×
  • Lajme
  • Lajme

    Deputeti i VV-së: Futja e Kosovës në agjendë për anëtarësim në KiE s’është mbyllur

    Reporteri
    08 Maj 2024 | 7:59

    Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli ka deklaruar se pavarësisht presionit ndërkombëtar për Asociacionin, futja e Kosovës në agjendën e Këshillit të Ministrave të KiE-së për anëtarësim do të vazhdojë.

    Dugolli tha se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e parapara dhe se sipas tij, është e pakuptimtë që të kërkohen kushte shtesë apo të ketë ndonjë presion mbi Kosovën.

    “Mendoj që futja në agjendë pra për Këshillin e Ministrave do të vazhdon dhe kjo çështje nuk është mbyllë sot. Dhe përfundimisht po mendoj që është koha që t’i jipet vota pro, të kemi dritën jeshile edhe nga komiteti i ministrave për shkak se Kosova i ka përmbushë të gjitha kushtet e parapara. Pra raporti që ka kalu në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës nuk ka parapa kushte shtesë edhe ka qenë një vendim unanim thuja me 82 për qind të votave. Dhe tash është diçka krejtësisht e pakuptimtë që të ketë ndonjë presion apo ndonjë element shtesë, pra ndonjë kushtëzim për Kosovën”, tha Dugolli.

    Gjatë ditës së djeshme u raportua se çështja e votimit në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës as  nuk është futur në agjendën e mbledhjes vjetore të Komitetit të Ministrave, përkatësisht të ministrave të jashtëm të 46 shteteve anëtare të KiE-së.

    Sipas agjendës, ministrat e Punëve të Jashtme të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të mbajnë sesionin e tyre vjetor më 17 maj 2024, në kuadër të 75-vjetorit të Organizatës.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, nuk duhet të përzihet me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).

    Nëse përzihen, tha Kurti, dëm do t’i shkaktohej edhe dialogut për normalizimin e marrëdhënieve që zhvillohet në Bruksel, edhe Këshillit të Evropës si “institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.

    Sipas një deklarate që lëshoi zyra e tij, Kurti i bëri këto komente në një takim me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it: SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë dhe Francës.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!