×
  • Lajme
  • Lajme / Prokuroria

    Arrestohet një nga administratorët e grupit “Albkings” që shpërndante fotografi e video intime të grave

    Reporteri
    17 Prill 2024 | 11:58

    Është arrestuar një person si pjesëtar i grupit “Albkings” në rrjetin social “Telegram”, ku bëhej shpërndarja e fotografive dhe videove të ndryshme intime të femrave.

    Kështu ka bërë të ditur Prokuroria Themelore e Prishtinës përmes një njoftimi për media.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se pas publikimit të informatave në media për aktivitetet e grupit “Albkings” në rrjetin social “Telegram”, sipas detyrës zyrtare, ka iniciuar hetime dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës-Njësinë e Hetimeve të Krimeve Kibernetike ka ndërmarrë veprime hetimore në identifikimin e personave të cilët kanë menaxhuar këtë llogari dhe grupe të tjera që ndërlidhen me këtë grup, e përmes së cilit është bërë shpërndarja e fotografive dhe videove të ndryshme intime të femrave në aplikacionin e lartcekur, përfshirë edhe të dhënat personale të tyre për ofrimin e shërbimeve seksuale”, thuhet në njoftim.

    Prokuroria shton se pas zbatimit të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, në orët e vona të dt.16.04.2024, është arrestuar fillimisht i dyshuari dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë njëri nga administratorët e grupit në fjalë, për shkak të veprës penale “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”, sipas KPRK-së, derisa në koordinim me policinë do të vazhdojnë të ndërmerren veprimet tjera shtesë hetimore në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast.

    Prokuroria kishte nisur hetimet për këtë grup në fillim të vitit. Javë më herët, ishte arritur të mbyllej. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!