi të tillë, shihet se AK ka marrë për bazë një model të një marke tregtare. Konkretisht arsye për eliminim theksohet se PE ‘Sabit Makiqi (A & V Collection)’ nuk i plotëson specifikacionet teknike te Aneksi 1 i dosjes së tenderit. Tek artikulli nr. 1 ‘Këpucët’ (CE EN ISO 20345:2011 S3 WR SRC-AUGE), ndërsa në mostrën e dorëzuar mungon përshkrimi AUGE. Artikulli nr. 2 ‘Çizmet’ është kërkuar ISO 20347:2011-S3 SRC ESAGAMMA), ndërsa në mostrën e dorëzuar mungon përskrimi ESAGAMMA dhe sipas këtij vlerësimi, ky operator nuk i plotëson specifikacionet teknike”, thuhet në arsyetim.

    “Paneli shqyrtues konform ekspertit shqyrtues sqaron se nëse i referohemi përshkrimit AUGE për artikullin 1 dhe përshkrimit ESAGAMMA për artikullin 2, atëherë shihet se AK i referohet një emri tregtar të caktuar dhe kjo përbën diskriminim ndaj OE të cilët përfaqësojnë marka tjera tregtare. Përshkrimet e theksuara njëkohësisht bëjnë favorizim për OE të caktuar siç është marka tregtare ‘PANDA’ me modelin AUGE dhe ESAGAMMA. Për Autoritetin Kontraktues është e rëndësishme të vlerësohet mostra dhe duhet të merret për bazë se çfarë përshkrimesh përban artikulli për kualitetin e jo për modelin”.

    Sipas OSHP-së, e rëndësishme në këtë rast është të vërtetohen dhe të konfirmohen se këpucët apo çizmet janë të prodhura sipas CE EN ISO 20345:11 S3WR SRC dhe për artikullin 3 (kllompet) sipas ISO 20347:12 që nënkupton se janë brenda standardit të kërkuar.

    Paneli shqyrtues gjithashtu thotë se sipas specifikimeve teknike për secilin artikull duhet të sillet mostra dhe te secili artikull duhet të përmbajë etiketën e përbërjes së materialit që do të thotë se në bazë të dokumentacionit vlerësohet artikulli se a është i prodhuar sipas standardeve të kërkuara.

    “OE ankues ofron certifikatë nga prodhuesi se artikujt janë të prodhuar sipas standardit 20347:2012 që do të thotë se pak është e rëndësishme se a përmban artikulli përshkrimin ESAGAMMA apo AUGE dhe kjo do të përbënte kufizim të plotë të konkurrencës. OE ankues ofron certifikatë të prodhuesit Dolenc Janko sipas EN ISO 20347:12. Po ashtu, Paneli shqyrtues konform ekspertit shqyrtues sqaron se AK duhet vlerësuar mostrat për të vërtetuar se mostrat janë të prodhuara sipas ISO 20347:2012”, thuhet tutje në arsyetimin e OSHP-së. “AK e ka të qartë se në asnjë rrethanë nuk mnd t’i referohet një prodhuesi të vetëm siç është rasti me artikullin 1 dhe 2, ku modeli i këpucëve determinon edhe prodhuesin, pavarësisht se në treg mund të jenë me dhjetëra prodhues tjerë që këpucët, çizmet apo kllompet i prodhojnë sipas standardeve që janë kërkuar. AK anulimin e tenderit nuk e ka bërë në përputhje me dispoziatat e nenit 62 të LPP-së”.

    OSHP e ka miratuar si të bazuar ankesën e operatorit ekonomik “A & V Collection” shpk-Prishtinë kundër njoftimit për anulim të AK-së lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull “Furnizim me uniforma për punëtorët e PK-së pjesa/grupi 2: Furnizim me këpucë, çizme dhe kllope të punës” me nr. të prokurimit 214-20-5472-2-1-1, inicuar nga Autoriteti Kontraktues (AK)-Policia e Kosovës dhe të njëjtin e ka kthyer në rivlerësim.

    “Mosrespektimi i këtij vendimi, detyron Panelin shqyrtues që konform dispozitave ligjore të nenit 131 të Ligjit për prokurim publik të Kosovës nr. 04/L-042, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin 04/L-237, Ligjin 05/L-068 dhe Ligjin 05/L-092 të ndërmarrë masa ndaj Autoritetit Kontraktues”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

    I njëjti organ e ka obliguar AK-në që gjatë rivlerësimit të mos ndërmerr veprime diskriminuese, por të bëjë vlerësimin dhe ekzaminimin e tenderëve në harmoni me nenin 59 të LPP-së.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!