×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Zvicra prezanton programin e ri të bashkëpunimit për Kosovën: Ndahen 86 milionë Euro shtesë

    Reporteri
    13 Maj 2022 | 16:13

    Duke u bazuar në dekada të miqësisë dhe marrëdhënieve të ngushta mes dy vendeve, Zvicra dhe Kosova po e shënojnë partneritetin e tyre të gjatë me rastin e lansimit të Programit të ri të Bashkëpunimit Zviceran për Kosovën për vitet 2022-2025.

    Në një ngjarje të përbashkët të mbajtur në Prishtinë me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, partnerët dhe përfituesit, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly rikujtoi se mbështetja e Zvicrës ka qenë gjithmonë e nxitur nga përkushtimi për t’u ndihmuar qytetarëve të Kosovës dhe vendit që të ecin përpara.

    Ambasadorja Ruth Huber, Zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Udhëheqëse e Departamentit për Bashkëpunim me Evropën Lindore, nënvizoi se përpjekjet e përbashkëta të Zvicrës dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, ndër të tjera, kanë kontribuar që:

    • Më shumë se 600,000 qytetarë të përfitojnë nga qasja e përmirësuar në ujë në zonat rurale
    • Më shumë se 630,000 qytetarë të kenë qasje në shërbime më të mira komunale
    • Rreth 10,000 qytetarë të gjejnë punë
    • Mbi një milion qytetarë, pra më shumë se gjysma e gjithë popullsisë së Kosovës, ta përmirësojnë shëndetin e tyre duke u informuar më mirë se si të parandalohen sëmundjet kronike.

    Në emër të qeverisë së Kosovës, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu, theksoi se rrugëtimi historik ndërmjet të dy vendeve ka nisur shumë vite më parë dhe përfshin marrëdhëniet ekonomike, politike, shoqërore e njerëzore.

    ‘’Këto marrëdhënie miqësore mes dy popujve sot janë më solide e më të fuqishme se kurrë më parë. Zvicra mbetet partneri i tretë më i madh i Kosovës për bashkëpunim dypalësh dhe investitori i dytë më i madh i huaj dhe ky program i ri do e ndihmojë edhe më shumë Kosovën dhe popullin tonë për forcimin e demokracisë, për zhvillimin e ekonomisë dhe për rritjen e mirëqenies’’ deklaroi ministri Aliu.

    Programi i Bashkëpunimit Zviceran për Kosovën 2022-2025 thekson interesin reciprok të Zvicrës dhe Kosovës për ruajtjen e stabilitetit dhe nxitjen e prosperitetit në Kosovë, duke marrë parasysh sfidat e reja. I bazuar në përvojën e Zvicrës dhe në përputhje me prioritetet e përcaktuara nga Qeveria e Kosovës, Programi do t’i mbështesë tri fusha kryesore: Qeverisjen Demokratike dhe Paqen; Zhvillimin e Qëndrueshëm Ekonomik dhe Ndryshimet Klimatike, Ujin dhe Shëndetësinë.

    Kontributi financiar i Zvicrës për katër vjetët e ardhshëm kap shumën 86 milionë euro. Programi është zhvilluar me një qasje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Sekretariatin Shtetëror të FDFA-së për Paqe dhe të Drejta të Njeriut, Sekretariatin Shtetëror për Çështje Ekonomike (SECO) dhe Sekretariatin Shtetëror për Migracion (SEM).

    Për më shumë informata rreth programit të bashkëpunimit vizitoni: https://www.eda.admin.ch/countries/kosovo/en/home/international-cooperation/strategy.html

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!