×
  • Lajme
  • Botë

    Fauci: SHBA do t’i bashkohet programit COVAX për shpërndarjen e vaksinave

    Reporteri
    21 Janar 2021 | 14:31

    Nën udhëheqjen e presidentit Joe Biden, Shtetet e Bashkuara synojnë t’i bashkohen programit global për shpërndarjen e vaksinave kundër koronavirusit në vendet e varfëra, i njohur si COVAX.


    Kështu i tha Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), këshilltari kryesor mjekësor në SHBA, Anthony Fauci. Ky vendim u mirëprit nga shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili tha se kjo “është një ditë e mirë për OBSH-në dhe shëndetësinë në botë”.

    “Presidenti Biden do të lëshojë një urdhër i cili do të përfshijë synimin e Shteteve të Bashkuara për t’u bashkuar me programin COVAX “, tha përmes një video adresimi Fauci. Përmes programit COVAX, dërgesa e parë e vaksinave në vendet e varfëra pritet të bëhet në muajin shkurt. Edhe Kosova synon të marrë vaksina nga ky program.

    OBSH-ja ka ngritur shqetësime se vendet e pasura po furnizohen me një pjesë të madhe të vaksinave që janë në dispozicion, duke rrezikuar furnizimin e vendeve të varfëra.

    Paraardhësi i Bidenit, Donald Trump ndaloi financimin për OBSH-në dhe njoftoi për procesin e tërheqjes nga kjo organizatë deri në korrik të vitit 2021. Por, administrata e presidentit Biden ka vendosur të qëndrojë si anëtare në këtë organizatë.

    Trump e ka akuzuar OBSH-në se nuk ka menaxhim të mirë dhe se e ka ndihmuar Kinën në fshehjen e të dhënave për shpërthimin e koronavirusit, në fund të vitit 2019.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!