×
  • Lajme
  • Lajme

    “BE ka një kapacitet të levës” – vizat, shtrëngimi i parë për dështimin e marrëveshjes për targat

    Reporteri
    23 Nëntor 2022 | 18:36

    Autor: Rexhep Kameraj


    BE nuk është veç ndërmjetës, “jemi shumë më tepër se kaq sepse të dy duan të bëhen anëtarë të BE-së dhe kemi një kapacitet të levës”, porositi shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, liderët e Kosovës dhe Serbisë vetëm pak orë pasi përfundoi një takim të pafrytshëm 8 orësh me ta në kërkim të një zgjidhje, që s’u gjet, të hënën, për krizën në Veri të Kosovës.

    Tre ditë më vonë, “leva” e BE’së për Kosovën po del të jetë liberalizimi i vizave. Ajo u shtrëngua nga Këshilli i BE-së të mërkurën, si mjet për të vënë në lëvizje arritjen e një marrëveshje për targat ilegale me të cilat serbët e Kosovës lëvizin në Veri të vendit, qarkullimin e të cilave Qeveria e Kosovës ka marrë vendim ta ndalojë krejtësisht, përmes aplikimit të disa fazave, që më 21 nëntor ka arritur tek ajo e gjobitjes së tyre.

    Propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili parashihte heqjen e vizave për kosovarët jo më larg se më 1 janar të vitit 2024, u hoq nga agjenda e takimit të sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE’së, konfirmoi për gazetën online Reporteri.net Presidenca çeke në Këshillin e BE’së.

    Arsyeja ishte e qartë dhe e thënë shprehimisht. “Për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës”.

    Kjo ndonëse një ditë më herët, të martën e 22 nëntorit, këshilltarët për viza në Këshillin e BE-së u pajtuan me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.

    Ndonëse në opinion është aluduar shpesh herë, zhvillimi i së mërkurës për vizat, shënon herën e parë kur procesi teknik i liberalizimit të tyre lidhet direkt në varësi me një proces krejtësisht politik, siç janë mosmarrëveshjet politike mes Kosovës dhe Serbisë – të cilat i ndërmjetëson Brukseli e që të hënën shkuan në nivelin më të lartë të ngritjes së tensioneve në “tavolinën e bisedimeve”, në vitet e fundit.

    Gjithçka ndodhi vetëm dy ditë pasi Josep Borrell, para se të fliste për “kapacitetin e levës”, pohoi se do t’i njoftojë shtetet anëtare të BE’së për sjelljen e Kosovës në dialogun me Serbinë, gjatë takimit të 21 nëntorit.

    8 orëshi i së hënës në Bruksel, përveç se nuk i dha zgjidhje çështjes së gjobave për serbët e Kosovës që bartin targat ilegale të Serbisë, përfundoi me tensionim raportesh mes Kosovës dhe BE’së – ose të paktën tensionim të paprecedentë të marrëdhënies së Kryeministrit Albin Kurtit dhe Josep Borrellit të BE’së.

    Kosovari dhe spanjolli nuk u përmbajtën në kundër-akuzat e tyre ndaj njëri tjetrit. I pari tha se shefi i politikës së jashtme të BE’së e ka braktisur “planin franko-gjerman” për marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe për anim kah politika dhe interesi i Beogradit. Derisa, kryediplomati i BE’së përveç se e fajësoi Kryeministrin Albin Kurti për dështimin e arritjes së një marrëveshje me Presidentin serb Aleksandër Vuciq, për targat, e porositi shefin e ekzekutivit kosovar se “sundimi i ligjit nuk duhet të shërbejë si pretekst për tensionim dhe eskalim të situatës”.

    Josep Borrell, tha se “në veçanti Kosova” nuk po respekton obligimet ligjore ndërkombëtare, kjo duke aluduar në mosformimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, marrëveshje kjo e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013 si marrëveshje ndërkombëtare.

    “Borrell hoqi dorë nga afati i marsit 2023 dhe nga propozimi i BE-se për normalizim të marrëdhënieve dhe Kosovës”, iu kundërpërgjigj Kurti akuzave të Borrellit. Madje këtë e përsëriti disa herë në tre ditët e fundit, shkruan gazeta online Reporteri.net. Fillimisht në Bruksel, e pastaj në Prishtinë e Prizren.

    E kur situata në Bruksel u dukë se po bëhej gjithnjë e pazgjidhshme me dialog, mesnatën e të hënës ndërhyri SHBA’ja si mbështetëse e Dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE’ja.

    Amerikanët, që as ata nuk duket se janë në ditët më të mira sa i përket raporteve me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i kërkuan këtij të fundit shtyrjen për 48 orë të implementimit të fazës së gjobave për serbët e Veriut që qarkullojnë ende në territorin e Kosovës me targat ilegale të Serbisë.

    Gjobitja do të niste të martën, prej orës 8 të mëngjesit.

    Përgjigja e shefit të ekzekutivi kosovar ishte e menjëhershme dhe pozitive. Vendimi u suspendua deri të enjten, në të njëjtën orë.

    Derisa numërimi mbrapsht ka filluar, dhe afati 48 orësh për gjetjen e një zgjidhje në bisedime është drejt skadimit, në Bruksel të mërkurën kanë udhëtuar dy kryenegociatorët,  Besnik Bislimi i Kosovës dhe Petar Petkoviq i Serbisë. Ata po ndërmjetësohen nga emisari i BE’së për Dialogun, Miroslav Lajçak, në gjetjen e një zgjidhje për targat.

    Ndërkohë që shefi i Bislimit, Kryeministri Albin Kurti, e ka shpallur tashmë se me Josep Borrellin nuk ka komunikuar nga e hëna, dhe se s’ka çka të flasë me të për marrëveshje të tjera, përveç për atë që quhet si “marrëveshja e madhe”.

    “Shpresa ime e sinqertë është se ne do të arrijmë të gjejmë një zgjidhje sot për të depërshkallëzuar tensionet në terren dhe për të punuar drejt normalizimit të marrëdhënieve”, ka uruar Lajçak së fundi, kur njoftoi se i ka ulur përballë njëri-tjetrit përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë – ndonëse të nivelit më të ulët, e jo të shefave të shteteve.

    “Levë”, sipas fjalorit të gjuhës shqipe

    “Leva” të cilën Josep Borrell e përmendi si kapacitet të BE’së për Kosovën dhe Serbinë, që synojnë integrimin në BE, në fjalorin e gjuhës shqipe i ka tre kuptime.

    Fjala “lév/ë,-a” është emër i gjinisë femërore; numri shumës; -a(t) dhe ka këto kuptime:

    1. term në fizikë; shufër e fortë dhe e gjatë, për të ngritur më lehtë a për të lëvizur trupa të rëndë; ngritës; lloz: levë e dyfishtë dy leva me një pikëmbështetje (gërshërët, darët etj.).

    2. term në teknikë; shufër me një dorezë, për të drejtuar një makinë, për të rregulluar lëvizjen e një mekanizmi etj.: levë dore (komandimi).

    3. kuptim i figurshëm; mjet që ndihmon për të vënë në lëvizje diçka, për të zhvilluar një veprimtari etj.: leva ekonomike (shoqërore).

    “Leverage”, në anglisht, sipas fjalorit të Cambridge

    “Leverage” në anglisht – gjuha me të cilën u deklarua edhe vetë Borrell në porosinë e tij për liderët e Kosovës dhe Serbisë, gjegjësisht Albin Kurtin dhe Aleksander Vuçiqin – është një emër me shumë kuptime, varësisht nga rrethanat.

    Kur përdoret për të treguar fuqi, fjalori i Cambridge e shpjegon si “fuqia për të ndikuar te njerëzit dhe për të marrë rezultatet që dëshironi”.

    Në fjalorin amerikan, “leverage”, si emër, shpjegohet si “fuqia për të ndikuar në rezultate”. Derisa në rastet kur ajo shprehet si folje, shpjegohet “për të përdorur diçka që keni tashmë, si një burim, për të arritur diçka të re ose më të mirë“. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!