×
  • Lajme
  • Lajme

    EULEX: Po e monitorojmë situatën në Veri, qëndroni të përmbajtur

    Reporteri
    07 Dhjetor 2022 | 10:00

    Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, është shprehur i shqetësuar pas incidenteve të ndodhura dje në veri të Kosovës, ku persona të maskuar kanë dëmtuar zyrat e komisioneve komunale zgjedhore duke përdorur mjete të rrezikshme.

    Wigemark, përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë se EULEX do të vazhdojë të monitorojë situatën në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.

    Ai teksa ka theksuar se çdo protestë duhet të jetë paqësore ka bërë thirrje për përmbajtje.

    “Të shqetësuar për incidentet e djeshme në veri të Kosovës. Çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe të gjithë duhet të qëndrojnë të qetë dhe të përmbajtur. EULEX do të vazhdojë të monitorojë situatën në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe NATO-KFOR-in”, ka shkruar Wigemark.

    Pasditen e së martës, incidente të njëpasnjëshme ndodhën Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, derisa zyrtarët policorë po i shoqëronin autoritetet zgjedhore në këto dy komuna, të banuara me shumicë serbe.

    Policia tha se persona, grupe dhe të dyshuar të maskuar, dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në veri të Kosovës.

    Sipas këtij institucioni, në këto incidente janë përdorur “mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Sulmet ndodhën në ditën kur zyrtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor shkuan në veri për t’u përgatitur për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës.

    Reagime pati kryeministrin Albin Kurti, i cili paralajmëroi shtim të forcave policore në veri, ndërsa fajësoi presidentin serb Aleksandar Vuçiq për orkestrimin e tyre.

    Kurti ka paralajmëruar prezencë më të shtuar policore atje, derisa ka thënë se “Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron” bandat kriminale.

    Sipas Kurtit, këto banda paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

    U përdorën granata dore të prodhimit jugosllav, zyret e KKZ-së u demoluan tërësisht – krejt çka ndodhi dje në Veri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!