×
  • Lajme
  • Lajme / Mungon një i akuzuar

    Dështon gjykimi në rastin “Veteranët”

    Reporteri
    02 Maj 2024 | 13:54

    Mungesa e Shkumbin Demaliajt ka pamundësuar mbajtjen e seancës gjyqësore për rastin e njohur si “Veteranët”.

    Për dallim prej Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjahajt, Qelë Gashit, Shukri Bujës, Ahmet Dakut, Rrustem Berishës, Faik Fazliut, Smajl Elezajt, Fadil Shurdhajt dhe Xhavit Jasharit, prezent në sallë nuk ishte i akuzuari tjetër Demaliaj.

    Sipas avokates Gerta Ragipi, e cila ishte me autorizim zëvendësues për Arianit Kocin, tha se pak para fillimit të seancës, Demaliaj i ka njoftuar se nuk mund të prezantojë në sallë pasi sot ka përvjetorin e vëllait të tij i cili kishte rënë dëshmor.

    Në këto rrethana seanca e stome ka dështuar të mbahet dhe e njëjta nga gjyqtari Gazmend Bahtiraj është caktuar të mbahet më datë 28.05.2024.

    Rasti është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit më 24.03.2022, por seanca e parë e rigjykimit u mbajt më 31.10.2023.

    Kujtojmë që Apeli kishte kthyer lëndën në pikën zero për t’u gjykuar përsëri pas vendimit të Themelores, me të cilin, i kishte liruar nga akuza të pandehurit për këtë rast.

    Prokuroria Speciale që nga viti 2018 po i akuzon 12 persona, me në krye Agim Çekun për keqpërdorim të detyrës gjatë kohës sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit – Veteranit.

    Agim Çeku dhe të tjerët akuzohen se gjatë kohës kur kanë qenë anëtarë të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, në mënyrë të qëllimtë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe i kanë keqpërdorur të njëjtat në mënyrë që të tjerëve t’u sjellin përfitim pasuror.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, anëtarët e Komisionit duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë komisioni, ua kanë mundësuar dhe njohur personave të tjerë që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së.

    Rasti kishte ngjallur shumë debate në publik pasi prokurori i cili e kishte hetuar dosjen e veteranëve ishte larguar nga Kosova.

    Menjëherë pas lirimit të 12 të akuzuarve, ish-prokurori Elez Blakaj kishte reaguar duke e konsideruar si të qëllimshëm lirimin e tyre, pasi sipas tij, nuk ishin administruar as gjysma e provave.

    “Ashtu siç pritej edhe ndodhi! Në një proces gjyqësor ku publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% te provave materiale, duke e deformuar qëllimisht dhe në vazhdimësi rastin, e me avokat me ‘përvojë të jashtëzakonshme ushtarake’, pothuajse nga të gjitha anët, rezultati nuk mund të ishte ndryshe” – kishte shkruar Blakaj./Kallxo.com

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!