×
  • Lajme
  • Lajme / E fundit

    Kurti: Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacionin

    Reporteri
    08 Maj 2024 | 11:57

    Kryeministri i Kosovës ka konfirmuar kushtëzimin me Asociacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    Kurti tha se Qeveria e tij nuk pranon një kushtëzim të tillë, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Shefi i ekzekutivit kosovar tha se, Kosova s’e ka pranuar draft-statutin e propozuar nga emisari evropian, Miroslav Lajçak, vitin e kaluar,  pasi siç tha ai është refuzuar nga pala serbe.

    “Qeveria ka punuar parreshtur dhe ka bërë çdo veprim për të plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës. Ne duam anëtarësim meritor. E meritojmë anëtarësimin në KiE pasi ndajmë vlerat e përbashkëta dhe plotësojmë standardet e kërkuara. Anëtarësimin e shohim sidomos për nga përfitimet që sjell për qytetarët, veçanërisht për komunitetet joshumicë duke ju dhënë qasje në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut. Qeveria nuk e ka pranuar draftin e emisarit Miroslav Lajçak sepse ai është refuzuar me 26 tetor 2023, e dy ditë para kësaj unë kam dorëzuar vërejtjet e mia kapitale për atë draft-statut. Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë bisedojmë Bruksel dhe jo në Strasburg. Neni 7 dhe 10 nuk mund të nxirret jashtë marrëveshjes, si një çështje urgjente”, tha Kurti.

    Kryeministri shtoi se Kosova e meriton anëtarësimin në KiE pasi plotëson standardet e kërkuara. Ai tha se kërkesa për Asociacionin, për t’i hapur rrugë Kosovës drejt KiE-së, është absurde dhe joparimore.

    Kurti rikujtoi se Kosova ka pranuar që draft statuti i Asociacionit i sjellë nga emisari Lajçak dhe këshilltarët diplomatikë të QUINT-it në tetor të vitit të kaluar,  të bëhej pjesë e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit, por ka qenë refuzimi i Serbisë, ai që ka bërë që ky dokument të mos zyrtarizohet.

    Si i tillë, Kurti tha se nuk mund të dërgohet në Kushtetuese.

    “Në njërën anë Kosova po përparon nga viti në vit në indekset e demokracisë, sundimit të ligjit, reformës në drejtësi, lirive civile, të drejtave politike të vlerësuara nga institucione prestigjioze të pavarur ndërkombëtare.  Në anën tjetër kemi një sistem ligjor me të drejta të avancuara për minoritetet dhe një kushtetutë  e cila e ka përbrendësuar njëanshëm obligimet që dalin nga Këshilli i Evropës, si konventa evropiane  për të drejtat e njeriut, konventa për të drejtat e minoriteve dhe ajo e Stambollit. Kjo na ka bërë të lehtë kalimin me sukses në të gjitha fazat e anëtarësimit në KiE. Pas tërë këtij rrugëtimi të shoqëruar me progres të vazhdueshëm dhe vlerësimeve pozitive nga vetë Këshilli i Evropës, në këto javët e fundit u përballëm edhe me një kusht të ri, i cili nuk ka të bëjë aspak me standardet e anëtarësimit në këtë organizatë. Pas kushtit që të zbatohet një aktvendim i gjykatës Kushtetuese, kusht ky që hynë në fushën e sundimit të ligjit në kuadër të Këshillit të Evropës, dëgjuam se ka kryeqytete që tash po kushtëzojnë finalizimin e procesit të anëtarësimit me dërgimin e një dokumenti në Kushtetuese. Ky dokument i sjellë te ne nga Lajçak, së bashku me këshilltarët diplomatikë të shteteve të QUINT-it nuk u pranua më 24 tetor.

    Kosova ka ofruar që ai dokument të bëhej pjesë e pakos së Marrëveshjes Bazike dhe të nënshkruhet për t’u bërë ligjërisht i obligueshëm, por u refuzua nga Serbia. Nëse me datë 26 tetor do të pranohej e nënshkruhej paketa e marrëveshjes në Bruksel, vetëm atëherë ai draftstatut do të mund të dërgohej në Kushtetuese. Draft statuti i Lajçakut dhe zyrtarëve të tjerë të QUINT dështoi të zyrtarizohej pasi u refuzua. Si dokument është një jodokument, pra një “non paper”. Qeveria  e Kosovës nuk mund të dërgojë dokumente që nuk i ka pranuar e nuk janë zyrtare në Kushtetuese. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde, e përkundër kësaj tri herë u tentua që të futej kjo kërkesë si parakusht për anëtarësim. Dy herë në Komitetin për çështje politike për Demokraci e po ashtu gjatë mbledhjes së Asamblesë, por që u refuzua. Kjo kërkesë jo vetëm që nuk është parimore, po ajo është refuzuar tri edhe nga vetë instancat e KiE”, tha Kurti.

    Kurti  shtoi se, përtej garancive që ka ofruar në letër me zotime bashkë me presidenten Osmani dhe kryeparlamentarin Konjufca, nuk mund të kërkohet.

    “Pengesat për anëtarësim në këtë organizatë i mendonim nga vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, por assesi nuk mendonim që pengesë do të bëheshin shtetet demokratike, që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës për zhvillim e demokraci, e më herët ishin krah neve për çlirim e pavarësim”, ka thënë ai, në mbledhjen e sotme të Qeverisë./Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!