×
  • Lajme
  • Lajme / Çështja e Asociacionit

    Fati i paqartë i Kosovës në finalen drejt KiE-së

    Reporteri
    08 Maj 2024 | 8:44
    Selia e Këshillit të Evropës, në Strasburg. Fotografi nga arkivi.

    Gjatë ditës së djeshme u raportua se çështja e votimit në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës nuk është futur në agjendën e mbledhjes vjetore të Komitetit të Ministrave, përkatësisht të ministrave të jashtëm të 46 shteteve anëtare të KiE-së.

    Sipas agjendës, ministrat e Punëve të Jashtme të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të mbajnë sesionin e tyre vjetor më 17 maj 2024, në kuadër të 75-vjetorit të Organizatës.

    Kësisoj, mbetet ende çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës do të jetë në agjendë kur ministrat e vendeve anëtarë të mblidhen në Strasburg më 16 dhe 17 maj.

    Kryeministri i Kosovës,  Albin Kurti bëri thirrje të hënën që anëtarësimi në Këshillin e Evropës të mos ngatërrohet me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë pasi, sipas tij, këto procese nuk e ndihmojnë njëri tjetrin, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Ai i bëri këto komente përmes një komunikate për shtyp pas një takimi me diplomatët e Quint-it dhe shefin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë lidhur me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

    “Në rast se këto përzihen, kjo do t’i bënte dëm të pariparueshëm në njërën anë dialogut në Bruksel dhe në anën tjetër Këshillit të Evropës si institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, citohet të ketë thënë kryeministri Albin Kurti në një komunikatë të publikuar nga qeveria.

    Kurti: Dialogu për normalizim të marrëdhënieve mos të përzihet me procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE

    Kosovës i janë kërkuar hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për hapa në këtë këtë drejtim kanë qenë të njëpasnjëshme gjatë ditëve të fundit. Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duket se është shndërruar tani në një lloj kushti për për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

    Madje, kur kanë mbetur 10 ditë nga kur pritet të mblidhet Komiteti i Ministrave, në Këshillin e Evropës, Qeverisë së Kosovës i është bërë të qartë rëndësia e hapave konkret drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga autoritetet e Kosovës, në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Këtë kërkesë e kanë pasur kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emanuel Macron gjatë bisedave që kishin me kryeministrin Kurti.

    Të njëjtën kërkesë ia bëri Kurtit edhe ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, i ka kërkuar Kosovës që të bëjë “përparim urgjent” sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Si ide ka qarkulluar që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.

    Për këtë Osmani ka dhënë një përgjigje. Ajo ka thënë se ligjërisht nuk mund ta bëjë këtë pa një akt të Qeverisë.

    Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani tha se Kosova nuk kundërshton zbatimin e detyrimeve të veta, por kërkon një marrëveshje të detyrueshme si për Kosovën dhe Serbinë.

    Ajo tha se Kosova do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për statutin e Asociacionit pasi të jetë arritur më parë një marrëveshje se si do të zbatohen aktet që dalin nga Marrëveshja e nënshkruar në Ohër nga Kosova dhe Serbia vitin e kaluar.

    “Kosova ka treguar vazhdimisht vullnet që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel në shkurt të vitit të kaluar dhe aneksin e marsit të vitit të kaluar në tërësi dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. Por si në çdo marrëveshje tjetër, zbatimi ka planin e implementimit, apo planin e sekuencimit, i cili ende është duke u negociuar në Bruksel dhe parasheh që të dyja palët, në mënyrë paralele, të zbatojnë marrëveshjen, apo pjesët e veta të marrëveshjes”, tha presidentja Osmani.

    Edhe i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është deklaruar për Asociacionin. “Nëse nuk ka përparim sa i përket formimit të Asociacionit të Komunave Serbe, është e vështirë të pritet përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Lajçak.

    Lajçak theksoi se Kosova dhe Serbia i dinë obligimet e tyre që janë përgjatë rrugës për integrim evropian.

    “Për Serbinë është raporti vjetor i Komisionit Evropian që tregon saktësisht se çfarë duhet bërë. Për Kosovën është Marrëveshja e Stabilizim Asociimit. Përveç kësaj, në përputhje me vendimet e Këshillit të BE-së, normalizimi i marrëdhënieve është një parakusht për përparimin në rrugën europiane, BE ka thënë qartë se nuk mund të importojë probleme të pazgjidhura dypalëshe”, tha Lajçak.

    Lajçak: Aktualisht s’ka ndonjë progres për Asociacionin, pa të s’ka normalizim raportesh

    Pas marrjes së dritës së gjelbër në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, më 16 prill, vendimin përfundimtar për Kosovën pritet ta sjellë Komiteti i Ministrave i kësaj organizate, më 16 maj.

    Deri atëherë, Kosova duhet të vazhdojë t’i bindë së paku dy të tretat e 46 anëtarëve të saj përse duhet të jetë në mesin e tyre.

    Dhe hapa pozitivë në këtë drejtim duket se janë pikërisht ata që çojnë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe./Reporteri.net/.

    Kosova përballë “kushtit” të vështirë në finalen drejt KiE-së

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!