×
  • Lajme
  • Lajme / Detajet

    Bastisja në banesën e familjarëve të dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu, deklarohet EULEX-i

    Reporteri
    12 Shtator 2023 | 18:48

    Misioni i BE-së në Kosovë, EULEX, ka bastisur të martën banesën e familjarëve të dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu, në lagjen “Bregu i Diellit”, në Prishtinë. Siç tregoi avokati i familjes, Artan Çerkini, gjatë bastisjes janë marrë vetëm disa dokumente.

    Gazeta online Reporteri.net ka dërguar pyetje në adresë të EULEX-it për të marrë vesh më shumë detaje rreth kësaj bastisjeje. E, siç thonë ata, ky aksion ka të bëjë vetëm me mbështetje logjistike për autoritetet gjyqësore dhe hetuese.

    Në përgjigjen e tyre thuhet se EULEX nuk ka më mandat për të kryer operacione të drejtpërdrejta të kërkimit dhe konfiskimit.

    “Në nga viti 2018, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) nuk ka më mandat për të kryer drejtpërdrejt operacionet e kërkimit dhe konfiskimit. Brenda kufijve të mandatit të saj aktual për të mbështetur institucionet e përzgjedhura të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, multietnicitetit dhe llogaridhënies, pa ndërhyrje politike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe praktikat më të mira evropiane, në lidhje me këto operacionet, mandati i EULEX-it është i kufizuar vetëm në ofrimin e mbështetjes logjistike për autoritetet përkatëse gjyqësore dhe hetuese”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it, për Reporteri.net.

    Para gazetarëve sot ka folur edhe nipi i dy dëshmorëve, Fahri Fazliu.

    I njëjti tha se bastisja ka filluar rreth orës 7 në mëngjes, por që arsyen nuk e dinë.

    Ai gjithashtu tha se kanë provuar t’i kontaktojnë familjarët që ndodhen brenda në banesë, por siç tha ai ata e kanë ndalë telefonin.

    “Para rreth një ore e kam kontaktuar avokatin, Artan Çerkini dhe më ka njoftuar se është duke u bastisur banesa e heronjëve Fahri dhe Bahri Fazliu. Ku rrinë vëllai i dy heronjëve, Fadil Fazliu. E kam pyetur pse është duke ndodhur, më ka thënë që nuk e di. Sipas avokatit, bastisja ka fillu rreth orës 7 në mëngjes. Nuk jemi leju me u fut brenda. Brenda gjendet Fadili me familje. Nuk kemi informacion se çfarë po ndodh. Nuk po i hap telefonat askush, i kanë të mbyllur”, tha nipi, Fahri Fazliu. /Reporteri.net/.

    “Brenda është vëllai i tyre me familje, i kanë ndalë telefonat”, flet nipi i dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu për bastisjen e banesës

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!